Tags Posts tagged with "Letërsia shqipe"

Letërsia shqipe

Djali i ish-kryeministrit Mehmet Shehu shkruan një roman për dosjet

 

Bashkim ShehuMe një fëmijëri dhe rini të kaluar në ish-Bllokun komunist, Bashkim Shehu nuk mund ta harrojë të shkuarën. Edhe pse prej vitesh jeton në Spanjë, letërsia e shkruar prej tij vazhdon të eksplorojë të shkuarën. Të hënën, shkrimtari do të jetë në Tiranë, për të prezantuar romanin më të ri “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve“. Hapja e dosjeve është një debat që për më shumë se dy dekada vijon në vend. Për Shehun, “… përmbajtja e dosjeve nuk njihet, është mister, që mund të zgjidhet vetëm duke u njohur përmbajtja e të gjithave njëherësh, në të njëjtin çast dhe si të ishte një dosje e vetme… Përndryshe, ky ‘Fjalor’ do të ishte i panevojshëm”. Në këtë libër, të shkruar në formë fjalori, lexuesit i paraqitet një galeri personazhesh e situatash: një ish-punonjës i çmendur i Arkivit sekret, një gazetar investigativ, një sozi i Enver Hoxhës dhe Pasardhësi i Enver Hoxhës, një projekt për ndërtimin e Bllokut të nëndheshëm, një biznesmen i çuditshëm nga Moska që vjen në Shqipëri për të kërkuar një baba të panjohur, një linjë ndërkombëtare korrupsioni, dy krime seksuale identike dhe të njëkohshme që shoqërojnë zhurmën për këtë linjë korrupsioni, një teori konspirative për një zyrë të fshehtë, reale ose imagjinare, për të cilën thuhet se lëviz çdo fije të ngjarjeve në Shqipëri… Fjalor udhezues per misterin e dosjeve, Bashkim ShehuTë gjitha këto, ndërthurur me motive mitologjike nga më të ndryshmet, lidhen me njëra-tjetrën si shtigjet e një labirinti, në qendrën e të cilit është misteri i dosjeve, shprehje të marrëzisë së kontrollit totalitar. Ky libër është si një labirint me shumë hyrje: mund të lexohet alfabetikisht nga fillimi në fund (si në leximin e kapitujve të njëpasnjëshëm të çdo lloj romani), ose nga fundi në fillim, ose duke filluar nga çdonjëra prej rubrikave që përmban (ose hyrjeve, nga anglishtja entry) dhe duke vazhduar pastaj me një nga rubrikat (hyrjet) e tjera ku të çojnë shenjat përkatëse, e s’andejmi te një tjetër, e kështu me radhë. Sikurse në të gjithë fjalorët, çdo rubrikë (hyrje) është e lidhur me një ose disa të tjera dhe, prandaj, leximi i tij i përngjan vërtitjes në rreth të mbyllur, ashtu si në një labirint. Dhe, sikurse në çdo labirint, shumëkund mund të marrësh një drejtim ose një tjetër (aty ku lidhja është me më shumë se me një tjetër). Shenjat lidhëse janë katërfarësh, po aq sa ngjyrat e letrave të bixhozit dhe në ngjashmëri me to. Rrjedhimisht, janë paraqitur me këto simbole: ♠, ♣, ♥ dhe ♦. Përdorimi i një të tillë simboli është përcaktuar nga lloji përkatës i lidhjes së një rubrike (hyrjeje) me tjetrën ku të çon ai simbol. Kuptimi i llojit të lidhjes midis dy rubrikave (hyrjeve) është po ai që ka dhënë kartomancia (mjeshtëria e parashikimit të së ardhmes me anë të letrave të bixhozit) për çdonjërin prej këtyre simboleve. Kështu, ♠ shënjon vdekjen, ♣ shënjon armiqësinë, ♥ shënjon dashurinë (në përgjithësi, duke përfshirë edhe simpatinë, ose në veçanti dashurinë seksuale, ose thjesht seksin), ♦, që sipas kartomancisë shënjon pasurinë, këtu ka edhe kuptimin e fuqisë në përgjithësi (ose të një pushteti që nuk buron nga pasuria, por që është vetë pasuri). Në disa raste, kur një lidhje ka dy kuptime, ose tre, është shënjuar me dy simbole, ose me tre. Madje, në një rast (që i përgjigjet Xholit në lojën me letra) është shënjuar me të katër simbolet.

Gjuhëtarja, kritika ndaj formave poetike të kumtesave shkencore

At Shtjefen GjecovAt Shtjefën Gjeçovi është kujtuar përmes një konference shkencore në 140-vjetorin e lindjes dy ditë më parë në Kuvendin Françeskan në Shkodër. “Át Shtjefën Gjeçovi, thesar në hulumtim”, quhej konferenca që bëri bashkë studiues nga Italia, Kosova, Gjermania apo Shqipëria. Gjuhëtarja Ledi Shamku solli një qasje të re, mbi pikëpamjet e françeskanit rreth mitologjisë. Evalda Paci solli në kumtesën e saj

