nga Admin

15 Korrik, 2014

Maks Velo/ Një udhëtim përmes librash në Bibliotekën e Botës, për të nxjerrë prej andej librat që nuk do të donte t’i humbte. Nga “Fije bari” i Whitman, që e lexoi në vitin 1956, kur ishte 21 vjeç, te “Shkëndija e jetës” e Remark, që do ta përgatiste për burgun…

ALDA BARDHYLI

Maks VeloMos u ngushto, ji si me veten tënde me mua / jam Walt Whitman / liberal dhe i fortë si Natyra / dhe derisa dielli të të mos shmangë, as unë nuk do të të shmang / derisa ujërat nuk të refuzojnë së farfurituri për ty, as fletët së fërfërituri për ty / fjalët e mia nuk do të refuzojnë se ndrituri dhe së fëshfërituri për ty…

Maks Velo ishte vetëm 21 vjeç kur lexoi për herë të parë vargjet e Walt Whitman. Poeti i aventurave, i konsideruar sot si shpirti i demokracisë amerikane, erdhi në shqip për herë të parë në vitin 1956, nën shqipërimin e Skënder Luarasit me një nga librat e tij me përfaqësues “Fije bari”. I botuar në vitin 1885, ky vëllim poetik përbën një nga arritjet më të mëdha të letërsisë botërore. Ardhja e këtij libri në shqip përkonte me 100-vjetorin e botimit të tij. Ndërsa në Shqipërinë komuniste, botimi i kësaj vepre u kalua në heshtje, ku një pjesë e kopjeve të librit mbetën të strukur nëpër qoshet e pluhurosura të magazinave dhe librarive, një kastë e re intelektualësh që po lindnin, e lexonin me ëndje në fshehtësi Whitman-in. Një prej tyre ishte Maks Velo. Arkitekti dhe piktori i ardhshëm do ta sillte shpesh në mendje një prej vargjeve të njohura të këtij libri: “Veten këndoj, çdo njeri të veçantë, të thjeshtë…”, teksa kryente dënimin si i burgosur politik në Burgun e Spaçit. Whitman është aq i thellë dhe vargjet e tij nuk janë thjesht një rrugëtim në skajin më të brendshëm njerëzor, por dhe një leksion për demokracinë dhe shtetin. Një autor i huaj, e aq më tepër kur ai ishte i mirë, ishte një ngjarje në jetën e individit që e posedonte. Ashtu qe dhe Whitman për Velon, i cili sot kujton dhe datën kur e ka blerë këtë libër, 18 maj, 1956. Çdo njeri u ngjan librave që ka lexuar. Maks Velo beson se rrugëtimi i gjatë i leximit është një biografi personale, e ndryshme te çdo njeri. “Libri është pjesë e rastësive të jetës. Libra të rëndësishëm janë një ndoshta për çdo vit të jetës tënde”, thotë ai. Por nëse Whitman ka lënë ende gjurmë tek ai, cilët janë librat e tjerë që ai do t’i humbte pa i lexuar në Bibliotekën e madhe të Botës? Librat që do t’i nxirrte prej andej si për të kujtuar kohët kur me historitë apo brendësinë e tyre kanë sjellë kohë të bukura tek ai. Librat e fëmijërisë janë libra që lënë gjurmë, për magjinë që kanë përshkruar mendjen tënde. I tillë është libri “Miki dhe tre hajdutët”, një botim i Hashette më 1936-n, të cilën Velo e ka lexuar kaq herë duke shfletuar dhe ilustrimet e aventurave të Mikit. Don Kishoti, personazhi tragjikomik, që ende i kujton botës kufirin e brishtë që ndan realen nga irrealja dhe se deri ku mund të shkojë vështrimi i fantazisë është një personazh që Velo nuk do të donte ta humbte në galerinë e pafundme të personazheve letrarë. Nga kjo vepër e mrekullueshme e Servantesit, atij i pëlqen më shumë të ndalet te pjesa e parë “Tomi 1”, nën shqipërimin e Fan Nolit. Ky është një libër të cilin e ka lexuar në të njëjtin vit me Whitman. “Jerma”, drama e famshme e Lorkës, e