nga Admin

12 Shtator, 2014

Dukuria

Ditarët kanë ekzistuar që nga lashtësia në kulturat e Lindjes së Mesme dhe më pas në Perandorinë Romake. Që nga librat personalë të zonjave japoneze, deri te shënimet e udhëtimeve, ditari ka fshehur sekretet më të ethshme të njerëzimit

Nga Maria Popova

Shkrimtaret dhe ditari“Nëse dëshiron të shkruash, duhet të mbash një ditar të ndershëm dhe të papublikuar, që askush nuk e lexon, askush veç teje”, këshillonte Madaleine L’Engle në këshillat e saj për shkrimtarët e ardhshëm. W. H. Auden një herë e përshkroi ditarin e tij si një “disiplinim të përtacisë së vet dhe mungesës së vëzhgimit”.

Ditari, besoj, është një praktikë që na mëson më mirë se çdo gjë tjetër artin e vetmisë – si të jemi të pranishëm te vetja, të dëshmojmë eksperiencat tona dhe të jetojmë thellë përditshmërinë tonë.

Anais Nin ishte ndoshta një nga mbajtëset më të paepura të ditarit – ajo filloi të mbante një syresh në moshën 11-vjeçare dhe e ruajti zakonin derisa vdiq në moshën 74-vjeçare, duke prodhuar gjashtëmbëdhjetë vëllime të ditarëve të publikuar, në të cilat ajo reflekton mbi subjekte të ndryshme, si dashuria dhe jeta, natyra e gëzimit, kuptimi i jetës dhe përse shprehja e emocioneve është e qenësishme për krijimtarinë.

Në një leksion të vitit 1946 në Dartmouth, ajo foli rreth rolit të ditarit jo vetëm si mësues i shkrimit, por edhe si kristalizues i pasioneve dhe prioriteteve të saj, prej nga ku lulëzon puna krijuese: “Kur po shkruaja në ditar, zbulova si të fiksoj çastet. Mbajtja e një ditari gjatë gjithë jetës më ndihmoi të zbuloj disa nga elementet kyçe të gjallërisë së shkrimit. Kur flas për marrëdhëniet midis ditarit dhe të shkruarit, nuk kam si qëllim të përgjithësoj vlerën e mbajtjes së ditarit apo ta reklamoj këtë, por mbajtja e ditarit më fali disa aftësi që m’u deshën në lloje të tjera të shkrimit. Një prej tyre është natyralizmi dhe spontaniteti”.

Edhe Virginia Woolf flet për dobitë e ditarit. Sipas saj, ditari na lejon të depërtojmë në thellësitë e mendjes dhe të kuptojmë ato gjëra që shpesh i shpërfillim nga vetëcensura e shkrimit formal. Një ditar, vëzhgoi ajo në moshën 48-vjeçare, ndërton një urë ndërmjet së tashmes dhe së ardhmes.

Henry David Thoreaun është ndër më të njohurit për mbajtjen e ditarit. Kjo provohet nga ditari i tij, ku ka shprehur meditimet dhe kuptimin e suksesit, si dhe fisnikërinë e plakjes. Ai shkruan: “A nuk është e thënë që poeti ta shkruajë vetë biografinë e tij? Ka gjë tjetër më të rëndësishme se ditari? Ne duam të njohim heroin që ai është nga dita në ditë.”

Një shkrimtar i mirë duket se shkruan rreth vetes, por ai i ka sytë gjithmonë nga universi që rrotullohet rreth të gjitha gjërave.

Në ditarin e saj, Ana Frank ngre çështjen që e bëri të pavdekshme dhe që preku jetët e milionave. “Për dikë si unë, është zakon i çuditshëm të shkruash një ditar. Jo vetëm që nuk kam shkruar më parë, por kam frikë se më vonë as unë, as ndonjë tjetër, nuk do të jetë i interesuar për jetën e një nxënëseje 13-vjeçare.”

Oscar Wilde, një burrë me opinione dhe pasione të forta, shkruan: “Unë nuk udhëtoj asnjëherë pa ditarin tim. Duhet të kesh gjithmonë diçka fantastike për të lexuar në tren”.

Në vitin 1957, Susan Sontag shkruan se ekziston një mospërputhje midis veprimeve të dikujt ndaj një tjetri, dhe ndjenjave që ai mund të shprehë në ditar për të. Ajo thotë gjithashtu se ditari jo vetëm dëshmon të tashmen, por ofron edhe një alternativë për të.

Zakonisht, ditarët e shkrimtarëve janë të mbushur me deklarata për dëshirën për të shkruar, për të dashuruar dhe për të jetuar. Një ditar e bën shkrimtarin të ndihet heroi i jetës së tij. Aty, ai jeton si një qenie e përvuajtur dhe që përpiqet për një perspektivë.

Sylvia Plath, ashtu si Nin, filloi të mbante një ditar në moshën 11-vjeçare dhe shkroi rreth dhjetë vëllime, që më pas u botuan. Në to, ajo përshkruan të ëmblën dhe të hidhurën jetë dhe vdekje. Ajo e pa ditarin si një mjet të ushtrimit të shkrimit. Në shkurt 1957, gjashtë vite përpara se të kryente vetëvrasje, Plath shkruan për ditarin e Virginia Woolf, që sipas saj është një bekim për jetën e përditshme dhe mërzinë apo stresin.

Por ndoshta, subjekti më i rëndësishëm i ditarit vjen nga vetë Woolf, e cila e konsideron ndjesinë e leximit të ditarit të një shkrimtari me magnitudë më të madhe. “Sa është një libër i ndikuar nga jeta e shkrimtarit, dhe sa e sigurt është të lëmë dikë ta interpretojë vetë autorin? Sa duhet të durojmë dhe kur duhet të mos ngurrojmë të shprehim simpatinë ose antipatinë tonë për personazhin e një shkrimtari?

Ka pyetje që na mundojnë kur lexojmë jetët apo letrat e të tjerëve, pyetje të cilave duhet t’u përgjigjemi vetë, sepse s’ka gjë më fatkeqe sesa të lëmë preferencat e të tjerëve të ndikojnë në një çështje kaq personale.”

“Çfarë kam mësuar nga leximi i ditarëve të të tjerëve apo nga leximi i ditarit tim pas shumë kohësh është se asgjë e shkruar në të, nuk mund të konsiderohet si dogmë personale e atij që e mban ditarin. Një ditar është një dëshmi artificiale e vazhdueshme e mendimeve dhe përjetimit të brendshëm të dikujt, gjëra që ndikohen lehtësisht nga ndodhitë e jashtme.”

Bekimi i ditarit qëndron ndoshta në aftësinë e tij për të qëndruar si përmendore e së shkuarës, teksa jeta rrjedh, ai mbetet një kujtues i vlerave të shkuara që formësojnë të ardhmen në mënyrë të pavetëdijshme.

  1. D.
{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>