nga Admin

15 Nëntor, 2014

Shkrimtarja dhe kritikja e njohur amerikane analizon romanin “Qyteti bri lumit”, të cilin shtëpia botuese “Saras” sapo e ka hedhur në treg, e mund të gjendet në stendën e saj në Panairin e 17 të Librit që po mbahet në Pallatin e Kongreseve

Elizabeth Hardwick 

Elizabeth Hardwick Selimi, rrëfimtari i “Qyteti bri lumit”, është një i ri me prejardhje nga një familje tregtarësh indianë, i cili ka jetuar për një kohë të gjatë në bregdetin e Afrikës Qendrore, ndoshta në atë që sot njihet si Zaire. Ai qytet ku vendoset i riu është pjesë e strukturës dramatike dhe e vizionit të romanit. “Afrika ishte shtëpia ime – ajo ka qenë për shekuj të tërë shtëpia e familjes sime. Porse ne erdhëm nga bregu lindor dhe ky është dallimi. Në të vërtetë bregdeti nuk ishte afrikan: ai ishte arabo-indiano-perso-portugez, dhe ne që jetonim aty ishim vërtet njerëz të Oqeanit Indian.” Në roman, Selimi është larguar nga bregdeti për të ndjekur rrugën e tij në thellësi të vendit, për t’u marrë atje me një dyqan të vogël tregtar, duke u shitur çikërrima dhe mallra të ndryshme vendasve. Ai “qyteti bri lumit” është Afrika. Atje ka edhe familje të tjera indiane, por zhvendosja dhe ngulja aty e Selimit është në një farë mënyre një zhvendosje dhe ngulitje diku e gjithë vendit.

qyteti-bri-lumit-kopertinaNgjarjet zhvillohen në periudhën postkoloniale, në kohën e pavarësisë. Europianët janë shpërngulur nga aty ose janë detyruar të shpërngulen dhe skena është kaotike, gjithë dhunë me luftime mes fiseve, injorancë e plotë, izolim, varfëri dhe një mungesë përgatitjeje për botën e re në të cilën ata kanë hyrë ose pjesërisht e supozuar si një lloj dekorimi. Siguria e verbër e administratës koloniale, me rregullat e saj, komercializimin e resurseve të disponueshme, me bulevardet e saj dhe me shtëpitë e bukura dhe klubet për argëtimin e të ardhurve të huaj, çoi në bumin e shumë shteteve që sapo e kishin fituar pavarësinë. Këtu aktualisht pushteti është në duart e Presidentit, një luftëtar fisnor i kërcënuar nga ambiciet e luftëtarëve të fiseve të tjera.

“Qyteti bri lumit” është historia e një trazire historike dhe e një kolapsi social. Përplasja e kulturave në Indi, vendet islamike, Afrikë, në Amerikën e Jugut dhe në ishujt Karaibe janë burimet që Naipuli përdor për imagjinatën e tij krijuese në letërsinë e tij artistike dhe në librat e tij të udhëtimeve nëpër botë, udhëtime këto aq të ngadalta në kohë, e aq personale, saqë nuk mund të klasifikohen dot si libra udhëtimi.

Ai lindi në Trinidad, në vitin 1932, në një familje induiste, paraardhësit e së cilës kishin ardhur aty shumë vite më parë si punëtorë me kontratë, nga India e madhe te një ishull tropikal në Karaibe, ku induistët ishin pakicë. Ndoshta ajo trajtë e vizionit të tij i detyrohej në një farë mënyre edhe vendosjes së tij në hapësira të ndryshme gjeografike, në periudha të ndryshme të jetës së tij – deri në një farë mase, por jo për çdo gjë, përderisa ai është një shkrimtar me një kureshtje të madhe intelektuale, me një kulturë të thellë, dhe me ambiciet letrare më serioze. Që nga Trinidadi ai shkoi në Oksford, dhe që nga ajo kohë ka jetuar në Angli, ku ka shkruar dhe gjithë veprën e tij prej njëzet e dy librash. Vepra e tij të fal ndjenjën që për të arti i të shkruarit është prirje, më tepër një lloj thirrjeje e shenjtëruar sesa thjesht një karrierë. Të dhënat e tij biografike na vijnë në mendje teksa disa herë ligjërimi i tij na kujton tonalitetin e Savonarolës rreth dëmit që shkakton sentimentalizmi dhe shpresat e rreme. Tek “Qyteti bri lumit”, zvarritja, korrupsioni mbytës dhe shkatërrimi që e shoqëron ardhjen në pushtet të forcave fisnore ose dhe komplotimin e tyre për të marrë pushtetin, pasiguria e zbatimit të marrëveshjeve, pakënaqësia e turmave të vendasve që vuanin për një kohë të gjatë, e që e përhapnin edhe në qytet këtë pakënaqësi: e gjitha kjo është panorama në të cilën zhvillohet romani. Pjesë e tij janë tregtarë indianë dhe pronarë të një biznesi apo të një tjetri, një çift europianësh të bardhë, një prift plak belg, që ka shumë vite që jeton aty dhe afrikanë të shumtë në kërkim të mundësive të reja. Romani është një ndërmarrje me disa rreziqe dhe pa rreziqe, të cilës Naipuli i ka dhënë formën e një vepre të kryer me një forcë imagjinuese fort të gjallë.

