nga Admin

21 Prill, 2009

Përshëndetje miq të librit,

kësaj here ju prezantojmë një recencë nga: Dr Gëzim Alpion për romanin e Visar Zhitit ‘Funerali i Pafundmë’.

Funeral i Pafundme, Visar ZhitiPo qe se akoma nuk e keni lexuar romanin e Visar Zhitit Funerali i Pafundmë, nxitoni të gjeni nje kopje. Po qe se libri nuk ështe më në qarkullim, i shkruani botuesit menjëherë që të botojë kopje të tjera, mundësisht sa më shumë. Po qe se ribotimi do të marr kohë, më shkruani që t’iu dërgoj kopjen time.

Sa më herët që ta lexoni këtë vepër, aq më shumë do të përfitoni. Sa për sqarim – ky roman nuk është argëtues. Megjithatë, pavarësisht nga kjo, ose më saktë, pikërisht për këtë gjë, ju duhet ta lexoni këtë libër, dhe sa më parë. Po qe se nuk e ndiqni këshillën time, ka të ngjarë që pa dijeninë tuaj, ju do të vazhdoni të jeni pjesëtarë sonambulistë i një funerali të cilit ju ngjitet ndoshta që kur lindët. Ndosha ju keni lindur në këtë funeral. Ndoshta ky është funerali juaj. Ndoshta ju jeni kufoma që të tjerët përcjellin në varr. Ndoshta ju jeni kufoma dhe një nga pjesëtarët e korteut në të njëjtën kohë.

Në këtë roman Zhitit na rrëfen ne shqiptarëve gjëra që tradicionalisht nuk na pëlqejnë ti dëgjojmë, shikojmë dhe pranojmë, veçanërisht kur bëhet fjalë për mëkate të përbashkëta.

Si çdo vepër me vlerë, ky roman ju ofron lexuesve nje trajtim terapik që do t’i ndihmojë ata ta njohin vetveten ndoshta më tepër se nga çdo libër tjetër që kanë lexuar deri tani. Si nje Froid letrar, Zhiti e drejton lexuesin me mjeshtëri, simpati por disa herë edhe me insistim në turneun e vështirë nëpër labirinthet e errëta të koshiencës dhe subkoshiencës. Me Zhitin, letërsia shqiptare ka gjetur nje stil te ri rrëfimi që u përsos nga James Joyce dhe Virginia Woolf.

Shkrimtarë si Visar Zhiti janë shumë të talentuar për tu liruar nga burgu. Edhe kur artistë të tillë e kryejnë dënimin e ‘merituar’ për ‘komplotet’ që thurrin duke ‘manipuluar’ fjalën, armën më të rrezikshme që disponojmë ne njerëzorët, ata duhen flijuar me ngujim të përhershëm në kullën e harresës. Për këtë të fundit ne kemi merita, veçanërisht kritika letrare shqiptare.

Po qe se prisni që të informoheni nga kritika letrare shqiptare për një libër të jashtëzakonshëm si ky, ka të ngjarë që të mbeteni të patrazuar në padijen tuaj edhe për shumë kohë. Kritika letrare shqiptare, që tani për tani është në një gjendje vegjetative, ka ende shume për të bërë për tu afirmuar si një art i mirëfilltë dhe shkencë në vete.

Kritika shqiptare do ta ngrinte në qiell këtë roman po qe se do të kishte tërhequr vëmendjen e kritikëve në perëndim. Tani për tani kjo nuk ka të ngjarë sepse Zhiti nuk është i interesuar të trajtojë tema folklorike dhe ekzotike që perëndimorët e interesuar për Shqipërinë dhe hapësirat shqiptare, si gjithmonë, vazhdojnë ti kenë aq shumë për zemër. Zhiti është shkrimtar shumë serioz që të shkruaj vetëm me qëllim që të tërheq vëmendjen dhe siguroj aprovimin e kritikës së huaj. Disa shkrimtarë shqiptar, me eksperiencë apo edhe pinjollë të rinj, që me sa duket e masin suksesin kryesisht me kutin e vlerësimeve të befta që vijnë nga përtej Adriatikut, duhet të mësojnë nga dinjiteti dhe integriteti profesional i Zhitit.

Po qe se mendoni se një vepër e tillë duhet te ishte propaganduar nga qeveria shqiptare, në kohën tonë kjo nuk është më e mundur. Shkrimtarët dhe artistët shqiptarë trajtohen nga establishmenti politik si fëmijë ilegjitim te braktisur. Koha kur shteti shqiptar ta kuptojë sa e rëndësishme është të investojë për tu krijuar artistëve si Zhiti kushte dinjitozë për të vazhduar krijimtarinë, fatkeqësisht duket se është akoma e largët.