përveçime letrare e gjuhësore të Át Gjeçovit. Studiuesi e publicisti Ardian Ndreca trajtoi institutin e martesës në Kanunin e Lekë Dukagjinit. Filologu Bardhyl Demiraj, me trajtesën Fe e Preme, përcolli kontribute të reja në studimet gjeçoviane. Át Vitor Demaj paraqiti pikëpamjet edukuese si vlera humane e atdhetare në veprën Agimi i Gjytetnisë. Studiuesja Fatbardha Hoxha trajtoi vizione qytetëruese të Gjeçovit, ndërsa studiuesi Alfred Çapaliku paraqiti kontributin e Konicës për Gjeçovin. Por këto këndvështrime të të parit të figurës së At Gjeçovit janë quajtur nga gjuhëtarja Ledi Shamku si tepër poetike. “Dy sesione, paradite dhe pasdite, me një aradhë kumtesash mbi veprën e Gjeçovit, m’u përngjanë më fort si një takim poetik sesa një tryezë shkencore. Dua të kujtoj së pari se Gjeçovi ka në arkiv mbi 10 mijë fletë dorëshkrim, pra ka mjaftueshëm lëndë për t’ia sjellë shkencës albanologjike. E mandej dua sërish të kujtoj se ne të sotmit rrojmë gati një shekull pas Gjeçovit. Dhe pikërisht në këtë shekull gjuhësia ka formësuar e përsosur metodat dhe objektet e veta si shkencë, ka rritur disiplinat e veta kapërcyellore si Etnolinguistika e Sociolinguistika, ka modernizuar strukturalisht metodat e Gjuhësisë së Krahasuar e të Indoeuropianistikës. Pra në daçim, ne të sotmit kemi në dorë çdo mjet a zhvillues shkencor për ta rilexuar imtisht jo vetëm lëndën gjuhësore shqipe që mblodhën Gjeçovi me të tjerë, po edhe vetë mendimin e tij shkencor e atë të të tjerëve mbi të”, është shprehur Shamku. Sipas saj ka ardhur koha që të çohet përpara shkenca e albanologjisë dhe të mos ngatërrohet gjuhësia me letërsinë”. Janë dy disiplina të ndryshme, gjuhësia ka filtrat e veta shumë të sakta dhe të pazëvendësueshme. Të dilet nga rrethi i përsëritjes së të njëjtave kumtesa gjeneralizuese, që nisin e mbarojnë të gjitha me rreshtimin e veprës së dikujt, thjesht numërim bibliografik pra, pa zbritur në asnjë detaj, i cili mandej zhbirilohet shkencërisht. Si çdo shkencë tjetër, gjuhësia rron te detaji”, thotë Shamku. Sipas saj, duhet marrë në konsideratë fakti se regjistri i kumtesave shkencore duhet të jetë i thjeshtë, i kuptueshëm, i përqendruar te brendia e mendimit dhe jo te forma e tij, e cila gjithë këto kohë shfren në një barok të lodhshëm poetik. Albanologjia, sipas saj, nuk ka më studiues por veç përshkrues. Në konferencën kushtuar Gjeçovit folën për rolin dhe veprat e tij dhe Willi Kams, Frok Kristaj e Prend Buzhala, Tomor Osmani, Mimoza Priku , Arben Prendi, Elinda Ramadani, Nertila Ljarja, Rrokin Daberdaku e Gjovalin Çuni. Sipas At Vitor Demaj, kumtesat do të botohen në nji vëllim të veçantë në Botimet Françeskane. Konferenca u shoqërua dhe me hapjen e një ekspozite në mjediset e librarisë françeskane, me objekte, dorëshkrime e libra që i përkisnin Át Shtjefën Gjeçovit.

0 69

115-vjetori i lindjes së Lasgush Poradecit/ E bija, Maria, vjen në një rrëfim për kohët me të, marrëdhënia e tij me nënën (bashkëshorten Nafije) dhe veprën e tij të plotë

Kur Nafija mbylli sytë më 3 gusht 1983 në Pogradec, babai i rënë në gjunjë para saj, i mbushur me lot, pëshpëriste me zë të dridhur e me sy të humbur: “Më fal Nafija ime, më fal” dhe më pas i puthte ballin, faqet, buzët, duart, trupin, çdo gjë. Ne e dinim, e ndienim në qenien tonë, që ajo e kishte falur, e tani e priste atje lart duke e dashur si gjithmonë.

Alda Bardhyli

E mbështetur në krahët e nënës, me fustanin prej basme, Maria vështron aparatin fotografik. Pranë saj motra dhe babai kanë të njëjtin vështrim. Kjo foto e familjes Gusho ose Poradeci e bërë vite më parë, të ulur në një barkë bri liqenit të Pogradecit, është një nga kujtimet që sjell një tjetër përfytyrim të poetit të dashurisë. Pranë gruas dhe dy vajzave të shtrenjta që qenë gjithë jeta e tij në Shqipërinë e atyre viteve. Janë Kostandina dhe Maria, dy pasardhëset e Lasgush Poradecit që tashmë jetën e tyre e kanë kthyer në një kujdesje ndaj veprës së tij. Sot në 115-vjetorin e lindjes së poetit, Maria vjen në një rrëfim për kohët me babanë, marrëdhëniet e tij me nënën dhe veprën e tij…

 

Marie, kujtimet e para për babanë tuaj ku të çojnë?

Në një kohë të largët që është prezente gjithmonë. Sepse është ai që ma bën prezente këtë kohë, kujtimet e tij. Tani e kuptoj sa e lumtur isha, sa e mbrojtur ndihesha. Jeta është shumë e vështirë, por dora e një njeriu të afërt na jep forcë. Është shumë e rëndësishme. Tani sigurisht është emri i tij që më “mbron”, por prezenca e njeriut të afërt është ndryshe. Më kujtohet se në momente të mërzitura ose kur më shihte lot në sytë e mi, më thoshte: “Mos qaj, ti ke baba”. Atëherë më dukej se lotët kishin një tjetër shije.

Si ishte jeta në familjen tuaj, kur prindërit jetonin?

