nga Admin

14 Shtator, 2009

Intervistë: Misha Glenny autor i McMafia, librit përkthyer në 36 gjuhë, në një rrëfim për Rudina Xhungën

 

Glenny: “Jo feja, por krimi dhe korrupsioni po ju lënë jashtë BE”

Glenny: “Nëse vërtetohen disa akuza për manipulimet në zgjedhje, çështja është shqetësuese në rang ndërkombëtar”

Glenny: “Konkurrenca mes grupeve shqiptare në Kosovë është më e ashpër se ajo mes serbëve dhe kosovarëve”

Shqipëria dhe Kosova nuk përfshihen në libër, sepse nuk janë në hartën e krimit ndërkombëtar?

Misha GlennySiç e di gjithë bota, sigurisht që në Shqipëri dhe në Kosovë ka mafie, dhe madje  me ndikim shumë të fortë. Do t’ju them se pse nuk e përfshiva Shqipërinë në libër. E bëra me qëllim, sepse në radhë të parë, s’mund të përfshija çdo shtet. Kur zgjodha vendet, qëllimi ishte që të tregoja diçka, dhe zgjodha Bullgarinë, Serbinë dhe Malin e Zi sepse tregon mënyrën se si kanë evoluar disa gjëra brenda kontekstit të luftës në Ish-Jugosllavi. Shqipëria ka një dukuri shumë negative në Europën Perëndimore. Koncepti i mafieve të reja është ndarë në dy lloj mafiesh; një është mafia ruse, dhe tjetra është mafia shqiptare. Shprehja “mafia shqiptare,” kur përdoret në Britaninë e Madhe, përfshin të gjitha mafiet që hyjnë e dalin në këtë vend, sidomos ato nga shtetet e Europës Lindore. Gjithnjë kam menduar se Shqipëria është veçuar në mënyrë të padrejtë, duke u parë si prodhuesit e mafies në Europën Juglindore. Me kapitujt e Ballkanit doja të tregoja që të gjithë të tjerët janë përfshirë në mafia. Pavarësisht nga kjo, problemi i ekonomisë së nëndheshme të mafies së korrupsionit në Kosovë dhe Shqipëri, është vërtet serioz. Një problem që s’është adresuar siç duhet nga elitat përkatëse, dhe një pjesë e madhe e kësaj elite janë të përfshirë në këtë.

Të gjithë e dinë, të gjithë kanë frikë ta thonë, për arsye që dihen, por është diçka që Shqipëria në veçanti duhet ta shohë me shumë kujdes, sepse për momentin s’jemi ende në pozitë që Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Europës Juglindore t’i japim garanci për anëtarësim në Bashkimin Europian. Dhe po të mos ketë përpjekje serioze për të bërë diçka kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri, kjo mund të shkaktojë edhe prishje të marrëveshjeve për Bashkimin Europian.

Kur flas në Europën perëndimore, e mbështes gjithnjë anëtarësimin e shteteve të Europës juglindore që ende s’janë bashkuar, por brenda shteteve të Europës Juglindore përpiqem t’u them elitave, me sinqeritetin më të madh që mundem, që duhet të bëjnë diçka për krimin e organizuar e korrupsionin, përndryshe mund të humbasin një mundësi historike zhvillimi për vendin e tyre. Kjo përfshin edhe Shqipërinë.

 

Ndërkohë, në Shqipëri sëfundmi, mbajtja jashtë BE, po adresohet si shkak fetar. Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia jane ende jashtë pse janë në shumicë myslimane.

S’mendoj se është e vërtetë. Arsyeja e vërtetë është tjetër. Në vitin 2002, në Selanik u ndërmor një angazhim i qartë, i cili është vështirë të kthehet mbrapsht, që gjithë vendet e Europës Juglindore duhet të pranohen në Bashkimin Europian. Problemi që më vjen ndërmend tani, është se është çështje kohe. Por kur vjen puna tek debati nëse shkak është fakti që në Shqipëri mbizotëron popullata myslimane, unë s’besoj se ka të bëjë. Për Turqinë, mentaliteti anti-mysliman luan një rol të rëndësishëm në Gjermani dhe Francë, e sidomos në Austri, kur diskutohet nëse Turqia duhet të futet në Europë apo jo. Por për Bosnjën, Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë, s’besoj se ka të bëjë fare.

Them se një nga arsyet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe këmbëngulën aq shumë për pavarësinë e Kosovës, është  për faktin që janë myslimanë.

Kjo sepse pas katastrofave në Irak, këto qeveri po përpiqen t’i tregojnë myslimanëve brenda vetë komuniteteve të tyre që s’janë të paragjykuar për fenë. S’besoj se Ismail Kadare ka të drejtë për këtë çështje. S’është kjo arsyeja që gjërat po ngadalësohen për Shqipërinë. Them se korrupsioni dhe krimi i organizuar është një problem shumë më i madh.