Presidenti: “Presidenti, të cilin unë e kisha parë vetëm në fotografi, në fillim me uniformë ushtarake, pastaj me një xhaketë me mëngë të shkurtra e kravatë dhe më pas me një kapelë me lëkurë leopardi dhe me emblemën e tij të gdhendur të kryetarit…”. Mitizimi i Presidentit do ta konsumojë kombin e ri teksa ai do të konsolidojë pushtetin, pasurinë, shpenzimet e tij të mëdha për një miniqytet të quajtur “prona e re shtetërore”, dhe në përhapjen gjithkund të biografisë së tij dhe të statujës të së ëmës, e cila kishte qenë një shërbëtore në një hotel të periudhës koloniale. Si afrikan që ishte, ai po ndërtonte një qytet të ri në atë vend që dikur kishte qenë një rrethinë e pasur europiane. Por ajo që po ndërtonte ai tani, do të ishte më e madhe … Ai po krijonte Afrikën moderne. Ai po bënte një mrekulli që do ta linte pa mend pjesën tjetër të botës.

Një prej personazheve të librit është atë Huismansi, një prift belg, i cili me një përkushtim të palodhur kishte bërë një muze ku kishte mbledhur maskat dhe gdhendjet e vendasve, informacion për fetë e vendasve, si edhe relikte të shpërndara të periudhës koloniale. Atë Huismansi shkon të bëjë gërmime dhe kërkime me një lloj zelli naiv. Ai duket krejt mospërfillës ndaj ndryshimeve drastike që sjell qeveria e re, duke i parë të gjitha këto zhvillime si diçka kalimtare. Megjithatë ai vritet në mënyrë brutale gjatë njërës prej ekspeditave të tij. Koleksioni me “produktet më të pasura të xhunglës”, zë të shkatërrohet dalëngadalë dhe grabitet prej një admiruesi amerikan të artit primitiv. Afrikanët e konsideronin ose thuhej se e konsideronin, koleksionin e maskave dhe të gdhendjeve si një fyerje për fenë e tyre. Selimi – personazhi që rrëfen në vetën e parë – është një person interesant, që lundron kundër rrymës pa u përkulur e duke ia dalë të mbijetojë. Ai është i ndjeshëm, vëzhgues, me prirje melankolike, me një pesimizëm, të cilin ai nuk ia atribuon një bindjeje induiste, sipas së cilës “të gjitha përpjekjet e njeriut janë të kota”. Kështu pesimizmi i tij nuk është rezultat i fesë, por i “kërkimit për të zënë një vend poshtë, diku mes gëlltitjes prej kësaj jete dhe daljes mbi andrallat e kësaj bote”. Megjithatë, ai gjezdis përreth, ha jashtë, ka një aventurë erotike, luan tenis tk Klubi Grek. “Kisha marrë me vete këpucët atletike, raketat dhe e kisha vënë përreth qafës peshqirin – si një herë e një kohë në bregdet.”

Në fillim të historisë, Zabeta, një grua vendase prej një nga fshatrat që merreshin me peshkim, vjen te dyqani i Selimit për të blerë artikuj që ajo shkon dhe i shet te vendasit, duke jetuar pra si një marchande. Selimi e admiron atë energji të sajën që atë e bën të shkojë e të vijë lart e poshtë rrjedhës së lumit dhe pranon duke psherëtirë, kur ajo i kërkon që t’ia marrë të birin, Ferdinandin, për ta futur në liceun e qytetit, dhe me anë të arsimit ta shpëtonte nga “savana”. (Me “savanë” këtu nuk nënkuptohet vetëm flora e terrenit gjeografik, por edhe kushtet primitive e psikologjia primitive e atyre që jetonin të shkëputur nga komoditeti i jetës në qytet.)