Megjithëse në kushte jo normale, Zhiti vazhdon të shkruaj vepra të cilat janë pasuri kombëtare. Ky është ndoshta romani me original i botuar në gjuhën shqipe në dy dekadat e fundit. Qoftë edhe vetëm me këtë vepër, Zhiti radhitet ndër klasikët e letërsisë bashkëkohore shqiptare. E megjithatë kjo vepër pothuajse nuk është vënë re. Edhe ato pak komente që janë bërë për të theksojnë se ky është nje roman kundër diktaturës komuniste.

Deri diku, kjo vepër e Zhitit vërtet është nje roman anti-diktature. Diktatura që Zhiti demaskon pamëshirshëm megjithatë nuk është thjesht ajo komuniste. Si çdo shkrimtar, Zhiti pasqyron në veprat e tij eksperiencën personale. Si çdo shkrimtar i madh, ai nuk është rob i saj, por e përdor atë si platformë për të trajtuar çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me kombin shqiptar. Dhe jo vetëm me të.

Romani i Zhitit përqëndrohet, ndër të tjera, në çështjen thelbësore të mardhënieve të njeriut me shtetin si një instrument force, indoktrinimi dhe totalitarizmi. Këto tipare janë karakteristika të shtetit ne çdo sistem shoqëror, përfshirë shtetet demokratike.

Zhiti ka shkruar një vepër origjinale sa moderniste po aq edhe postmoderniste për nga konceptimi dhe ekzekutimi artistik si dhe mesazhi filozofik. Ky roman mund të krahasohet denjësisht me disa nga veprat më të mira të autorëve si Kafka, Orwell, Salinger, Heller dhe Solzhenitsi. Duke pasur parasysh historinë e romanit shqiptar, Funerali i Pafundmë është një arritje jo e vogël për letërsinë dhe kulturën shqiptare.

Që ky roman ka për autor një poet të talentuar si Zhiti e bën këtë vepër edhe më të veçantë. Ky është romani i parë i suksesshëm në shqip i kompozuar në vargje të lira që për nga mesazhi, pasuria e gjuhës dhe thellësia e mendimit mund të barazohet me kryeveprën Toka e Djerrë të T. S. Eliot.

E veçanta e këtij romani-poemë është se edhe pse simbolizon jetën si një korte kotësie (ndoshta Korteu i Kotësisë do të ishte një titull më domethënës për këtë vepër), Zhiti nuk e humb besimin te njerëzimi, tek vitaliteti ynë si qënie njerëzore për të ngadhnjyer në situata kur arsyja duket se ka vdekur. Zhiti gjen kuptim dhe kthen në art anët më të errëta të realitetit njerëzor. Si çdo kryevepër që përqëndrohet në temën e pesimizmit, atë e përshkon një damar elegant optimizmi.

Romani i Zhitit shënon një arritje të re në letërsinë shqiptare, për të cilën duhet të gëzohemi të gjithë, veçanërisht Kadareja. Për më shumë se katër dekada, Kadareja duhet të jetë mërzitur në vetminë e tij. Nuk them se Zhiti është një Kadare i dytë. Kjo do të ishte një pasaktësi e madhe dhe nënvleftësim i pafalshëm si për Kadarenë ashtu edhe për Zhitin. Nuk duhet që ta masim vlerën dhe origjinalitetin e shkrimtarëve tanë me metrin e suksesit të Kadaresë. Kadareja është një fenomen unik në letrat shqiptare. Kur të vlerësojmë shkrimtarë të talentuar si Zhiti, nuk duhet të nisemi nga premisa që të gjejmë në veprat e tyre një Kadare të dytë. Ne nuk na duhet një Kadare i dytë. Asnjë vendi dhe asnjë letërsie nuk i duhen klonë letrare.

Kur kjo vepër të përkthehet në gjuhët kryesore evropiane, veçanërisht në gjuhën angleze, Zhiti me të drejtë do të konsiderohet si një shkrimtar premtues bashkëkohorë. Me shkrimtarë si Kadareja dhe Zhiti letërsia shqiptare dhe ajo ballkanike përfaqesohet edhe më denjësisht në botë.

Universiteti i Birminghamit, Angli
15 Prill 2009

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>