 

Flasim pak për elitën shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë, Maqedoni etj. Cfarë do t’i bënte elitat më pak konformiste?

Si kusht afatgjatë dhe i parë, që elitat të mos jenë konformiste, është stabilizimi dhe forcimi i institucioneve demokratike në një vend. Do të kthehem tek Kosova dhe Shqipëria, por le të shohim pak Bullgarinë e cila ka një problem famëkeq me krimin e organizuar dhe korrupsionin. U lejua në Bashkimin Europian edhe pse dihej që kishte probleme. Për sa i përket nivelit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, Bullgaria s’është më ndryshe se Rumania. Por Rumania s’ka shumë probleme imazhi në perëndim. Pse ndodh kjo? Sepse që nga viti 2005, janë bërë 100 ekzekutime të stilit mafioz, në mes të Sofjes, në mes të ditës, dhe asnjë vrasje s’është zgjidhur nga policia. Pra, në Bullgari është krijuar imazhi i një stili të frikshëm mafioz, dhe tani duhet të mbajë barrën e kësaj. Brenda Bashkimit Europian pati njerëz që druheshin se pasi të lejohej pranimi i Bullgarisë, s’do të kishim më ndikim mbi të, s’do ta komandoje dot dhe krimi i organizuar e korrupsioni do të përkeqësohej. Si reagim ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, Komisioni i Komunitetit Europian i ka refuzuar 1 miliard euro fonde Bullgarisë, dhe kjo ka ndikuar shumë, sepse zgjedhësit bullgarë duan të shohin përfitimet e anëtarësimit në BE. Ngaqë qeveria e fundit në Bullgari nuk pranoi të veproje me vendosmërinë e duhur në lidhje me këtë, u zu ngushtë midis Komisionit Europian dhe zgjedhësve. Zgjedhësit e larguan. Pra, ekzistojnë mënyra që tregojnë se mund të fitosh politikisht duke luftuar kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Them se Bullgarisë do t’i duhen rreth 20 vjet që ta zgjidhë këtë problem. Por është e rëndësishme të mbahet mend që krimi i organizuar s’është një problem që i përket vetëm Bullgarisë dhe Rumanisë. Probleme tepër serioze kemi edhe në vendet themeluese të Bashkimit Europian, siç është Italia, sidomos që nga Napoli e më në jug. Asnjë nga ne s’mund ta pranojë këtë, por duhet të gjejmë mënyra institucionale për t’i detyruar elitat që të veprojnë në mënyra të veçanta. Kur shkon në Kosovë dhe Shqipëri, Kosova është vërtet rast i veçantë, sepse sapo ka dalë nga një përvojë tepër tronditëse, përfshi dhe luftën. Kemi bërë kërkime dhe i kemi lexuar raportet e agjencive informative gjermane për kush po vepron kundër kujt brenda Kosovës dhe se çfarë biznesesh janë përfshirë. Të gjithë e dimë që janë lidhur me figura të rëndësishme politike në spektrin e Kosovës. Do të thosha që për momentin, një tjetër vështirësi që has Kosova dhe që është një problem edhe më serioz, është se konkurrenca midis grupeve shqiptare brenda Kosovës duken më të ashpra se ato midis serbëve e kosovarëve në atë territor.

 

Nëse nuk shihet një rinovim i procesit politik në Kosovë, nëse nuk sheh politikanë që përkushtohen me vullnet të plotë kundër krimit të organizuar dhe ekonomisë së nëndheshme, dëmet që do të ndikojnë në popullatën kosovare do të jenë të mëdha dhe mund të sjellin edhe trazira shoqërore e dhunë. Por mbi të gjitha, do të bllokonte zhvillimet e anëtarësimit në të gjitha institucionet ndërkombëtare e mbi të gjitha, në Komunitetin Europian. Është një zgjedhje që duhet ndërmarrë nga elita, me nxitje nga populli kosovar.

Në Shqipëri, dinamika është ndryshe, sepse është më përpara në rrugën drejt Bashkimit Europian. Por ka raste vërtet shqetësuese në Shqipëri, të cilat po shihen edhe nga njerëzit në Bruksel. Nëse qeveria shqiptare mendon se mjafton të plotësojë formularë për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe kjo s’do të vihet re në Bruksel, duhet ta mendojë prapë, sepse Brukseli e di shumë mirë kur kushtet plotësohen në mënyrë teorike dhe jo në praktikë.

 

I keni ndjekur zgjedhjet në Shqipëri?