Jeta jonë ishte e organizuar krejt ndryshe nga familjet e tjera. Ajo diktohej vetëm nga ai. Kur them këtë kam parasysh që jeta në familjen time ishte e ndriçuar me dritën e tij. Ishte e organizuar sipas të vërtetave universale që ai i njihte shumë mirë. Vazhdimisht më thoshte: Mos harro kurrë, ti je vajza e Lasgush Poradecit.

 

Kur nise të kuptoje që babai yt nuk ishte i zakonshëm, dhe të lexoje poezitë e tij?

Jo, babai im nuk ishte i zakonshëm. Ai i supronte përmasat e një njeriu të tillë. Unë jam rritur me poezitë e tij. Nuk besoj se ka qenë një kohë kur kam lexuar poezitë e tij. Por ka qenë një kohë kur kam kuptuar pse poezitë e tij nuk botoheshin në shtyp. Kultura e tij e jashtëzakonshme, ndershmëria e tij, mosnënshtrimi i tij para të gjitha vështirësive që kalonim, më ka bindur se babai im nuk i takonte atij morali të ndyrë, që tjetërsonte njeriun. Dhe koha e vërtetoi këtë. Babai më thoshte se “politika nuk hyn në poezi, sepse kur vdes ajo politikë, atëherë dhe ajo poezi ka vdekur”.

 

Si ishin vitet e fundit të jetës së tij?

Më dhemb në shpirt edhe sot kur i kujtoj ato vite. Në vështirësi të mëdha. Atij nuk i mungonte shërbimi im dhe i motrës. Ishte shërbimi i vajzave të tij dhe ne ia jepnim me gjithë zemër. Por pjesën më të madhe të ditës ai ishte vetëm, pasi ne ishim në punë. Në punë nuk kishim asnjë favor, përkundrazi. Ata njerëz (ata që sot janë bërë “demokratë”, dukej sikur na i vështirësonin punët me qëllim. Ishte një kohë kur mamaja nuk jetonte më, dhe motra nuk ishte transferuar akoma nga Pogradeci. Në Tiranë isha vetëm unë dhe babai. Ngrihesha herët në mëngjes, bëja punët e domosdoshme dhe mbasi e puthja në orën 6.30 të mëngjesit dilja për të shkuar në punë. Ai rrinte vetëm derisa kthehesha unë nga puna në orën 15.30. Unë në punë gjithë ditën e kisha mendjen tek ai, se mos më rrëzohej, mos sëmurej. Vështirësitë ishin të mëdha kur ishte dimër. “Baba, i thosha, mos i fut dru sobës (kisha frikë mos digjej), më mirë mbulohu në shtrat mos të kesh ftohtë, etj., etj”. Në atë kohë nuk ishte e mundur të paguaje dikë, që t’i shërbente.

 

Momentet e fundit me të si i kujton?

Ikja ndodhi në shtëpinë në Tiranë. Ishim të dyja me motrën pranë tij. Nuk iu ndamë asnjë çast tri javët e fundit. I qëndronim pranë shtratit. Ai kishte shpresë se do ta fitonte betejën me vdekjen. Por në momentet e fundit, kur e kuptoi se po kalonte në jetën tjetër, i tha motrës: Kostandinë, bijë e babkës, trupin tim edhe të vdekur ta shpini në Pogradec. Dhe ne ashtu bëmë. Në Pogradec na thanë që do ta varrosnim në një parcelë të veçantë, ku do të preheshin edhe njerëz të tjerë të veçantë të qytetit. Dhe ashtu bënë. Por, tani ajo parcelë është fare e zakonshme. Kanë futur shumë njerëz që nuk janë emra të shquar të qytetit.

 

Po nënën tënde si e kujton? Si ishte raporti mes tyre?

Ishte një njeri i jashtëzakonshëm si im atë. Çdo gjë të jetës së tij ai e ka të jashtëzakonshme. Edhe marrëdhënia e tyre ashtu ishte. Ata njerëz xhuxhë që e rrethonin tim atë, për fat të keq nuk e kuptuan atë asnjëherë. Madje as tani, ata nuk mund ta kuptojnë, vetëm hiqen sikur kuptojnë. Ata që ia vështirësuan jetën atij sa ishte gjallë, tani na e vështirësojnë mua dhe motrës. Sepse janë në errësirë të përjetshme dhe e urrejnë dritën.

 

Ju keni botuar në veprën e plotë të Lasgushit dhe letrat e dashurisë që ai ia dërgonte asaj… Si ka qenë njohja mes tyre?