cila erdhi nën përkthimin e Aurel Plasarit, është një tjetër vepër të cilën Velo do të donte ta merrte tek “oazi i librave të tij”. Historia e Jermës, e cila kërkon me ngulm dashurinë dhe e gjen atë në krahët e një burri tjetër, jo të bashkëshortit të saj, është një histori që të prek, pavarësisht viteve. Kjo femër spanjolle të bën për vete me pasionin e saj për të qenë e lumtur. Këtë përkthim prej 46 vitesh, Velo e ka shkëputur nga një botim i revistës “Nëntori”, dhe kopertinën e “Jermës” e ka realizuar gjatë kohës së burgut në Spaç. “Shkëndija e jetës” e Erik Maria Remark është një tjetër libër të cilin Velo e ka lexuar më 1978-n, nën përkthimin e Robert Shvarc dhe ka lënë ende shenja tek ai. “Ky libër më përgatiti për burgun”, thotë ai. Në çdo kohë ka breza të humbur, rini të djegura, është tema qendrore e këtij libri, që do ta bënte më të butë atë çfarë do të përjetonte më pas Velo. Dostojevski, një nga figurat më të njohura të letërsisë botërore, shpirti i letrave ruse, i cili librat e tij i ktheu në një homazh për vuajtjet, nuk ka si t’i mungojë listës së shkrimtarëve që kanë ndikuar në një mënyrë apo tjetër në jetën e Velos. “Vëllezërit Karamazov” është një prej veprave të Dostojevskit, të cilën ai do ta veçonte. Letërsia ruse, e cila ka qenë e pranishme në Shqipërinë e para viteve ‘90, ka qenë një letërsi që ka frymëzuar sa e sa intelektualë dhe artistë. Tolstoi është një tjetër shkrimtar, të cilin Velo e përzgjedh me dy librat e tij “Lufta dhe Paqja” dhe “Ana Karenina”. “Doni i qetë”, vepra që mbart aq shumë dritë e Shollohovit, është një tjetër libër ku Velo ka gjetur të vërteta. Në bibliotekën e tij personale nuk ka si të mungojë dhe shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, të cilit Velo i përzgjedh dy romanë që nuk duhen humbur pa lexuar: “Pallati i ëndrrave” dhe “Viti i mbrapshtë”. “Tre shokët” e Remarkut, një përkthim i Robert Shvarc, “Tregime të shekullit XX”, botim i vitit 1977, ku janë 39 tregime nga autorë të 17 shteteve apo “Dashuri në kohën e kolerës” i nobelistit Gabriel Garsia Markez, që këtë vit u nda nga jeta, janë të tjerë libra që Velo nuk do të donte t’i kishte lënë pa lexuar. Në vitin e quajtur “Viti i Kafkës” (me rastin e 90-vjetorit të tij të vdekjes), Velo nuk do të kishte dashur që në jetën e tij të mos kishte lexuar tregimet e këtij shkrimtari tronditës. Ai zgjedh “veprën e tij të plotë” të ardhur në shqip nën përkthimin e Ardian Klosit, si një manual për të njohur jo vetëm Kafkën, por dhe vetë jetën. Këto janë librat që Maks Velo përzgjedh në pafundësinë e librave, i bindur se do të kishte dashur të fuste të tjerë libra të rëndësishëm, që në një mënyrë apo një tjetër kanë lënë diçka tek ai…

 

Librat që nuk do të humbte Maks Velo:

– Miki dhe tre hajdutët, botim i HACHETTE, viti 1936.

Fije bari, Uollt Uitman

– Don Kishoti, Servantes

Jerma, Lorka

– Shkëndija e jetës, Erik Remark

– Vëllezërit Karamazov, Dostojevski

– Lufta dhe paqja, Tolstoi

– Ana Karenina, Tolstoi

– Doni i qetë, Mihail Shollohov

– Pallati i ëndrrave, Ismail Kadare

– Viti i mbrapshtë, Ismail Kadare

– Tre shokët, Remark

– Tregime të shekullit XX, 1977

– Dashuria në kohën e kolerës, Gabriel Garsia Markez

– Franc Kafka, vepra e plotë

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>