I kam ndjekur zgjedhjet nga larg, sepse nuk isha aty. Është pak e vështirë të komentosh, sepse e njoh Shqipërinë dhe rajonin aq sa për të kuptuar se ajo që lexon në shtyp të jep vetëm një ide të asaj që po ndodh vërtet, por s’i kupton dot drejt misteret që ndodhin në procesin politik shqiptar. Jam i shqetësuar për disa nga raportet që kam lexuar për manipulimet e mundshme zgjedhore, dhe mendoj se duhet studiuar me kujdes. Sepse po të dalë e vërtetë… Ende s’e kemi raportin përfundimtar të OSBE-së, por nese vërtetohen disa nga akuzat që janë bërë për manipulimin e zgjedhjeve, them se çështja është vërtet shqetësuese në rang ndërkombëtar.

Flasim edhe pak për mafien. Roberto Saviano, duke folur për mafien shqiptare, parashikonte, se Kosova, në të ardhmen do të bëhet një Kolumbi e dytë. E shikoni si “fiction” këtë apo si realitet të mundshëm?

Këtë do ta shikoja sipas asaj që unë e quaj “sistemi sektorial” për mënyrën se si është organizuar mafia. Nga kjo pikëpamje s’besoj se Kosova do të bëhet një tjetër Kolumbi, për arsye se biznesi i mafies ndahet në tri zona:  zona prodhimi, që janë vendet si Kolumbia e Afganistani. Zona shpërndarjeje, ku hyjnë vendet si Ballkani, dhe zona konsumi, që janë vendet si Europa Perëndimore. Është model biznesi që mund të hartëzohet me kujdes, dhe është një nga gjërat që doja të bëja në librin McMafia. E dimë prej kohësh që pjesa më e madhe e heroinës vjen nga Afganistani, shkon në Bullgari, që aty kalon në Serbinë e jugut,  në Velikotornova, dhe pastaj dimë që një pjesë e saj shkon në Beograd, vazhdon në Hungari dhe pjesa tjetër kalon nëpërmjet Kosovës. Më pas kalon nga Shqipëria, Mali i Zi dhe në Itali. Ky s’është më sekret. Dimë gjithashtu që diaspora shqiptare në Zvicër, sidomos diaspora kosovare, ka pasur monopolin e tregut të heroinës. Ka rënë në 10-15 vitet e fundit, për shkak të politikës zvicerane, e cila ua ka lehtësuar përdoruesve gjetjen e heroinës, duke e bërë tregun më pak të paligjshëm se më parë. Por prapë, e dimë që Kosova është një bazë shumë e rëndësishme për shpërndarjen e heroinës nëpër Europë. Në këtë kuptim, është shumë e korruptuar, dëmton figurën e qeverisë dhe është problem shumë i madh. Nuk kemi ende një agjenci vendase në Kosovë për zbatimin e ligjit që të jetë e aftë ta trajtojë këtë problem. As NATO nuk është aty, që të merret me çështjet e heroinës. Por do të shihni që Kosovës do t’i bëhen presione të mëdha që të zhvillohet në institucionet e saj dhe të synojë lidhje më të ngushta me Komunitetin Europian. Do t’i bëhet presion që të pranojë delegacione policore nga Gjermania, Britania, Franca e vendet e tjera, që të nisë trajtimi i këtij problemi. Për momentin zëvendëson ekonominë e vërtetë dhe tundimi është i madh, sepse me lëndët narkotike fitohen shumë para. Tundimi është që të mos merresh fare me ekonominë e vërtetë, sepse nga ekonomia e nëndheshme vijnë shumë më tepër para. Por kjo nuk kontribuon në mirëqenien e popullit të Kosovës dhe stabilizimin e vendit. Nuk e di se kur dhe si do të realizohet kjo.

 

Ju e njihni mirë Ballkanin. Nuk ju bën përshtypje që këta njerëz që në emër të nacionalizmit vriten për një këngë, por kur bëhet fjala për krimin dhe mafien globale e gjejne gjuhen. Psh, keni përmendur rastin e Shqipërisë qe megjithe dashurine per Kosoven, furnizonte Serbine me nafte, gjate embargos.

Ajo çështje ishte shumë e famshme, sepse CIA e kishte fotografuar të gjithën dhe i tha qeverisë shqiptare dhe presidentit të asaj kohe që kjo ishte e papranueshme. Por sigurisht, të gjithë mund të bënin biznes me Serbinë. Kur i vendos sanksione Serbisë, që është në mes të Ballkanit, por nuk kompenson shtetet fqinje për humbjet nga këto sanksione, atëherë pritet që ta shkelin këtë embargo. Por pyetja më e rëndësishme pas kësaj është si fshihen pas nacionalizmit. Arsyeja që vendosa ta shkruaj këtë libër, qe pas vrasjes së Zoran Xhinxhiç, kryeministrit të Serbisë. Kuptova se disa nga njerëzit e përfshirë në komplotin e vrasjes së tij, nacionalistë serbë, që kishin shërbyer si paraushtarakë në Bosnje dhe Kosovë, po mbroheshin nga nacionalistët kroatë. Ata u arratisën dhe u strehuan nga nacionalistët kroatë. Nacionalistët kroatë e serbë supozohet që të urrehen, por në fakt, kishin një lidhje të krijuar nëpërmjet krimit të organizuar. Luftërat në ish-jugosllavi janë përdorur si mbulim për krimin e organizuar ballkanas, që të bëhen zona e shpërndarjes e mallrave të paligjshëm që vinin nga e gjithë bota dhe shkonin drejt Bashkimit Europian. Ashtu si shumë njerëz të tjerë në vitet ‘90, unë besoj se nacionalizmi ishte drejtuesi kryesor i dhunës. Kur bëra kërkimet rreth mafies, nisa të mendoj ndryshe, që ishte një përpjekje nga elita të ndryshme që të krijonin monopolet e tyre ekonomike dhe politike. Këtë e bënin duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, por që ta bënin dhe të mos mbanin përgjegjësi, ata nxisnin luftën, dhunën dhe nacionalizmin. Luftën e drejtonte kjo ekonomi kriminale, dhe jo nacionalizmi. Kam besim që popujt e Ballkanit, në kontekstin e duhur, mund të merren vesh shumë mirë me njëri-tjetrin.

