nga Admin

16 Mars, 2015

Petro ZhejiAshtu si djaloshi Verter, që e kaloi gjithë vuajtjet e një dashurie fatale për Sharlotën në heshtje, ashtu dhe shqipëruesi i këtij libri në shqip (Vuajtjet e djaloshit Vërter) parapëlqeu ta kalonte në heshtje gjithë jetën e tij. Jo vetëm gjatë sistemit komunist kur në punën që bënte në shtëpinë botuese “8 Nëntori” i duhej të sfidonte kornizat e kohës, duke u zhytur në rreshtat e librave që i besohej për t’i sjellë në shqip, por edhe pas viteve ’90 atëherë kur mund të merrte flamurin siç bënë shumë kolegë të tij dhe të ngrinte lart punët e bëra, Petro Zheji parapëlqeu të heshtte. Në biblioteka, autorët e sjellë prej tij në shqip kishin hapur herët horizonte të reja për shqiptarët. Me portretin e një njeriu të rritur herët me filozofi, dhe që besonte tek ajo ashtu siç besonte te shkrimi, Zheji vijoi të bënte jetën që kishte bërë gjithnjë, duke “refuzuar” famën, reklamimin në ekrane televizorësh apo faqe gazetash. Emri i tij kujtohej këto vite sa herë në biseda profesionistësh flitej për modelin e përkthimit të mirë, për një “shkollë” që Zheji e ndërtoi ashtu me veprat e tij, apo kur mund të hapje faqen e parë të një libri ku ishte shkruar “Shqipëroi Petro Zheji”. As jeta në SHBA pas viteve ’90 dhe as rikthimi këto vitet e fundit nuk grishën tek ai ndjenjën e protagonizmit, i bindur se është puna ajo që duhet të flasë. Ashtu si me përkthimet, por edhe me jetën e thjeshtë Zheji dha një model për shoqërinë tonë të trazuar. Modelin e një intelektuali të vërtetë europian, pikërisht në një vend që vazhdon të ketë probleme me modelet. Zheji vijoi të jetonte në apartamentin e tij të thjeshtë, mes morive të librave dhe dorëshkrimeve për të çuar deri në fund një vepër të nisur. Librat dhe gjuha shqipe ishin shqetësimi i vetëm i këtij shtergu të madh të shqipes, që iu dorëzua asaj pa kushte. Lajmi për ndarjen e tij nga jeta (në moshën 86-vjeçare) është një lajm i hidhur pikërisht për gjuhën shqipe. Ajo ka humbur dje një nga mbrojtësit e saj më të mëdhenj, një stilist që e trajtoi me dinjitet dhe përkujdesje çdo shkronjë të saj. Është i çmuar kontributi i Petro Zhejit në kulturën shqiptare, një kontribut që koha do ta nxjerrë çdo ditë e më shumë në pah. “Vuajtjet e djaloshit Vërter” nga Gëte është një libër i ardhur vitet e fundit prej tij, ku ndihet eleganca me të cilën ka trajtuar gjuhën një mjeshtër. Vuajtjet e dashurisë së Vërterit të duken të bukura pikërisht nga gjuha. Zheji ishte një tjerrës i mrekullueshëm i saj, duke e shndërruar në të gjitha format për të sjellë ndjesinë më të mirë. Përkthimi i vëllimit të II të “Don Kishotit”, duke vijuar një sfidë të nisur nga Fan Noli, e bëri Zhejin një udhëheqës shpirtëror të këtij aventurieri të madh të botës letrare në shqip. Vetë Servantes do ishte ndier mirë të shihte sesi kjo krijesë e tij kishte mundur të pushtonte shqiptarët, të cilët e kishin lexuar këtë aventurë ashtu siç ishte. Don Kishoti do të na kujtojë gjithnjë atë, njeriun që i bindur se ky libër nuk ishte thjesht një përkthim, por një botim që do të hapte e trazonte ndërgjegjen njerëzore të vendit të tij, iu fut një pune titanike për ta përkthyer. Janë të pafundme përkthimet e ardhura prej tij në shqip si: “Fedor Panferov “Bruski” të cilin e ka përkthyer bashkë me të vëllain Gjergjin, “Nipi i Ramonit”, Didëro, “Vitet e zemërimit” Stajnbek, “Njeriu i padukshëm” Herbert Uells, Ringjalla “Tolstoit”, “Obllomovin” i Goncarovit, “Zoti President”, “Papa jeshil” i Asturiasit etj. Zheji ka ndihmuar dhe për përkthimin në anglisht të librit “Rrno për me tregue” të At Zef Pllumit. Një vit më parë ai u nderua me çmimin e mirënjohjes në Panairin e Librit. Homazhet për nder të përkthyesit u bënë dje në hollin e Muzeut Historik Kombëtar. Qindra miq, njerëz të kulturës, por edhe politikës u përulën para arkëmortit të këtij prijësi të shqipes. “Kjo është dita e dhënies së lamtumirës një mendimtari dhe krijuesi të niveleve europiane që në atë kohë kur Shqipëria ishte një ishull i izoluar në mes të Europës”, tha kryeparlamentari Ilir Meta. Për ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, “Petro Zheji është një monument kulture”. “Jam rritur me letrat dhe me shpirtin universal dhe me gjuhën shqipe të Petro Zhejit dhe me dashurinë për gjuhën në përgjithësi dhe për kulturën botërore. Me shkrimtarin me shkronja kapitale, nuk mund të ndahemi dot. Do të ndahem me Petro Zhejin kur të ndahem vetë nga jeta ime”, u shpreh Kumbaro. Petro Zheji lindi më 16 tetor 1929 në qytetin e Gjirokastrës. Studimet e hershme i ka kryer për Matematikë-Fizikë, më vonë studioi Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës. Për vite me radhë ai punoi në shtëpinë botuese “8 Nëntori” ku dha një kontribut të çmuar në prurjen e një sërë autorësh në gjuhën shqipe. Zheji i përket një plejade autorësh që jo vetëm shqipëruan, por dhe hapën dritare që lidhnin me botën përmes librash, mijëra lexues, në kohën e një Shqipërie të izoluar. Përkthimi ishte dashuria e tij e madhe, prej së cilës ai nuk hoqi dorë deri në ditët e fundit të jetës.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>