nga Admin

24 Janar, 2015

Hapet sot Muzeu i Përgjigjeve 

shtepia e gjetheveShtëpia dikur misterioze e njohur si “Shtëpia e gjetheve” tashmë do të jetë një muze publik. Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve të Kulturës në bashkëpunim me Arkivin e Ministrisë së Brendshme, Shërbimin Informativ Shtetëror, ekspertë të jashtëm, arkitektë, muzeologë apo dëshmitarë të asaj periudhe, të cilët “kanë prekur” konkretisht veprimtarinë e sigurimit të shtetit, kanë rizbuluar objektet brenda saj, për t’i dhënë një formë tjetër, për t’u prezantuar sot për publikun. Një nga kuratorët e kësaj shtëpie është dhe djali i ish-kryeministrit Bashkim Shehu, i cili prej ditësh po punon për të ngjizur idetë që do t’i shkonin një muzeu të diktaturës. Ideja për të shndërruar godinën “Shtëpia me Gjethe” në një muze publik që përkujton dhunën psikologjike të regjimit komunist e kontrollin e qytetarëve përmes përgjimeve të kryera nga Sigurimi i Shtetit, do të krijojë një muze të veçantë tipologjik, me interes për vizitorët vendas dhe të huaj, si edhe do të pasurojë më tej rrjetin e muzeve kombëtarë në Shqipëri. Objekti, i ashtuquajtur “Gjethi”, me adresë, Rruga “4 Shkurti”, Tiranë, është një objekt i spikatur nga pikëpamja e veprimtarisë dhe e pamjes së tij gjithmonë misterioze, përfaqësuar në këtë rast nga Sigurimi i Shtetit. Ky objekt, gjatë periudhës së diktaturës komuniste në Shqipëri ka shërbyer si, “Seli qendrore e drejtorisë së pestë (teknika operative) të Sigurimit të Shtetit”, duke fshehur brenda saj një merimangë të sofistikuar aparaturash spiunazhi nga më modernet për kohën. Pas rënies së regjimit komunist në vitin 1991, dhe me shpërbërjen e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, ky objekt u shndërrua në selinë e Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK), e më pas të Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), duke funksionuar nga pikëpamja praktike si qendër përgjimesh deri në vitin 1998. Më pas objekti pushoi së funksionuari duke mbetur deri në ditën e sotme i mbyllur, pa funksion parësor, në pronësi gjithsesi të SHISH, sot me VKM nr. 468, dt. 22.07.2014 në pronësi të Ministrisë së Kulturës. Nga pikëpamja historike, ky objekt është një pasqyrë reale e diktaturës në Shqipëri, e cila krahasuar me diktaturat e tjera të bllokut lindor, ka qenë unike sa i përket ashpërsisë, vrazhdësisë dhe përfshirjes në përgjim të pjesës më të madhe të popullsisë, gjë që në dekadën e fundit solli  izolimin maksimal të vendit, duke kontribuar kështu në rritjen e nivelit të paranojës në vend në radhët e udhëheqjes politike, por edhe në njerëzit e thjeshtë. Në Shqipëri si në çdo vend tjetër të bllokut lindor, shërbimet sekrete, kanë luajtur një rol dominues në jetëzgjatjen dhe sundimin 45-vjeçar të regjimit komunist. Me krijimin e saj, pas çlirimit të vendit, Drejtoria e Sigurimit të Shtetit ishte mjaft agresive dhe efektive në përgjimin dhe survejimin e njerëzve të pushtetit, gjithashtu edhe të  popullatës shpesh duke abuzuar e hamendësuar për armiqtë e shumtë imagjinarë. Një pjesë e mirë e aparaturës teknike dhe materiale të shumtë, të përdorur në atë periudhë nga Drejtoria e Sigurimit të Shtetit, janë të magazinuar dhe të arkivuar në ambientet e kësaj godine dhe në arkiva të posaçëm. Pjesa dominuese e këtyre aparaturave nuk përdoren më nga SHISH. Ato janë aparatura të fushës së teknikës operative, kryesisht, kamera, monitorë, incizues, përforcues, laboratorë fotografikë, kimikë, radio- marrës, kompjuterë e deri te veglat e thjeshta që përdoreshin nga agjentët për të kryer atë lloj veprimtarie. Duke qenë se kjo godinë dhe këto materiale, akoma në mister, paraqesin interes mjaft të veçantë për qytetarin, potencialisht vizitor i këtij Muzeu nesër, si edhe duke ditur interesin e veçantë të vizitorëve të huaj për këtë periudhë të bunkerizuar të historisë së Shqipërisë, shprehim bindjen se ngritja e një muzeu të tillë, do të ngjallë shumë interes, duke u kthyer në të ardhmen një nga atraksionet e spikatura të Tiranës. Nga pikëpamja historike ky objekt u ndërtua fillimisht për të shërbyer si klinikë mjekësore. Në këtë godinë lindi princi trashëgimtar, Leka Zogu, pak ditë para se Shqipëria të pushtohej nga Italia fashiste. Gjatë pushtimit gjerman kjo godinë ka shërbyer si seli e Gestapos. Pasi u përdor në vitet e para të regjimit komunist si godinë e hetuesisë ku torturoheshin e merreshin në pyetje kundërshtarët e regjimit komunist, ajo u shndërrua në një ambient të zhvillimit të veprimtarive nga Sigurimi i Shtetit prej nga realizoheshin përgjime dhe kontrolle të korrespondencës për qytetarë vendas apo të huaj në Shqipëri.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>