nga Admin

30 Janar, 2013

Së fundmi kemi shtuar mjaft libra të rinj historik dhe studimorë janë tashmë të disponueshëm për të gjithë lexuesit dhe klientët tanë në të gjithë botën. Këto botime shqip janë të disponueshëm si nëpërmjet faqes ashtu edhe pranë librarisë tonë në Tiranë. Ju ftojmë t’i shihni më poshtë…

Gjuhësi: Ndajfoljet përemërore në gjuhën shqipe

Ndajfoljet peremerore ne gjuhen shqipe, Shaban SinaniAutori: Shaban Sinani

Komente mbi librin

“Ky punim mbetet edhe sot më i ploti dhe më i miri për këtë kategori fjalësh. Ai është një kontribut me vlerë në morfo – leksikologjinë shqipe. Punimi është shkruar në vitin 1983, por po të nisesh nga niveli, raporti atëherë dhe sot thuajse fshihet krejt. Botimi i tij i veçantë zë vend të merituar në letërsinë sonë gjuhësore si një monografi shkencore e mirëfilltë dhe e lavdërueshme.

Studimi “Ndajfoljet përemërore në gjuhën shqipe” që vetëm sepse ka qenë detyrë, është quajtur punim diplome, e tejkalon atë në shumë drejtime. Kjo pjesëz e vogël dhe e thjeshtë e sistemit të pjesëve të ligjëratës të gjuhës shqipe, megjithëse ka rënë në një dorë të re, në atë kohë student në prag të diplomimit, është trajtuar me seriozitetin dhe këmbënguljen e një studiuesi të mirëfilltë.

Autori me guxim është futur edhe në rrugën e etimologjive të reja e të dukshme, por edhe të etimologjive enigmatike, të errësuara nga koha e të ndërlikuara nga struktura. Ndarjet dhe rindarjet kuptimore e strukturore janë mjaft interesante. Falë formimit të përgjithshëm gjuhësor të autorit, për përcaktimet kuptimore dhe strukturore nuk shfrytëzohet vetëm etimologjia, por edhe leksikologjia, morfologjia, sintaksa, historia, madje edhe filozofia e gjuhës.” – Prof. Dr. Ethem Likaj, akademik

 

Histori: Shqiptarët, një histori midis Lindjes dhe Perëndimit

Shqiptaret, nje histori midis Lindjes dhe Perendimit, Oliver Jens SchmittNjë libër tjetër historik nga Oliver Jens Schmitt, shqipëruar mjeshtërisht nga i ndjeri Ardian Klosi.

“Shqiptarët janë populli me shumicën më të madhe myslimane në Europë. Ata sot shtrojnë pyetjen, cilës botë i përkasin: botës islamike apo Europës së krishterë. “Çështja shqiptare” e veçanërisht e ardhmja e Kosovës, ka vënë në lëvizje edhe politikën evropiane. Libri që keni në duar paraqet historinë plot ndryshime të shqiptarëve në Europën Juglindore, nga antikiteti e deri më sot, duke ndërtuar në këtë mënyrë një bazë për të kuptuar më mirë këtë rajon.”

 

Histori: Dështimi i radhës, komploti i Teme Sejkos

Një ritregim historik i ngjarjeve që trajtojnë komplotin e dështuar të Teme Sejkos, mbledhur dhe përgatitur nga Vladimir Bregu.

 

Studim historik: Studime dhe tekste për lindjen e krishterë

Studime dhe tekste per lindjen e krishtere, Giussepe ValentiniAutor: At Giussepe Valentini.

Koment nga Dr. R. Reul: “Një katalog larg – qëmtues dhe mirë – përshkrues, me komente të detajuara të veprave që përmban kjo ekspozitë, shumicën e të cilave e ka studiuar dhe klasifikuar autori. Një dokumentim me vlerë të rrallë e të pashoqe ikonografike dhe bibliografike, e veprimtarisë kulturore dhe shpirtërore, që lulëzoi në kolonitë shqiptare të Siçilisë në gjysmë – mijëvjeçarin e jetës së tyre në atdheun e ri.”

Fjalor Bio–bibliografik Iliro–Shqiptar (Nomenklator)

Fjalor Bio-bibliografik Iliro-Shqiptar, Giussepe ValentiniAutor: At Giussepe Valentini.

Tri janë elementët që në kompozimin e tyre i dhanë jetë lindjes së kësaj vepre, që mund të quhet me plot të drejtë, një enciklopedi “në miniaturë e historisë së Shqipërisë”. Ajo doli për plot 16 numra, si një shtojcë e revistës LEKA, nga viti 1939 deri më 1943, kur u ndërpre për shkak të luftës, deri në zërin Aldobrandini.

Ka një vlerë të spikatur historike dhe përben një përmbledhje sistematike emrash, artistësh, humanistësh, letrarësh të botës shqiptare, tituj veprash, tekste me një interes te veçantë historik, e toponime të ndryshme të nxjerra nga skedarët e arkivit të stërmadh të historisë në Bibliotekën Albanologjike dhe në arkivin historik Saverian të grumbulluar në vite nga Jezuitët e Shkodrës, një arkiv ky pjesërisht i shkatërruar në vitin 1946 dhe pjesërisht i transferuar në Arkivin shtetëror në Tiranë.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>