 

Ju e njihni dhe e doni Ballkanin. Si e shikoni të afërmen e afërt dhe të largët, të ndarë në shtete të mëdha, në ideologji të një Serbie të madhe, të një Greqie të madhe, Shqiperie te madhe, apo secili në shtëpi të vet e të gjithë ne BE?

Vizioni im për Ballkanin është të shoh shtetet e mbetura në Ballkan që të futen në Bashkimin Europian në gusht 2014, 100 vjet pas nisjes së Luftës së Parë Botërore, dhe që të gjithë të kuptojnë që Ballkani s’është më fuçi baroti. Do të ishte një çast i madh simbolizmi për Ballkanin dhe Europën. Jam i sigurt që mund të bëhet. S’është shumë kohë, vetëm katër vjet e gjysmë, por po të kesh vizionin e duhur politik, dhe s’duhet shumë për këtë, atëherë mund të arrihet, me vizione si brenda dhe jashtë Ballkanit. Por cilat janë problemet për këtë? Dihet që ka përçarje të të gjitha llojeve brenda rajonit. Ka pakënaqësi nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian për të gjithë procesin e zgjerimit. Por mendoj se është një qëllim të cilin duhet ta nxisim të gjithë, si brenda dhe jashtë Ballkanit. Pasi futesh në Bashkimin Europian, duhet pak kohë, por është e sigurt që të gjithë do ta kuptojnë me ngadalë që ky fiksimi për kufijtë është pengesë e madhe prodhimtarie në ekonominë europiane, e cila është tepër e integruar. Mund të merremi me biznesin e vërtetë, me sfidat e vërteta që has Europa, siç është krijimi i një rrjeti gjigant elektrik të integruar. Mënyra për të gjetur se ku do ta gjejmë energjinë, për të ndaluar ndryshimet e klimës. Të gjitha problemet e vogla do të mbyten nga sfidat e mëdha që do të hasim të gjithë ne. Ballkani mund të luajë një rol kritik për t’u treguar të gjithëve që metodat e vjetra të veprimit, të urrejtjes midis njëri-tjetrit, janë thjesht humbje kohe dhe s’janë problemi i vërtetë tani.

 

Por kjo nuk bëhet vetë, bëhet nga politikanë vizionarë? A njihni të tillë në Ballkan?

Kemi pasur drejtues vizionarë në Ballkan. Patëm Zoran Xhinxhiçin. Do të doja që njerëzit të mbanin mend se ç’ka bërë Jorgo Papandreu si ministër i jashtëm i Greqisë. Ai ishte ministër i vendit që po bllokonte anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Europian, për të cilën flitej se kishte mbështetje nga 95% e popullatës. Duke përdorur pushtetin dhe vizionin e tij, Papandreu përmbysi gjithçka dhe i hoqi pengesat që i vinte Greqia Turqisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Ai ishte vizionar. Papandreu përmbysi edhe politikën e Greqisë kundrejt Europës Juglindore, përfshi Shqipërinë. E kemi parë të ndodhë. Zoran Xhinxhiç ishte duke e kaluar Serbinë nga shekulli i 19-të në të 20-in, në një kohë shumë të shkurtër. Dhe të qenit kaq vizionar qe arsyeja që e vranë. Edi Rama në Shqipëri ka bërë gjëra fantastike . Ai shndërroi një kryeqytet dhe tërhoqi me të drejtë vëmendjen e njerëzve nga e gjithë bota, për atë që po bënte. Në Bullgari kemi parë njerëz të përpiqen shumë, gjë që s’është parë as jashtë vendit. Në Kroaci, po ashtu. Mos i nënvlerësoni politikanët e Ballkanit, sepse po përballen me probleme më të mëdha se ne në Europën Perëndimore. Patëm edhe makthin e Xhorxh Ë Bushit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për dy mandate. Ishte vërtet makth. Por pasoja që erdhën pas ikjes së tij ishin ardhja e një figure karizmatike si Obama. Ai s’po i bën të gjithë të lumtur si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai po përpiqet të bëjë një politikë vizionare në Lindjen e Mesme, e cila është zona më e vështirë nga të gjitha për të gjetur një zgjidhje. I uroj më  të mirat në këtë përpjekje. Është mahnitëse se si mund të dalin politikanët vizionarë. Mund të të befasojnë. Britania e Madhe ka pasur mungesë për ca kohë, por…

