nga Admin

8 Janar, 2015

Konspiracion

Klubi i Shkrimtarëve amerikanë ka bërë publike në një studim të vetin me pjesëmarrje mbarëbotërore, se “engjëjt” dhe “idhujt” e milionave njerëz, kanë frikë se mbikëqyren dhe përgjohen. Paranoja në fjalë po lulëzon madje edhe në Perëndim. Një frikë e pamotivuar? 

Lufta e Ftohtë duket se po troket sërish. Autorët në mbarë botën ndihen të mbikëqyrur nga shërbimet inteligjente. Ata kanë frikë se i gjurmojnë. Kur shkruajnë, kur kryejnë telefonata, në daljet publike. Madje edhe ndërsa mendojnë disa nga autorët shprehen se nuk ndihen të lirë. Ky përfundim është arritur sipas një studimi të Shoqatës apo Klubit të Shkrimtarëve “PEN America”. Studimi përmban përgjigjet pas pyetjeve që i janë bërë nga kjo shoqatë, klub apo lidhje shkrimtarësh, 772 autorëve nga 50 vende të ndryshme të botës.

Studimi i klubit PEN, e ndan botën në tri pjesë. “Vende të lira”, “jo plotësisht të lira” dhe “vende jo të lira”. Logjike që shkrimtarët e krijuesit në vendet “jo të lira” ndihen jo të lirë. Por edhe në vendet e cilësuara si “të lira”, si në Europën Perëndimore dhe në SHBA, autorët e librave kanë frikë nga ndonjë survejim i mundshëm.

Një e treta e të pyeturve në sondazh pohojnë se më shumë se një herë kanë preferuar ta shmangin konfrontimin, domethënë të shkruarin e një temë pikante. Po aq të tjerë thonë se vetëcensurohen nëpër e-mail-e e telefonata. Dhe, edhe në aktivitetet e mediave sociale, shkrimtarët duket se janë shumë të tërhequr. Nëse kjo i dedikohet vetëm “vëmendjes” maksimale që shumë nga autorët kanë kundrejt platformave si Tumblr, Twitter apo Instagram, kjo në studim nuk nxirret në pah.

“PEN America” citon për shembull autorin postmodernist E. L. Doctorow. “Shkrimtarët janë si zogj kanarinash në një minierë qymyrguri mbitokësore”, ka thënë ai. Do të thotë se: ata reagojnë ndaj ndryshimeve politike e shoqërore më me ndjeshmëri sesa të tjerët, janë një lloj sistemi paralajmërues.

Ku për shkrimtarët me ç’duket bëhet fjalë për një lloj të veçantë frike, një kryqëzim të zogjve të kanarinave, papagajve dhe atyre të pulave me shumë gjasa. Të atij lloji janë dhe autorët aktualisht, ata të cilët nuk kanë dashur të plotësojnë formularët e dërguar nga “PEN-America”. Pasi ka qenë e mundur, shkruante njëri prej të pyeturve, që shërbimet inteligjente t’ia shihnin atyre përgjigjet.  Dhe… “të shprehësh ato lloj mendimesh kritike për shërbimet sekrete, në këto ditë është tejet e rrezikshme”.

Në fakt, është pak e mundshme që shërbimet inteligjente ndërkombëtare të harxhojnë aq shumë energji me shkrimtarët, sa ç’do të harxhonin për shembull me islamistët, apo me krerët e qeverive. Thuajse shumë i prekshëm është fakti se: agjentët e regjur nga Londra, Langley, (Virginia) apo Pullach (në Bavarinë e Epërme), të marrin edhe leksione për semiotikën dhe letërsinë postmoderne të adoleshentëve.

Të jenë ata që hasen nëpër cepa universitetesh, nëpër mensa studentore e salla leksionesh për të gjuajtur për ndonjë rekrut të mundshëm. Nga ata të cilët diskutojnë plot zell për traktate mbi sigurinë e lartë, apo mbi perspektivat e rrëfimit dhe përzierjet mes fakteve historike dhe fiksionit letrar në veprën e E. L. Doctorow, për shembull.

Ata të cilët ndonjëherë bëjnë që ndonjëri edhe të zhduket, pasi ai e ka interpretuar “Ragtime” apo “Billy Bathgate” plotësisht ndryshe dhe në një mënyrë të re.

Dhe ky do ishte vetëm hapi i parë. Pasi njerëzit e NSA-së amerikane të MI5-ës britanike, apo të BND-së gjermane, nuk duhet vetëm të gjenin se çfarë shkruajnë e thonë shkrimtarët, por edhe se çfarë ata, nga frika e shërbimeve sekrete, nuk e thonë, apo nuk mund ta shkruajnë dot.

Ata duhet të gërmojnë fort nëpër depo vjetërsirash, atje ku gjenden romane të hedhura tej e të gjejnë ndonjë shënim të bërë me dorë, duke e risjellë atë në jetë.

Ata duhet të gërmojnë nëpër banesa e skrivani, linja telefonike e biseda virtuale, e të nuhasin diçka nga pauzat apo heshtja në mendimet e shkrimtarëve. Ata duhet të sjellin dëshmi, atë se çfarë shkrimtarët nuk e mendojnë, sepse nuk guxojnë ta mendojnë. E këtë pastaj ta diskutojnë me shefin për të gjetur jo “known unknowns”(të paditurat e ditura), por “unkown unknowns” (të paditurat e paditura).

Mund të ndodhë që autorët amerikanë dhe ata europianoperëndimorë, të kenë vërtet frikë nga shërbimet inteligjente (dhe te disa të tjerë, më të paktë, frika madje mund të duket si e justifikuar). Por një copëz e mirë ëndrre në sirtar, luhet edhe në vetë thelbin e letërsisë, e cila trajton shumë mite të vjetra e metafora, duke e bërë atë të rrezikshme e plot mesazhe “të fshehta”.

Se shkrimtarët kanë diçka në kokë, nëse mund ta themi qartë e prerë, që bën të rrëzohet edhe bota nga themelet. Pakëz nga ajo kokë, si ajo që e para një gjysmëshekulli, kur një botues italian me emrin Giangiacomo Feltrinelli, nxori kontrabandë një dorëshkrim të Boris Pasternakut, për të nxjerrë më pas në dritë romanin e famshëm “Doktor Zhivago”.

Një rrezik realpolitik i atij lloji, në ditët e sotme nuk duket më i justifikuar për letërsinë. Për t’u bindur për këtë pretendim, pra që autorët amerikanë dhe ata europianë nuk paraqesin asnjë rrezik e nuk u kanoset asnjë problem, shërbimet inteligjente duhet të mos përgjojnë asnjë telefonatë e të mos gërmojnë në asnjë depo vjetërsirash. Ata kësisoj nuk duhet madje as të lexojnë edhe libra. Një vështrim i shkurtër mbi 100 librat më të lexuar tek rrjeti i famshëm Amazon, apo në një tjetër listë preferencash letrare, të bën të besosh të kundërtën. A.P.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>