nga Admin

19 Dhjetor, 2014

Mustafa Nano nderohet me çmimin “At Zef Pllumi”

Autori Mustafa NanoPax Albanica”, libri i cili për herë të parë ndërton një raport historik të gjatë që shqiptarët kanë pasur me besimet fetare, shkruar nga publicisti Mustafa Nano, është nderuar dje me çmimin kombëtar “At Zef Pllumi”. Libri, botim i shtëpisë botuese “Saras”, sjell një vështrim kronologjik të atmosferës fetare në vend, por ngre edhe pyetje e jep përgjigje mbi mënyrën sesi shqiptarët janë sjellë me fenë. Me këtë çmim dje në gjininë e publicistikës është vlerësuar dhe gazetari Blendi Fevziu me librin “Ahmet Zogu. Presidenti që u bë mbret”. Çmimet kombëtare që mbajnë emrin e njeriut që u bë dëshmitar i vuajtjeve gjatë komunizmit dhe një kronikan i madh me veprat që la pas, At Zef Pllumi, jepen çdo vit nga Komuna e Shëngjinit, ku dhe At Zefi ka lindur. Këtë vit ishte edicioni i tretë i këtyre çmimeve që ndahen për veprat më të mira në prozë, poezi, memuaristikë e publicistikë. Juria e këtij edicioni, e përbërë nga Mark Marku në pozicionin e kryetarit, Bardhyl Londo, Parid Teferiçi, Agron Gjekmarkaj dhe Alma Mile, ka marrë në shqyrtim prurjet letrare të këtij viti, mbështetur në të dhënat e Bibliotekës Kombëtare, duke përzgjedhur ata që meritojnë çmimin që mban emrin e nderuar të martirit shqiptar. Sipas kryetarit të jurisë, Mark Marku, ky çmim është një kontribut në orientimin e lexuesit, por dhe vetë sistemit të vlerave në letërsi e publicistikë. Çmimi për veprën më të mirë prozë iu dha shkrimtarit Virion Graçi për romanin “Stina e hijeve”. Çmimi për vëllimin më të mirë poetik iu dha poetit Lisandri Kola për librin “Fluturat vdesin në maj”, ndërsa vepra më e mirë memuaristike iu dha Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, për Fjalorin Enciklopedik të viktimave të terrorit komunist. Të pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, fituesit shprehën jo vetëm falënderimet për organizatorët dhe jurinë, por më së shumti ndanë me të pranishmit kënaqësinë e marrjes së një çmimi që mban emrin e madh të At Zef Pllumit. Në dy edicionet e mëparshme çmimi u është dhënë emrave të njohur të letërsisë e publicistikës, si Ismail Kadare, Rudolf Marku, Zija Çela, Spartak Ngjela, Preç Zogaj, Bardhyl Londo, etj., të cilët janë konsideruar si gjurmëlënës dhe ndikues në shijet e lexuesit dhe publikut shqiptar, me veprat e botuara. Çmimi “At Zef Pllumi” është krijuar nga Bashkia e Shëngjinit, nën kujdestarinë e kryetarit të saj Salvador Kaçaj, dashamirës karshi kulturës e mbi të gjitha nderimit të emrit të At Zef Pllumit. Prej organizatorëve ky çmim konsiderohet, jo thjesht si një homazh për klerikun martir, publicistin e shkrimtarin, por edhe si pjesë e një politike kulturore që i shërben pasurimit të kalendarit kulturor në vend, përtej kufijve të kryeqytetit, duke krijuar më shumë hapësira dhe frymëmarrje për krijuesit, pse jo edhe një konkurrencë të shëndetshme, e cila nuk “menaxhohet” vetëm nga Ministria e Kulturës apo shteti, por pa mbetur në kuadrin lokal.

 

Çmimet:

 

Çmimi “At Zef Pllumi” në publicistikë dhe eseistikë:

Mustafa Nano me “Pax Albanica”.

Blendi Fevziu me librin “Ahmet Zogu. Presidenti që u bë mbret”

Çmimi “At Zef Pllumi” për prozën më të mirë:

Virion Graçi për romanin “Stina e hijeve”

Çmimi “At Zef Pllumi” për vëllimin më të mirë poetik:

Lisandri Kola për librin “Fluturat vdesin në maj”

Çmimi “At Zef Pllumi” për veprën më të mirë memuaristike: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, për Fjalorin Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>