Shkrim: Bolero në vilën e pleqve, Fatos Kongoli

Shkrim: Bolero në vilën e pleqve, Fatos Kongoli

Përshëndetje miq të librit,

Bolero ne vilen e pleqve, Fatos KongoliNjë mikesha jonë pati mirësinë të na kalonte një shkrim mbi vepën e shkrimtarit të mirënjohur Fatos Kongoli “Bolero në Vilën e Pleqve”. Ju urojmë lexim të këndshëm…

“Nuk e bleva, ma dhanë me të drejtë kthimi. Unë thjesht evidentova faktin që është romani i fundit i Kongolit. Po të mos ma jepnin, do ta blija. Jo dhe aq për çmimet ekonomike që shoqërojne gjithnjë veprat e këtij autori, ide brilante e ndonjë specialisti marketingu kjo, por për shijen e pazëvendësueshme që më lenë këto vepra.

E dua Kongolin. Në fakt dua shumë dhe Kinën, ku ai ka studiuar.

Arsyet që një lexues të dojë aksh shkrimtar mund të jenë të shumta dhe deri këtu nuk po bëj të ditur ndonjë çudi, por në marëdhënien time me Kongolin është vetëm një:

Unë shpesh jam si personazhet e tij. Nuk ndjehem, por Jam. Kjo përbën diferencën…

Arsyeja do ta kërkonte që afiniteti im me librat e Kongolit të kishte si shkak gjuhën e përdorur nga shkrimtari, figurat letrare, krahasimet, aftësitë narrative të ngjarjes, rrethanat, vendet e ngjarjes e ku di unë ç’tjetër. Në rastin tim ka një arsye shumë më të thjeshtë e shumë më primitive, ngjashmëria me të paktën një prej personazheve të tij, në çdo vepër. Dhe kjo, në mos qoftë patjetër gjë e mirë, është ngazëllyese për mua.

Nder librat e parë (Ne të tre) i Kongolit më ka rënë në dorë krejt rastësisht, jo ashtu rastësisht siç thuhet rëndom në të tilla rrëfime, si p.sh. në ato raste kur intervistohet një aktor i famshëm dhe del që është bërë i famshëm “rastësisht”, apo që filan filozof i madh, në momentin që i festohet 200 vjetori i vdekjes, i dekonspirohet fakti shumë pikant që i qenkërkesh afruar krejt “rastësisht” filozofise, e gjëra të tilla.

Rastësia me librin e parë për mua, të Kongolit, kishte të bënte me rrethanat pasi unë isha tepër e vogel, dhe jo me faktin që ishte një liber. Unë kisha vite që kisha filluar një marëdhënie me librin, kuptohet të përzgjdhur nga të mëdhenjtë.

Nëna ime, mësuese nga profesioni, këtë libër ja mori nje nxënëses së saj si ndëshkim për mosvëmendjen në klasë. Proces ky, shumë i njohur dhe fort i aplikueshëm në shkollat tona, ku të dyja palët (mësues-nxënës), janë përfshirë gjithmonë me zell.

I ngelur në çantën e nënës, romani tërhoqi vëmendjen e sime motre dhe times. Ja nga mënyra tepër intriguese sesi na kish rënë libri në dorë, ja nga përmbajtja e tij, impakti i romanit ka qenë i papërshkrueshem, Sot e kësaj dite, ne jemi në gjendje të riprodhojmë copëra të tëra nga ai.

Ky do të ishte veç fillimi, përveç autorëve të tjerë të preferuar pikërisht për të njëjtat arsye, Kongolin do ta ndiqja hap pas hapi, në çdo vepër të re të tij.

I fundit , “Bolero në Vilën e Pleqve“, u lexua me të njëjtin temp frymëmarrjeje, si në rastin e të parit. Ashtu sikurse nxënësja para shumë vitesh që e mori në klasë, unë përsërita historinë, në rrethana të ndryshme. E mora librin në punë, dhe nëse nxënëses i duhej të binte dakort me shoqen që të mbante shpinën drejt gjatë mësimit për ta mbuluar, unë duhet të llogarisja mirë këndin e kompjuterit, të shaja me vete një copë herë fatin e keq që nuk kam një Desk-Top por një  Lap-Top dhe pastaj të mendoja me qartësi edhe pozicionin e trupit.

Pozicioni proverbial i trupit dhe kokës së strucit kur do të fshihet në rastin tim vlente shumë, por askush s’më ra në sy.

Edhe unë me të përfunduar romanin, nuk e kurseva emocionin e përftuar. Në fund të orarit zyrtar u bëra një përmbledhje të shpejtë të ngjarjes, kolegëve që ndajmë zyrën, duke i lënë të murmurisnin me vete  dhe duke artikuluar shprehjen super standarte në të tilla raste po shpesh e vërtetë dhe që po kaq shpesh shoqërohet me shikime të picërruara në një pikë: ëëë duhet marrë në fakt, duhet lexuar.

Në opinionin tim, në fakt nuk gjen kurkund asnjë përjetim konkret për këtë roman, do ishte e padrejtë dhe unë druaj se s’do të jem në gjendje. Por unë parapëlqej stilin e përdorur nga Homeri, i cili nuk foli kurrë për bukurinë e Helenës së Trojës, por përshkroi gjatë mbresat që bukuria e saj la në Trojanët që e prisnin në bedena… ”

Klikoni këtu për një listë më të plotë me libra të tjerë nga Fatos Kongoli

  • valmira

    Me kete lloj komenti per kete veper ,nuk kam se si mos e shtoj kete liber ne shporten time.:-)))

  • MARINA

    FATOSI ………I JASHTEZAKONSHEM
    ME NJE AFTESI TE MADHE NARRATIVE …..
    NGELET SHKRIMTARI IM I PREFERUAR

  • xhelal

    po mendoj se fatos kongoli me romannin e tij”Ne te tre” per femije ka terhequr shumer njerez

  • http://megigi megi

    une mendoj se fatos kongoli me veprat e tij ka magjepsur cdo kend qe i ka lexuar keto vepra te mrekullueshme ,sepse brenda ketyre veprave gjejme nje pjese te relitetit qe jetojme cdo dit.