 

Ndërkohë, ka diçka Ballkani që të bën pesimist e të pyesësh më shumë “pse.” Unë, për shembull, kur mbarova librin tuaj thashë “pse.” A është ky një mision, a ia vlen të shkruash një libër për mafien? Por çfarë mund t’i bësh mafies me një libër?

Një nga gjërat që doja të shpjegoja me librin, është se njerëzit shpesh futen në krimin e organizuar për arsye shumë të arsyeshme ekonomike. Po të mos kesh një ekonomi dhe shtet funksional, je i detyruar të futesh në botën e nëndheshme. S’doja të denoncoja me librin njerëzit e mafies, t’i quaja si të tmerrshëm e që duhen mbyllur të gjithë diku. Doja të dija se pse janë përfshirë në këtë, dhe pse biznesi i tyre është rritur kaq shumë në 15 vitet e fundit. Vetëm kur e sheh problemin në tërësi arrin të kuptosh se si ta trajtosh. Ajo që bëjmë ne në Europën Perëndimore, është se themi që krimi i organizuar përbëhet nga njerëz të këqij që shpesh vijnë nga vende si Shqipëria, ndërsa ne jemi njerëz të mirë dhe ata duan të shkatërrojnë shoqërinë tonë.

Mua më duket një keqkuptim themelor për krimin e organizuar. Kush e drejton tregtinë e heroinës, kokainës, trafikun e femrave për qëllime seksuale? Janë përdoruesit e këtyre mallrave e shërbimeve. Cilët janë përdoruesit e këtyre mallrave e shërbime? Janë qytetarët e Bashkimit Europian, që kanë më shumë para dhe pëlqejnë t’i shpenzojnë me argëtime në kohën e lirë duke fjetur me prostituta, duke tymosur hashash e duke thithur kokainë. Kur themi: “Krimi i organizuar është keq e ne jemi të mirë” është shumë gabim, sepse jemi të përfshirë në krijimin e kësaj industrie. Prandaj mendoj se duhet parë në tërësi. Për sa i përket idesë tuaj për pesimizmin në Ballkan, duhet të them që po të shkoj në Beograd, Shkup, Zagreb apo Sarajevë, ndjehem shumë pesimist, duke menduar që jeta atje është e keqe e gjendja e mjerueshme. Por Shqipëria është ndryshe në këtë pikëpamje, madje edhe ndryshe nga Kosova. E di që është çmenduri, por në Shqipëri gjen një energji sipërmarrëse. Po të shohësh Shqipërinë e vitit 1990 dhe atë të vitit 1999, ta zëmë… kioskat e përhapura gjithandej, dyqanet. Njerëzit që vrapojnë, punojnë. Vërtet shumë prej kësaj është biznes jo i mirë, por të paktën çohen e bëjnë diçka. Prandaj përmenda dhe veprimet e Edi Ramës në Tiranë. Ideja e lyerjes së ndërtesave për t’i bërë njerëzit të ndjehen pak më mirë për jetën, mund të ndodhte vetëm në Shqipëri. S’mund ta imagjinoj të ndodhë në Nish, apo në ndonjë vend tjetër. Shqipëria ka një optimizëm mesdhetar, që e veçon pak nga të tjerët. Kështu që mos u shqetësoni shumë.

 

Po filloj të mendoj që është një keqkuptim i madh,  për ata që thonë se simpatia juaj shkon për nga Serbia.

Çështja e mbështetjes sime është përhapur nga disa njerëz nga Shqipëria dhe është vërtet problem për mua, sidomos në Kosovë. Po ashtu në Bosnjë dhe Kroaci. Është fantazi që njerëzit e kanë krijuar për shkak se unë nuk e ndëshkoj automatikisht Serbinë apo serbët. Nëse lexoni në McMafia për Serbinë, është e qartë që s’jam pro serb. Po ashtu në librin “Rënia e Jugosllavisë” duket që jam qortues në mënyrë tepër të ashpër kundrejt Milosheviçit që krijoi katastrofat në Europën Juglindore.