Ferdinandi do ta mbarojë liceun, do të shkojë në politeknikum dhe do të vijojë të punojë në administratë, në kryeqytetin ku mbretëron Presidenti. Kështu, Ferdinandi është Afrika e re ose afrikani i ri. Ai i ka shpëtuar savanës, por përparimi i tij është i pasigurt, sepse Presidenti dhe trupat e tij janë brutalë e tekanjozë; atij që është ngritur mund t’i pritet koka. Më vonë, kur Selimi e sheh në kryeqytet Ferdinandin, ai nuk sheh tek ai një djalosh të fryrë nga krenaria dhe nga posti, por dikë “që dukej si i tkurrur dhe si i pakarakter … Këta njerëz që vareshin nga pëlqimi i Presidentit, për gjithçka, i kishin nervat të prishura. Pushteti i madh që ata ushtronin shkonte bashkë me një frikë të vazhdueshme se mos shkatërroheshin. Dhe ata ishin të paqëndrueshëm, gjysmë të vdekur”. Iveta, një belge dhe Rajmondi, një anglez, janë një çift që organizojnë mbrëmje festive, vënë disqe me këngë të Zhoanë Baezit dhe kërcejnë deri herët në mëngjes, e kështu me radhë. Është Iveta ajo me të cilën Selimi ka një aventurë erotike, një lloj afrie që krijohet nga persona që janë larg atdheut të tyre, në mënyrë dëfryese. Rajmondi është një akademik, një afrikanist, i cili po shkruan një libër teksa e shkon jetën e përditshme si një specialist. Ai është më shumë një person i përulur, i çiltër, me mendime liberale, mbledhës i informacioneve nga botime të ndryshme, të cilat i citonte te shënimet në fund të faqes. Ka dhe një aspekt komik i gjithi ai zell dhe ai pozicion që ai arrin të ketë në Afrikën e re. Kohë më parë, teksa ishte duke dhënë mësim në një kolegj, në kryeqytet, atë e viziton një nënë e përvuajtur afrikane, një shërbëtore hoteli, të cilën më vonë revolucioni do ta kanunizonte. Nëna e viziton Rajmondin për të marrë një këshillë prej tij, për të ardhmen e birit të saj, në një mënyrë shumë të ngjashme me atë nder që iu kërkua Selimit “për të shpëtuar” Ferdinandin. Rajmondi takohet me të birin e saj dhe i thotë atij që ta harrojë profesionin e juristit, dhe në vend të tij t’u bashkohet forcave të armatosura. Ai djalë, më vonë, do të bëhej president dhe Rajmondi do të bëhej këshilltari i tij, i Bardhi i tij. Rajmondi është zëri i shpresës së çiltër për atë shtet, për liri, për pasjen e një sundimtari vendas dhe për zgjidhjen e problemeve, me të cilat ai vend që dergjej në padije duhej të përballej. Në lidhje me Presidentin, ai thotë: “Ai e ka disiplinuar ushtrinë dhe ka sjellë paqe në këtë vend me popullsi të madhe”.

Në fund, i gjithë vendi tronditet dhe përfshihet nga kaosi social. Pushteti i Presidentit sfidohet dhe reprezaljet janë të përgjakshme. Ai s’e përdor më të Bardhin e tij, dhe kur Selimi shkon te shtëpia e tyre, Rajmondi dhe Iveta kanë ikur. Në shtëpinë e tyre tani gjen një afrikan. Edhe vetë dyqani i tij është konfiskuar dhe ai arrestohet – meqë ishte treguar pesimist – sepse kishte fshehur ar dhe fildish, për t’i përdorur në kohë krize. Ferdinandi mundohet, është ende në një pozitë të tillë që mund ta shpëtojë Selimin dhe këmbëngul që ai të largohet nga vendi. Kështu dyqanxhiu indian nga bregdeti, i cili e kishte kaluar atë pjesë të jetës së tij në atë qytet bri lumit, tani duhej ta ripërshkonte në drejtimin e kundërt atë itinerar që kishte ndjekur për të ardhur aty. Selimi ia del që të ikë me një avullore, mjetin e botës së përparuar, ndërkohë që njerëz të dëshpëruar që kishin hipur te një maunë lumore, me shpresën për të shpëtuar, mbyten.

“Projektori hodhi dritë mbi maunën e pasagjerëve të cilët, pas hekurave dhe telave me gjemba, dukej se sapo e kishin kuptuar që tani e tutje ishin në mëshirë të fatit. Pastaj u dëgjuan të shtëna … Avullorja u nis përsëri për lundrim, duke lëvizur me drita të shuara në drejtim të rrjedhës së poshtme të lumit, larg zonës së luftimit. Ajri duhet të ishte plot me flutura nate dhe insekte fluturuese. Projektori, kur kishte pas qenë i ndezur, kishte ndriçuar me mijëra të tilla: të bardha në dritën e bardhë.”

Romani përfundon me errësirë. Ai është i gjithi një krijim i paharrueshëm, i pasur me incidente dhe me disfata njerëzore, dhe që mbyllet me detajin e arrirë të një peizazhi të paraqitur me një shkëlqim prekës.

 

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>