nga Admin

9 Maj, 2012

Damka e turpit, Nathaniel Hawthorne

Damka e turpit, Nathaniel HawthorneAlda Bardhyli – Ester Prini e di ç’është dashuria.

Gruaja e njohur e Salemit prej vitesh mbante mbi gjoks shenjën e saj. Një hajmali e kuqërremtë, që e veçonte nga pjesa tjetër e njerëzisë dhe e mbyllte brenda një rrethi plot fshehtësi.

Ky ishte dënimi që ajo duhet të mbante gjithë jetën në trup për mëkatin e bërë. Ajo dashuroi pastorin me të cilin pati një fëmijë, duke tradhtuar të shoqin, një njeri në kërkim të shkencës. Mëkati i Esterit do të merrej vesh shpejt nga komuniteti i Salemit, pas lindjes së fëmijës. E ndodhur përballë presioneve të Gjykatës Supreme, për të treguar emrin e njeriut me të cilin kreu mëkatin, Ester Prini nuk e bëri asnjëherë, duke pranuar të mbante mbi trup përgjithmonë atë damkë turpi, dhe duke e mbajtur si sekretin e saj më të bukur emrin e tij. Kjo është me disa fjali historia e një prej personazheve më të dashura të letërsisë amerikane, Ester Prinit, një histori e cila tashmë ka ardhur dhe në shqip nën përkthimin e Amik Kasoruho.

Damka e turpit”, libri që udhëhoqi revolucionin e romantizmit të errët vjen sot, kaq shekuj më pas, si një histori e vërtetë pasioni për moralin dhe shoqërinë. Ngjarjet e Salemit të dikurshëm, ku forca e mentalitetit të pazhvilluar të shoqërisë ndryshuan tërësisht jetën e një gruaje, vijon të japë leksione edhe në shekullin XXI. Ka diçka të magjishme në sekretin e Ester Prinit, që ndoshta vjen nga dashuria e parealizuar brenda saj, e cila vijon të shpresojë deri në momentin e vetëvrasjes së pastorit. E shkruar plot stil nga Nathaniel Hawthorne, “Damka e turpit” është një libër që të bën ta duash që në rreshtat e para. Edhe pse nuk është një histori e zakonshme dashurie, ai është një rrëfim për rolin e femrës në shoqëri dhe njohjen e të drejtave të kësaj gjinie. Mëkati i Ester Prinit është dhunimi historik i këtyre të drejtave, që kanë buruar nga konservatorizmi. Por si mbërriti historia e kësaj gruaje të ndjeshme të Salemit në studion e shkrimtarit? Në shënimet që ka lënë pas, pas kthimit të kësaj vepre në një nga librat më të lexuar të të gjitha kohërave, Nathaniel tregon se shtysën për të shkruar këtë histori e ka marrë gjatë kohës kur punonte në një zyrë doganore. “Një ditë më ra në dorë një fashikull i hollë dokumentesh, të mbështjella me pergamenë. E hapa dhe pashë që ishte një certifikatë e dhënë nga guvernatori i Masaçusetsit, një të quajturi Xhonatan Pju, mbikëqyrës në doganën e madhërisë së tij në Portin e Salemit. Ajo që më ngjalli kërshëri në atë pako misterioze, ishte një kind stofi, ngjyrë alle… Ai ruante gjurma qëndisjeje me fije ari, që nuk kishin kurrfarë shkëlqimi, por mjaftonin për të dëshmuar mjeshtërinë e asaj që i kishte punuar… I kredhur siç isha në soditjen e asaj germe ngjyrë alle, nuk i kisha kushtuar vëmendje një rrotulle të vogël letre, rreth së cilës ishte palosur. E hapa letrën dhe gjeta shpjegimin e plotë të misterit. Në ato fletë, kujdestari fliste me shumë hollësira për jetën e njëfarë Ester Prinit….” Dhe… ato fletë do ta kthenin sërish shkrimtarin brenda Hawthorne, i cili duke ringjallur Ester Prinin, do të ringjallte shpirtin tek mijëra lexues…

Nathaniel Hawthorne është një romancier i njohur amerikan dhe shkrimtar i rrëfimeve të shkurtra. Ai lindi në vitin 1804 në qytetin e Salem Massachusetts. Ai ishte pasardhës i John Hathorne, një gjykatës i njohur i Salemit, për gjykimet e tij fatale. Për të fshehur këtë pjesë të së shkuarës së tij familjare, ai vendosi një Ë në mbiemrin e tij. “Ka një lloj sugjestioni moral, që lidhet me figurën e më të parit të fisit tim, i cili, i madh dhe i frikshëm, sundoi mbi shpirtin tim kur isha fëmijë, sepse të tillë e paraqiste tradita familjare. Ishte ushtar, ligjvënës, gjykatës, pjesëtar i klerit dhe i kishte të gjitha cilësitë e mira dhe të këqija, të puritanëve të kohës së tij”, thotë Hawthorne për të. Në vitin 1821 ai nisi studimet në Kolegjin e Bowdoin dhe u diplomua në vitin 1825. Veprën e tij të parë e botoi më 1828-n si anonim dhe e quajti “Fanshawe”. Në shtypin e kohës botoi një sërë tregimesh të shkurtra, të cilat më vonë do t’i mblidhte në një libër. Pas studimeve ai njihet dhe me Sofia Peabody, me të cilën do të lidhte kurorë në vitin 1842. Çifti u shpërngul për të jetuar në shtëpinë e vjetër të një prifti në Concord, Massachusetts. Në këtë shtëpi, ku ndau vitet e para të dashurisë me Sofian, ai shkroi pjesën më të madhe të veprave të tij. Ashtu si Hawthorne, një njeri i tërhequr nga jeta publike dhe i dhënë më tepër drejt botës që vetë krijoi të të shkruarit, edhe Sofia kishte një tip të ngjashëm me të. Para se të takonte Hawthorne ajo vuante nga migrena dhe pjesën më të madhe të kohës e kalonte në shtrat. Martesa e tyre ishte e gjatë dhe e lumtur sipas shënimeve që ka lënë pas shkrimtari. “Ajo është miku im më i mirë. Që kur e takova nuk ka më vend bosh në mendjen dhe zemrën time. Falë Zotit dhe unë mjaftoj për zemrën e saj të pafund”, shkruan ai. Ndërsa në një nga shkrimet e saj, Sofia shkruan: “Jam gjithnjë e përkulur para një pasurie të madhe që kam pranë, e cila është Nathaniel. Unë i adhuroj veprat e tij, pasi aty gjej mendime të mrekullueshme”. Në vitin 1950 ai botoi veprën e tij më të njohur “Damka e turpit”, e cila u pasua me një sërë novelash. Suksesi i veprave të tij e bënë Hawthornen një shkrimtar autoritar, duke fituar një pozicion të kënaqshëm në arenën social-politike të kohës. Hawthorne vdiq më 19 maj 1864 dhe la pas gruan dhe tre fëmijët. Në pjesën më të madhe të veprave të tij ndihet një alegori morale dhe një frymëzim puritan. Veprat e tij romantike janë konsideruar si protagoniste në lëvizjen e romantizmit të errët amerikan. Temat e tij kanë në qendër të keqen, mëkatet njerëzore dhe shoqërohen nga frymëzim i lirisë njerëzore, dhe një mori situatash psikologjike të personazheve. Por nëse sheh me kujdes jetën e Nathaniel, kupton se letërsia që ai shkroi, është historia e vërtetë e Salemit, e qytetit, dikur të mërzitshëm me shtëpi prej druri dhe me rrugët që të nxjerrin që të gjitha në vendin që të ngushton zemrën…

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>