Shumë njerëz kanë shkruar gjëra të pakëndshme rreth meje nëpër faqe interneti e gjëra të tilla. Në vend që të angazhohem me këto, dua vetëm të tregoj se rëndësi ka ajo që bëj dhe ajo që them. Ajo që kam bërë për shumë vite, është ta përshkruaj veten si patriot të Ballkanit. Qëllimi është t’i shoh të gjithë popujt e Ballkanit si anëtarë të barabartë të Bashkimit Europian, me të drejta të barabarta në vendet e tyre dhe në BE, si dhe kur vizitojnë pjesë të tjera të Ballkanit. Brenda kësaj, ka edhe disa konsiderata politike. Nëse nuk e mban Serbinë si pjesë qendrore të kësaj strategjie për anëtarësimin në Bashkimin Europian, atëherë ke një faktor të madh destabilizimi në Ballkan. Ka konsiderata politike kur duhet të thuash që Serbia duhet parë si çështje e veçantë në këtë rast. Ka raste kur duhet të mendosh Bosnjën si çështje të veçantë. Po të shikosh Bosnje Hercegovinën, kohët e fundit ka pasur deklarata të papërmbajtura. Uilliam Hejg, nga partia konservatore britanike, ministër i jashtëm, tha se Bosnja ishte në rrezik kthimi në luftë e dhunë, sepse republika serbe do që të marrë federatën boshnjake, dhe që duhet politika aty s’po funksionon e duhet rikonstruktuar. Nëse Serbia dhe Kroacia s’duan që të ndodhë luftë në Bosnje Hercegovinë, lufta s’do të ndodhë. Nëse Serbia ndjehet më pranë Bashkimit Europian, ka pak rrezik lufte, jo vetëm në Bosnje, por edhe në Kosovë. Retorikisht, Tadiçi dhe gjithë pjesëtarët e tjerë të qeverisë e kanë dhënë shumë qartë pozitën e tyre kundrejt Kosovës.  Por në prapaskenë, në të vërtetë, a janë duke i bllokuar gjërat majtas, djathtas e në qendër? Po bashkëpunojnë me EULEX-in? Po bashkëpunojnë dhe po e njohin situatën këtu. Por e kuptojnë që kanë më shumë në lojë se thjesht Kosovën, që është Bashkimi Europian dhe stabilizimi i rajonit. Nëse përgjigja juaj është: “Epo, ne e dimë si janë serbët. Ata s’do të ndryshojnë kurrë” atëherë po e pranon që në fillim humbjen në procesin politik dhe më pas është e kotë.

Gjithçka që mund të them për këtë, është se dëshira ime është t’i shoh të gjithë, shqiptarët, serbët, kroatët, maqedonasit, bullgarët, në të njëjtin pozicion, si anëtarë të plotë të Bashkimit Europian, dhe unë do të bëj gjithçka që mundem që të punoj drejt këtij qëllimi. Nëse njerëzit thonë që mbaj anë, është puna e tyre.

 

Ndërkohë dua të kthehem përsëri tek mafia, sepse jemi midis mafies dhe Ballkanit dhe duhet të qëndrojmë nga pak tek të gjitha. Më ka mbetur në mendje një fotografi, gjatë leximit të librit, të një djali, Simeonit, i cili i ka të gjitha, celularin, mercedesin edhe varrin. Është ky simboli i mafies?

Mendoj se njerëzit në rajon e shohin këtë si imazh të mafies. E kam marrë atë foto nga një person shumë interesant, një antropolog, i cili ka vëzhguar mënyrën se si është zhvilluar në Bullgari imazhi i mafies gjatë viteve ’90 dhe kalimin midis kulturës vendase në atë ndërkombëtare. Ai pa që në TV dhe në revista ishte shumë i përhapur imazhi i celularit, qafës së trashë, Mercedezi, fuoristradat e mëdha e të tjerat. Njerëzit e shihnin këtë si simbol, por dhe që kishte një zbehje midis asaj që shihej si arritje shoqërore dhe status mafioz. Kjo e ka ndihmuar mafien, në një farë mënyre, që të vendosen si një nga forcat vendimtare të shoqërisë në Ballkan, gjatë viteve ’90. Mendoj se kjo është qetësuar pak tani, por një nga gjërat që përmenda në Shqipëri, e cila është e pakundërshtueshme për Shqipërinë, por njerëzit jashtë mbajnë mend se si në vitin 1991 ju lejuan për herë të parë të ngisni makina. Kur ju kanë mohuar një mercedes për vite me radhë, dhe papritur mund të kesh një makinë, të gjithë duan të kenë Mercedes. Pra, të gjithë tërbohen dhe kjo është vërtet e kuptueshme. Njerëzve u është mohuar konsumimi i mallrave gjatë komunizmit për një kohë shumë të gjatë, dhe sigurisht që kur hiqet pengesa, të gjithë duan ta provojnë. Fatkeqësisht, ngaqë këto shoqëri janë të varfra, s’ka para për t’i zgjidhur këto. Dhe ky është problemi që e bën mafien të marrë kontrollin e të jetë aq e pushtetshme. Edhe pse mafia do që të thotë se po vepron në emër të popullit, që hap vende pune apo gjëra të tjera, s’ka institucione që ta garantojnë këtë, dhe paratë përqendrohen vetëm në majë. Ky është problemi i madh në shoqëritë ku mafia ka ndikim shumë të fortë. Hendeku shoqëror midis njerëzve është shumë i madh. Është një elitë e vogël shumë e pasur, dhe një numër i madh njerëzish të varfër që jetojnë në rrethana të tmerrshme.