Mamaja ime, Nafije, ka lindur në Durrës. Ajo nuk mundi ta njihte të atin, por dashurinë e munguar të tij do t’ia plotësonte e ëma Feridja, tezja e saj, Sabrije Mema, dhe dy dajallarët Xheladini dhe Faslliu. Familja e nënës së Nafijes ishte nga familja e Bushatllinjve të Shkodrës, mjaft e kamur dhe me tradita patriotike (Patrioti Dom Nikoll Koçorri ishte djali i xhaxhait i nënës së Nafijes). Pra Nafija ishte gëzimi i kësaj familjeje dhe për të nuk kursehej asgjë. Duke pasur mundësi ekonomike Nafija për 8 vjet studioi me pagesë në institutin “Nana Mbretëreshë”, në Tiranë. (Ajo do të hynte në konvikt rreth moshës 10-vjeçare dhe do të dilte prej tij, zonjushë 18-vjeçare). Mbasi mbaroi shkollën, me qenë se studioi me lekët e saj, sipas ligjit, ajo u caktua mësuese në rrethin e saj, në Durrës (shkolla e ciklit të ulët në Shënavlash). Takimi i parë mes tyre ndodhi në një ditë të shënuar, me rastin e kremtimeve të 25-vjetorit të pavarësisë, në shkollën e vizatimit ku ishte çelur ekspozita e skulpturës (për skulpturën e Gjergj Kastriotit) dhe e dokumenteve të Rilindjes, në komisionin përgatitës të së cilit bënte pjesë edhe Lasgush Poradeci. Ky takim i bëri shumë përshtypje babit. Vajza e brishtë me flokët e verdha, i pëlqeu shumë sa do t’i mbetej në kujtesë për një kohë të gjatë. Do ta takonte edhe më pas kur babai, si “Poet i ditës”, bëri një vizitë në institutin femëror “Nana Mbretëreshë” dhe drejtori i shkollës Karl Gurakuqi, poetit të madh, i prezantoi poeteshat e shkollës ku ishte edhe Nafija. E këtë herë poetit i pëlqeu edhe më shumë. Filloi të mendojë gjatë për të! Me dekretin nr. 93 datë 08.11.1938 të Ministrisë së Arsimit ajo emërohet si mësuese në katundin Shënavlash të Rrethit të Durrësit. Drejtori i shkollës të Shën Vlashit ishte Bajram Gashi, një mik i babait dhe “shkes” për martesën e tyre. Gjyshja jonë, Feridja, na ka treguar: “Një natë, pashë një ëndërr të çuditshme, sikur po martohesha me priftin. U ngrita e trembur dhe vrapova për t’ia treguar hoxhës. Mos u shqetëso – më ngushëlloi ai – nuk parathotë ndonjë fatkeqësi, por me siguri do ta kërkojë për grua Nafijen ndonjë i krishterë. Jo, hoxhë efendi, – kjo nuk ka për të ndodhur kurrë – e sigurova hoxhën. Por, mbas dy javësh erdhën shkesët, Bajram Gashi, drejtor i shkollës së Shënavlashit, ku ishte emëruar Nafija, me Beqir Çelën, të dy miq të poetit dhe më kërkuan Nafijen, për t’u martuar me Lasgush Poradecin. Unë nuk doja, e para, sepse ishte i krishterë, e dyta, sepse kishte shumë diferencë moshe me vajzën. Por kur e pyetëm Nafijen ajo tha: unë e kam dashuruar Lasgushin që më parë nga vjershat e tija, kam folur me Lasgushin në shkollën e vizatimit (me rastin e ekspozitës së artit, 25-vjetorin)”.

Familja e saj kishte respektuar dëshirën e vajzës. Atë që kishin parathënë yjet nuk mund ta ndalonin dot njerëzit.

 

Por mamaja e kujtonte këtë histori?

Mamaja jonë, Nafija, na tregonte se “Kur u martuam, fluturuam me aeroplan për në Korçë, prej andej me taksi shkuam në Pogradec. Sapo arritëm, Lasgushi më shpuri te nëna e tij. Ajo, kur më pa, u ul në gjunjë, më uli çorapet setapura dhe duke më puthur gjunjët me tha: nusja e nënës, a do mundesh ti ta durosh dot Llazarin?”

Pse e bëri këtë gjyshja jonë? Nuseve të djemve të tjerë nuk u ishte drejtuar me këto fjalë! Një grua e mençur si gjyshe Kostandina e dinte që i biri ishte ndryshe, tërësisht larg rrethit të fëmijëve të tjerë, aspak i ngjashëm me ta, tërësisht i ditur, që e shikonte botën krejt ndryshe, me një vizion të qartë afër dhe larg, të tashmen dhe perspektivën. Ai ishte i veçantë në marrëdhëniet me shokët, me vëllezërit, me të afërmit. Ai ishte i veçantë edhe në marrëdhëniet me femrat. Ajo njihte edhe historitë dashurore që i biri kishte pasur me vajza të tjera. Po ato ishin larguar. A do mundej kjo vajzë e re, ky “engjëll i rënë nga qielli” të kuptonte madhështinë e djalit të saj? Prandaj ajo, me një përulje tërësisht njerëzore iu drejtua nuses së ardhshme, që mezi e kish pritur, me fjalët: nusja e nënës, a do mundesh ti ta durosh dot Llazarin? Po Nafije Mema, kjo vajzë e pajisur me një kulturë perëndimore, njohëse e tri gjuhëve të huaja, arriti ta “zotërojë” Lasgushin sa të sertë aq edhe të thyeshëm, sa të prerë aq elokuent, sa tekanjoz aq edhe të ëmbël e njerëzor. Ajo me zgjuarsi, thjeshtësi, durim arriti ta adhurojë Atë, të gjithë qenien e tij, me të mirat e tekat e një njeriu të madh. Nuk u nda kurrë nga ai. Do të ishte gruaja e tij, e shoqja e tij besnike. Do t’i qëndronte afër në shumë momente të vështira, në shpërthimet e jashtëzakonshme që ia krijonte gjendja e tij e keqe shëndetësore dhe anatemimi i regjimit komunist. Do të ndante më të vështirësitë e panumërta të jetës dhe do të ishte i vetmi njeri që ai do t’i besonte pa frikë çdo bisedë indiskrete politike pa pasur frikë se do të ishte i tradhtuar. Kaluan bashkë plot 44 vjet. Jeta nuk kishte qenë e lehtë për të. Ajo kishte filluar me idealizëm, me “Poetin e ditës”, të asaj kohe dhe më pas fjalët për Lasgushin ishin shuar. Kishin ndarë bashkë vetminë, largimin e gati të gjithë miqve të dikurshëm. Por ajo nuk u ankua kurrë për këtë. E rëndësishme për të ishte dashuria. Në ditët e tyre të errëta rrinin pranë njëri-tjetrit në heshtje, ajo që e donte me një dashuri vetëmohuese gjer në vdekje dhe ai i shpërblyer nga Zoti me një bashkëshorte me virtyte që ai gjithmonë i kishte ëndërruar. Ishte i sigurt që e kishte lodhur shumë. Ajo kishte plotësuar me vetëmohim për hir të dashurisë të gjitha tekat e tij prej Poeti.
Po kujtojmë këtu dy nga më të dhimbshmet. Ne dy motrat, vajzat e tyre, që të vogla disa muaj të vitit kalonim larg nënës tonë, larg përkëdheljeve të saj. Kishim nevojë të rrinin me të, të ndienim erën e saj si të gjithë fëmijët e botës. Por kur në fillimin e shtatorit nëna kthehej në Tiranë, sepse hapeshin shkollat, ne rrinim me babanë në Pogradec edhe tre katër muaj të tjerë, pasi klima e mirë e ndihmonte shëndetin e tij të dobët. Po nëna jonë duronte të na kishte larg e nuk ia prishte këtë tekë nga më të torturonjëset për shpirtin e saj. Edhe kur u rritëm Kostandina, jo më shumë se 18 vjeçe vazhdoi shkollën e lartë me korrespondencë dhe pasi e mbaroi u emërua në Pogradec. Edhe gjatë kryerjes së shkollës së lartë, edhe kur filloi punë, mamaja e përjetonte këtë ndarje me durim vetëm mos ia prishte qejfin burrit të saj që e adhuronte.
Nëna për 30 vjet e kreu në mënyrë shembullore detyrën e saj si mësuese e përkushtuar, e klasës së parë, në shumë shkolla të Tiranës.
Për punë të mirë Kuvendi Popullor i dha asaj titullin “Mësuese e Merituar”, më 1967. Ajo do të zinte vendin e dytë në konkursin kombëtar për hartimin e tekstit të abetares dhe duke u mbështetur në eksperiencën e saj do të botonte librin “Nga përvoja ime në punën me abetaren”, që do të ishte një ndihmesë e jashtëzakonshme për mësueset e reja.