 

Atëherë si i bëhet që njeriu qe nuk ka, te kuptojë që nuk është kjo mënyra për të pasur. Çfarë është mafia, e thënë ndryshe, nga ajo që keni parë ju. Është Mefistofeli që të flet në vesh? Është një dorë e gënjeshtërt që të ngre në mënyrë të gënjeshtër nëpër shkallë? Çfarë është mafia?

Mafia është një formë organizimi shoqëror që krijohet kur nuk ke një forcë policore që funksionon, sistem gjyqësor funksional dhe burokraci që të veprojë si palë e paanshme që arbitron palë të ndryshme të shoqërisë. Më falni që po flas si sociolog, por është dukuri e kuptueshme. Çfarë bën? Nis të paraqesësh mënyrat e anti-korrupsionit, për shfaqjen e të cilave ka mënyra të ndryshme. Disa prej tyre janë paraqitur që tani nëpër Ballkan. Për shembull, mund të zbulosh se sa është ryshfeti për një doganier, dhe mund të punosh me çështjen e varfërisë së vetë administratës. Mund të bësh gjëra më të thjeshta. Për shembull, të mos dorëzohen patentat e makinës në dhoma me dyer të mbyllura, kur zyrtari dhe marrëzi i patentës të jenë vetëm për vetëm.

Më mirë të jenë në një zyrë të hapur, ku të gjithë të shohin se çfarë bëhet e çfarë flitet, që të kesh edhe një formë gjykimi popullor aty, që të mos bëhet korrupsion në zyrë. Mund ta bësh në lloje të ndryshme nivelesh, por që ta bësh, duhet të kesh dy gjëra: politikanë që janë të përgatitur për ta ndërmarrë këtë nismë të fortë e të paraqesin strategji të vërteta anti-korrupsioni. Mafia ekziston atje ku ka korrupsion, dhe anasjelltas. Mund ta bësh me strategji anti-korrupsioni, me ndihmë nga bota e jashtme, dhe sidomos nga Bashkimi Europian, në rastin e Shqipërisë, si dhe me zhvillimin e institucioneve vërtet të pavarura të forcave policore dhe sistemit gjyqësor. Çështja e pavarësisë është shumë e rëndësishme. Policia duhet të largohet nga politikanët sa më shumë që të jetë e mundur. Ta largosh doganën nga politikanët. Të largosh sistemin gjyqësor nga politikanët. Është çështje vërtet e rëndësishme. Duhet të them që ishte diçka vërtet e trishtueshme, por mbrëmë dëgjova gjatë një konference këtu, ku ishte i pranishëm edhe Fatos Lubonja. Fatosi foli për librin e tij, për përvojën e tij në burg gjatë komunizmit. Atij i bënë një pyetje: “Mendoni se Shqipëria po i shlyen mirë gjyqet e padrejta të të shkuarës?”

Ai u përgjigj: “Është e vështirë, por duhet të them që trishtohem shumë kur ndodhin gjëra si për shembull, kur prokurori që kishte dënuar komplotin në të cilin ishte përfshirë edhe vetë Fatos Lubonja, para dy muajsh ka marrë një medalje nga presidenti. Tha që i kishte çuar një mesazh presidentit duke i thënë: “A e di se cili është ai njeri?” dhe presidenti e kishte marrë në telefon dhe i kishte thënë: “Po ta dija, s’do t’ia kisha dhënë medaljen.”

Kjo është qesharake, sepse në Shqipëri njihen të gjithë. Të thuash që s’di se kush bën çfarë… Pra, është e qartë që ka probleme. Duhet të gjesh mënyra për të krijuar një sistem të pavarur gjyqësor dhe një polici të pavarur. Për momentin, në këtë situatë, është shumë e rëndësishme krijimi i një force policore të pavarur. Keni probleme shoqërore, probleme ekonomike dhe probleme të administrimit policor. Duhet punuar me të gjitha këto njëkohësisht. Nëse gjërat ndryshojnë në Europën Juglindore dhe atë Lindore, për shkak të Bashkimit Europian… po të shohësh Republikën Çeke dhe Sllovakinë, që janë anëtare që nga viti 2004, kanë pësuar rënie të krimit të organizuar. Krimi i organizuar do të bjerë edhe në Europën juglindore, por duhet të punojnë të gjithë ditë e natë, që të bëjnë diçka.

Te dera e shtëpisë suaj takova një shqiptar  nga Tepelena qe punonte në ndërtim, Ne Londer. dhe folëm bashkë. Në librin tuaj takova nje indian qe vriste me pagese dhe per te shpjeguar ndjenjen e fajit, gjente krahasime ne lojën e kriketit. Çfarë i bën këta njerëz të ndryshëm? Ca të jetojnë me pak para në punën e tyre, ca të vrasin për shumë para.

Them se shumica e njerëzve, jo të gjithë, duan të kenë jetë normale e të denjë. Duan mundësinë ta bëjnë këtë. Po jap shembullin e një fermeri në veriperëndim të Kosovës. Ekonomia ka rënë, Serbia e ka shtrënguar Kosovën me mënyrën e saj shtypëse. Ai s’ka punë dhe duhet të mbajë pesë fëmijë të uritur. Vjen dikush dhe i thotë: “Të japim 500 euro po e çove këtë pako me cigare përtej kufirit, në Mal të Zi.” Ç’do të bëjë ai në atë situatë? Do të pranojë ta kalojë përtej kufirit. Ai mund të mos e dijë që aty brenda ka heroinë. Por s’ka rrugëzgjidhje tjetër në atë situatë. Kur ke situatë ekonomike të vështirë, do të kesh shumë njerëz që do të tërhiqen nga mafia. Djali nga Tepelena, që keni takuar këtu, do që të punojë në ndërtim, të fitojë paratë e tij. S’ka ardhur në Angli që të përfshihet në trafikim femrash për qëllime seksuale. Shumica e njerëzve, kur e kanë mundësinë, do të veprojnë si ai punëtori i ndërtimit. Ky është roli i politikanëve. Të sigurojnë që njerëzit të kenë mundësinë të punojnë në mënyrë të denjë. Nëse jo, do të kalojnë në anën tjetër. Ky është kyçi, por unë ende besoj që njerëzit në thelb janë të mirë, dhe shumica e atyre që përfshihen në mafia nuk futen sepse kanë parë Kumbarin 20 herë dhe kanë zgjedhur atë si karrierë. Është shumë e thjeshtë.

Në fund, gjëja më e rëndësishme është që një sëmundje duhet ta pranosh, mandej ta kurosh. Ka ikur koha kur mund të thuash si Golda Mejer, në Izrael “Nuk ka mafia këtu.” Nuk shkon të thuhet më.

Në vitet ’90, mafia u bë si mobilie shtëpie në Ish Jugosllavi e gjithë Ballkanin. Të gjithë u mësuan me të. Të gjithë mësuam të bëjmë jetën tonë. Kur blija cigare, s’më shkonte nëpër mend t’i blija në mënyrë të ligjshme. Unë s’pi më, dhe është gjë e mirë. Kur furnizoja makinën me karburant në Serbi, duhej të shkelja embargon, pasi e blija matanë rrugës. Nëse duhej të shkoje gjëkundi apo të bëje diçka, si për shembull të jepje lajme për luftën në Bosnje, duhej të kaloje postblloqe me paraushtarakë e militantë, dhe kalimin e sigurt e kishe vetëm po të negocioje me mafien. Ishte e vetmja mënyrë për të kaluar. Kështu që mësohesh. Kjo është shumë keq. Por megjithatë, ka shumë mafia që duan të bëjnë jetë të ligjshme, njerëzit e mëdhenj. Ata preferojnë të kenë shtetin që ua krijon sigurinë, dhe jo agjencitë e tyre private të zbatimit të ligjit. Do të fillojë të ndryshojë. Thjesht duhet shumë kohë, por duhet të shohim nxitje dhe guxim në drejtuesit politikë, dhe është shumë e vështirë që kjo të ndodhë. Ishte interesante ajo që thatë para intervistës, që njerëzit s’flasin për mafien në Shqipëri. Pjesërisht, mbase sepse e kanë thithur përbrenda, sepse të gjithë e dinë dhe s’është më nevoja të diskutosh për të. Por gjithashtu mendoj se njerëzit e diskutojnë më shpesh në shtëpi se në TV. Për shembull, në pyetjen tuaj thatë që Shqipëria po ndëshkohet për shkak të mbizotërimit të popullatës myslimane. S’besoj se njerëzit shkojnë në shtëpi pas pune, hapin gazetat e i thonë njëri-tjetrit… “s’na pranojnë ngaqë jemi myslimanë.” S’e përmendin krimin e organizuar dhe korrupsionin sepse e hasin çdo ditë në jetën e tyre. Dikush më tha diçka që m’u duk shumë e mençur, gjatë kërkimeve që bëra për këtë libër. “Njerëzit që e kuptojnë korrupsionin, janë ose shumë të pasurit, ose shumë të varfrit.”

Në Shqipëri ose je shumë i pasur, ose shumë i varfër. Kështu që të gjithë e njohin korrupsionin në Shqipëri

 

Marre me shkurtime nga emisioni “Shqip” ne Top Channel

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>