 

Si ishte për Lasgushin ndarja nga jeta e Nafijes. Si e përjetoi këtë moment?

Kur Nafija mbylli sytë më 3 gusht 1983 në Pogradec, babai i rënë në gjunjë para saj, i mbushur me lot, pëshpëriste me zë të dridhur e me sy të humbur: “Më fal Nafija ime, më fal” dhe më pas i puthte ballin, faqet, buzët, duart, trupin, çdo gjë. Ne e dinim, e ndienim në qenien tonë, që ajo e kishte falur, e tani e priste atje lart duke e dashur si gjithmonë. Kjo pamje ishte aq e dhimbshme sa e pabesueshme për një njeri si ai që kishte jetuar tërë jetën me kokën lart, pa iu përkulur askujt, madje as regjimit. Lotët tona bashkoheshin me lotët e tij, dhimbja jonë bashkohej me dhimbjen e tij duke krijuar kështu një lumë dhimbjesh për atë njeri engjëll. Kur arkivoli ishte vendosur në buzë të varrit, pas ceremonive të rastit nga seksioni i arsimit të Rrethit Pogradec, ai u përkul, puthi arkivolin e bëri kryqin mbi të. Në drekën mortore, ne vajzat i thamë: “Baba, si e bëre kryqin mbi arkivolin e mamit, feja është e ndaluar? E ai i humbur në pikëllimin e tij u përgjigj: “Më lini! Unë sot kam dhimbje, politika në dhimbje është falsitet!”. Edhe në këtë ndarje të përkohshme fizike, babai në heshtje apo në mërmëritje të thella shpirtërore, në meditime të gjata, e kishte me vete Nafijen, fliste, bisedonte e kërkonte e thoshte: “Ishte aq e mirë, nuk ma prishi kurrë!”.

 

A është botuar e gjithë vepra e Lasgush Poradecit?

Ne jemi përpjekur të botojmë gjithçka ka lënë. Në sensin që atë Dritë që ai ka lënë, duam ta përhapim. Por “errësirat” nuk duan. P.sh veprat e tij nuk i kanë futur në bibliotekat e shkollave. Dhe ky është një turp për një vend që po kujton se po ndërton një jetë të re.

 

Ka poezi të pabotuara?

Nuk ka poezi të pabotuara. Janë disa korrespodenca, shumë interesante dhe me vlera kombëtare.

“Kalthëruar te dit’ e re” / De Rada përmes shkrimesh në një ekspozitë në Bibliotekën Kombëtare / Shkrimet për mjeshtrin e letrave nga viti 1887-1944

Arshi Pipa, me shkrimin e tij të parë për De Radën më 1944-n, nis rrugëtimin e vet të jetës nëpër botën mallëngjyese deradiane, një aventurë leximplotë, të cilën do ta përmbyllë në vitet e largëta të mërgimit politik e kulturor

Jeronim De Rada“Lexime të hershme, por gjithnjë të reja.” Kështu i quan drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani, shkrimet e një prej figurave më të njohura të letërsisë shqipe përtej Adriatikut, Jeronim de Radës. Në kuadër të 200-vjetorit të lindjes së tij, Biblioteka Kombëtare i ka kushtuar një ekspozitë krijimtarisë së De Radës dhe gjurmës së pashlyeshme kulturore që ajo la në botën kulturore mbarëshqiptare. Përmes një prej vargjeve më mahnitëse te Jeronim de Radës, “Kalthëruar te dit’ e re”, varg i përshëndetur plot entuziazëm nga romantikët europianë më në zë të kohës, kjo ekspozitë sjell së pari një homazh bibliografik kushtuar veprës themeluese të lirikës dhe letërsisë moderne shqipe, “Këngëve të Milosaos”. Që nga botimi i parë më 1836-n, te botimet e punuara nga vetë autori dhe ribotimet e pandërprera që mbërrijnë deri te ky 200-vjetor kremtues, enigma e joshjes së kësaj poeme mbetet e paprekur. Rrugëtimi përmes saj dhe sfidës së kritikës për ta rrokur, kuptuar dhe interpretuar atë, na lejon të skicojmë gjurmën e thellë që ky “romanx dyfish lirik” la kulturalisht dhe estetikisht te secili brez lexuesish e studiuesish. Ajo mbetet vepra që mes emocionit dhe admirimit, kuptimit e moskuptimit, sendërton pragun tonë estetik në letrat shqipe. Por, në thelb, De Rada nuk rreshti së krijuari pragje kulturore, politike e ideologjike gjatë gjithë jetës. Përmes tyre, ai i printe rilindjes shpirtërore e politike të shqiptarëve të “atdheut të humbur”. “Një pjesë e eksponateve të përzgjedhura në këtë ekspozitë synojnë të theksojnë pikërisht këtë kontribut të çmuar e të pashoq, i cili, sa më i plotë bëhet vështrimi ynë mbi historinë kombëtare, aq më të plotë e përfton nderimin tonë. Imazhet e shumëllojshme që shoqërojnë materialin kryesisht libror, rreken të rezonojnë me botën arbëreshe përmes shijes së kujtesës etnografike, arkitekturore, religjioze e thellësisht identitare që kjo botë e hijshme i shpalos çdo lexuesi e vizitori. Prej hijeshisë së saj u mbrujt edhe shpirti e poezia e Jeronim de Radës së ri. E tillë mbeti ajo deri në çastin e fundit të jetës, të cilën, tërësisht si personazhi i vetvetes, Milosao melankolik, ai e la si në ëndërrëz …“, thotë drejtoresha e Bibliotekës Persida Asllani. Jo vetëm botimi i veprës së tij proliferike, por edhe ribotimet e ripunimet e shumta të kryera nga vetë autori e ato që do të vijnë më pas, përbëjnë një bibliotekë më vete, e cila shfaqet edhe më e pasur e aktive kur asaj i bashkëngjitet kontributi i vetë De Radës për shtypin arbëresh dhe botën kulturore shqiptare. “Duke riprodhuar në kremtim të 200-vjetorit të lindjes shkrimet më të hershme dhe interesante në shtypin shqiptar kushtuar artit dhe veprimtarisë së Jeronim de Radës, kjo përmbledhje anastatike (e përpunuar) fton drejt leximeve të hershme, por gjithnjë të reja. Në to shqiptohet dhe zë fill marrëdhënia e çmuar mes poetit dhe botës kulturore, në zanafillë të së cilës ai vetë qëndron. ‘Shqiptari i Italisë'(ose L’Albanese d’Italia), i themeluar po nga vetë De Rada, është gazeta e parë në historinë e shtypit shqiptar. Ashtu siç është i pari kulturalisht ‘romanxi dyfish lirik’ dhe krejt vepra poetike që e pason”, thotë Asllani. Nga shkrimi i parë i Frontsit të Kinigonjvet kushtuar De Radës, ende në jetë më 1887-n, tek e përmuajshmja dygjuhëshe “Arbri i rii”, deri tek eseja precioze e Arshi Pipës në mars të 1944-s tek e përditshmja mëngjesore “Bashkimi i kombit”, rrugëtojnë së bashku dhjetëra lexime, ndjeshmëri, perceptime e subjektivitete. “Që të gjitha në të tashmen e tyre dhe kjo është vetia më intriguese e gjestit shfletues të shtypit! Në të merr jetë adhurimi për atin shpirtëror të rilindjes kulturore e politike të botës shqiptare, respekti për plakun kokëfortë që rindërtoi dhe mbrojti deri në frymën e fundit një identitet, një gjuhë, një atdhe. Të shkruaje për të, ishte një akt nderimi, homazh, përulje e thellë”, thotë Asllani. Autor i domosdoshëm në librat shkollorë të çdo epoke, në faqet kritike e përkujtuese të shtypit shqiptar, por edhe sfidë e pasion i fuqishëm interpretimi për shumë studiues e kritikë të letrave shqipe, figura e Jeronim de Radës ripërkufizohet në këtë 200-vjetor të lindjes si themeluesi par excellence i letërsisë shqipe si e tillë. Në përurimin e kësaj ekspozite, studentë të Klubit të Dramëssë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë së Universitetit të Tiranës interpretuan në arbërisht një kolazh nga dialogët e dramatizuara të “Këngëve të Milosaos”, kolazh i cili është edhe kolonë zanore e pjesshme e ekspozitës, së bashku me elemente muzikore të këngëve dhe valleve arbëreshe. “Te hijeshia e ligjërimit poetik deradian lindte një ndjeshmëri e re letrare, një estetikë e re moderne që edukonte shqisën e së bukurës përmes sugjestionit dhe intuitives. Kangjelet e Milosaos botohen e ribotohen intensivisht. Ajo me numër XXII, me vargun identifikues ‘Uljem po s’dua të fjëë’ shndërrohet nga viti në vit në një hit absolut poetik. Dhe i tillë ka mbetur. Të shkruaje për De Radën do të thoshte të rezonoje me të, por edhe të shkruaje me të, ta ndieje deri në identifikim, e ndoshta ta kuptoje herë-herë deri në moskuptim. I tillë është arti, i tillë De Rada!”, thotë Asllani. Sipas saj, hartografia e kësaj jete kulturore brenda gjurmës historike të vendbotimeve të gazetave e revistave i përngjan një atlasi botëror që shtrihet nga Palermo, Roma, Palagorio e Katanxaros, Londra e Sofja deri te Bostoni, Nju Jorku, Vjena, Konstanca e Bari. E po kështu përvijohet edhe një atlas shtetëror nga Shkodra, Gjirokastra e Korça te Vlora, Elbasani e fuqimisht Tirana. “Asnjëherë më parë e më pas në letrat shqipe e në shtypin shqip nuk qe kremtuar e nuk do të përkujtohej më 100-vjetori i botimit të një vepre letrare. Dhe kjo ndodhi me ‘Këngët e Milosaos’, nën penën e Karl Gurakuqit. Një numër i plotë përkujtimor do t’i kushtohet më 1938-n. Asnjëherë më parë debati filologjik nuk qe ndezur me aq pasion për të shtjelluar potencialet kuptimore të një teksti poetik. Interpretojnë dhe e çmojnë sivëllezër shkrimtarë si Faik Konica, Zef Skiroi, Luigj Gurakuqi, Sterjo Spasse e Kristaq Cipo. Hedhin themelet e studimeve deradiane e arbëreshe studiues të rinj asajbote, si Eqrem Çabej, Namik Resuli, Izet Bebeziqi, Ziaudin Kodra e Arshi Pipa”, thotë ajo. Pipa, me shkrimin e tij të parë për De Radën më 1944-n, nis rrugëtimin e vet të jetës nëpër botën mallëngjyese deradiane, një aventurë leximplotë, të cilën do ta përmbyllë në vitet e largëta të mërgimit politik e kulturor. Në këtë përvjetor është shënuar dhe botimi anastatik antologjik “Jeronim de Rada dhe shtypi shqiptar 1887-1944”. Ky botim anastatik shënjon një homazh që dy bibliotekat kombëtare të Shqipërisë dhe të Kosovës ndërmarrin në kremtimet e 200-vjetorit të De Radës. “Ai është menduar si një antologji e përzgjedhur e shkrimeve dhe komenteve më të bukura kritike të botuara në shtypin kulturor shqiptar, duke sjellë kështu në vëmendjen e publikut jo vetëm kontributet e kritikës përmes emrave më të spikatur të saj, por edhe ndjeshmërinë e veçantë që gëzonte vepra dhe emri i De Radës në botën kulturore shqiptare deri në vitin 1944”, thotë Asllani. Hartimi i bibliografisë “Jeronim de Rada në tekstet shkollore shqiptare 1912-2014”, nga një bashkëpunim mes Bibliotekës Kombëtare dhe Fakultetit të Histori-Filologjisë, kryesisht Shkollës Doktorale në Departamentin e Letërsisë kurorëzohet jo vetëm me një studim të thelluar mbi De Radën dhe veprën e tij në tekstet shkollore, qofshin botime apo ribotime të periudhave të ndryshme të pas 1912-s, por edhe me një bibliografi, e cila do të shërbejë si burim informacioni dhe vijim i hulumtimeve të mëtejshme mbi De Radën. Nëpërmjet kësaj bibliografie, arrihet identifikimi i pranisë së De Radës në tekstet shkollore të periudhës 1912-2014.

Botohet kolana e plotë e veprës së një prej figurave më të njohura të letërsisë arbëreshe, Jeronim de Rada

Kolana e vepres se De Rades“… Dëgjohet një kambanë. Është kambana e Kishës së Shën Adrianit, në Shën Mitër. Duke u kthyer, njëri prej miqve të mi, Pino Cacozza, pa hyrë mirë në qytet, ndalon makinën poshtë një bliri dhe më rrëfen. Ishte pranverë kur vdiq De Rada. Ishte një ditë e bukur plot diell, ja si sot, lulet e këtij bliri kishin çelur më shumë se çdo herë tjetër. Kortezhi i përmotshëm kalonte duke mbajtur De Radën në krahë e duke e shoqëruar atë në banesën e fundit. Atëherë nuk bëheshin kurora me lule. Në të kaluar, sapo trupi i De Radës u gjet poshtë blirit, një erë e fortë fryu sinuk kish fryrë kurrë herë tjetër, dhe e mbushi arkivolin e hapur të De Radës plot lule. Njerëzit e tronditur nga kjo përkujdesje hyjnore lëshuan një britmë e njëherazi thanë: De Rada ynë i madh dhe hyjnor po ikën në krahët e Zotit!” – kështu e kujton arbëreshi Pino Cacozza përcjelljen për në banesën e fundit të një prej personaliteteve më të mira të letrave shqipe përtej Adriatikut, Jeronim de Radën. Gjithë jetën e tij, djaloshi pasionant i Napolit, ia kushtoi dashurisë që i vinte nga brigjet përtej, duke hedhur në vargje atë çka i vinte nga shpirti, për ta ruajtur gjuhën e të parëve dhe duke e përsosur atë. I botuar pjesërisht gjatë regjimit komunist në Shqipëri, tashmë De Rada “u kthye” në shtëpi. Vepra e plotë e publicistit, poetit dhe studiuesit tashmë mund të lexohet e gjitha në shqip, në një kolanë prej gjashtë botimesh. Vepra e plotë u prezantua dje në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në kuadër të aktiviteteve kushtuar 200-vjetorit të lindjes së tij. Ajo është përgatitur nën drejtimin e prof. Francesco Altimari-t, me koordinator botues prof. Matteo Mandala, me bashkëpunimin e Vincenzo Belmonte-s dhe Fiorela de Rosa, botuar me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë, Ministrisë së Kulturës të Kosovës, Universitetit të Kalabrisë dhe Fondacionit “Francesco Solano”. Prof. Jorgo Bulo e ka quajtur këtë botim një ngjarje të vërtetë kulturore. Me këtë botim, De Rada ‘kthehet’ te dheu mëmë, jo me një monument prej bronzi, që për fat të keq na mungon edhe sot, por me veprën monumentale poetike të këtij rapsodi gjenial të kombit, që me këtë vepër vuri themelet e letërsisë kombëtare të shqiptarëve. Themelimi i letërsisë kombëtare, vepër njëkohësisht kulturore dhe kombëtare, përqendrohet te dy burra: De Rada në Itali dhe Naimi Frashëri në vendin mëmë, thotë profesor Çabej. “Ka qenë kjo një nga arsyet që De Rada të jetë një autor i studiuar dhe i botuar jo pak pas luftës këtu, në Kosovë dhe tek arbëreshët, por asnjëherë integralisht në këto përmasa dhe me këtë nivel të saktësisë, autenticitetit dhe interpretimit filologjik të tekstit”, tha prof. Bulo. Sipas tij, botimet e viteve të fundit të arbëreshëve kanë hapur një udhë të re në fushën e botimeve kritike të teksteve të traditës. “Nuk ka dyshim se botimet e kësaj natyre, jo vetëm që plotësojnë një kërkesë dhe një zbrazëti për njohjen e plotë të veprës së klasikëve tanë nga lexuesit, studentët, njerëzit e letrave dhe publiku i interesuar, por përfaqësojnë edhe për studiuesit e këtyre fushave një përvojë të re, të çmuar, që lë pas diletantizmin tekstologjik dhe shënon një standard të lakmueshëm për t’u arritur, një pikë referimi që vë përpara një përgjegjësie të lartë shkencore çdo projekt në fushë të albanistikës dhe të promovimit të trashëgimisë sonë letrare, si një pasuri dhe vlerë identitare e kombit. Nga ana tjetër këto botime, si dhe ky që kemi në dorë, me veprën poetike të De Radës në të gjithë variantet dhe redaktimet e autorit, dëshmojnë se filologjia bashkëkohore synon përtej tekstit të konservuar”, tha Bulo. Sipas tij, De Rada nuk është vetëm një poet i madh, por edhe një themelvënës i madh, themelvënës në disa fusha të krijimit shpirtëror dhe të veprimit kombëtar. Me veprën e tij poetike, ai hodhi hapin e madh të shkëputjes nga letërsia utilitare didaktike në letërsinë e shprehjes së përjetimeve subjektive të individit, nga faza parakombëtare në fazën kombëtare të letërsisë dhe të kulturës së shqiptarëve. “De Rada është kështu një pararendës i madh, që me ‘Milosaon’, para mesit të shekullit XIX, përuroi epokën moderne të letrave shqipe, duke sjellë i pari në to frymën dhe format e romantizmit me bukurinë magjike të verbit poetik të shqipes, në një kohë kur asaj, siç shprehej poeti, ‘i qe këputur më se një tel’. Me forcën e tij gjeniale krijuese, De Rada i lidhi fijet e këputura të gjuhës së vet amtare, siç desh të lidhte dhe hallkat e këputura të poemës kombëtare të shqiptarëve duke u dhënë atyre eposin e jetës së tyre historike e shpirtërore, të shestuar në përmasat e një afresku gjigant, me Skënderbeun e pafan dhe Këngët e Serafinës, një afresk të vizatuar herë me penelata lirike, herë me tone dramatike e herë me ngjyra tragjike, siç kish qenë edhe fati i tyre”, u shpreh Bulo. Gjithë ekzemplarët e shtypur të veprës së Jeronim de Radës, do t’u dhurohen bibliotekave në mbarë vendin, si edhe institucioneve të tjera të rëndësishme të lidhura me kulturën.

box

Ledi Shamku

Mirë se u ktheve!

U ktheve më në fund në dheun amë o himarjot! Jam kaq e lumtur, e prekur, e zdritur, e paduruar të të takoj! O himarjoti më i bukur i gjuhës sime po aq të bukur! U ktheve në gjithë shkëlqimin tënd! Për herë të parë botohesh i plotë dhe i gjithi në arbërisht. Çabej thosh për ty se ti ishe esteti më i madh i fjalës shqipe, por kur unë shkoja në shkollë, Çabej nuk rronte më dhe mua më ngucnin në dorë botimet e tua demek të përshtatura e të tjetërsuara gjuhësisht e artistikisht, jashtë çdo parimi filologjie, pa asnjë dije filologjike. Dhe ta mendosh që po studioja në Fakultetin e Filologjisë!!!
Tash të kam të gjithin të pacenuar, të plotë në hirin e fjalës sate. Të kemi të gjithë të gjithin!
Si thoshe ti për kohën e Gjergj Kastriotit? Moti i Madh? Ky për mua është prapë Moti i Madh – kam mundësi të takohem me ty pa dragomanë në mes, e të fjalosemi gjatë, shumë gjatë, për çka arbrit nuk e borën kurrë e tash na e risjellin si dorëzani besnike. Mirë se u ktheve i brishti qëndrestar arbëror! Kam mall për ty!

Loading