nga Admin

5 Nëntor, 2012

I burgosuri i Qiellit, Carlos Ruiz Zafon

Për admiruesit e shumtë sapo ka dalë në treg libri më i fundit nga Carlos Ruiz Zafon “I burgosuri i Qiellit”.

Mbi librin

I burgosuri i Qiellit, Carlos Ruiz ZafonDhjetor 1957. Një dimër i mërzitshëm dhe i acartë mbështjell Barcelonën dhe rrugicat e saj të errëta. Qyteti po përpiqet të marrë veten nga vuajtjet e luftës. Vetëm për fëmijët dhe për ata që kanë mësuar të harrojnë, Krishtlindjet ruajnë atmosferën e vet magjike, plot shpresë. Daniel Sempere, protagonisti i paharrueshëm i romani “Hija e erës”, tani është një burrë i martuar dhe drejton librarinë e familjes me të atin dhe Ferminin besnik, me të cilin e lidh një miqësi e fortë.

Një mëngjes hyn në librari një i panjohur, i zymtë, i çalë dhe pa një dorë, që blen botimin e shtrenjtë të “Kontit të Montekristos”, duke paguar trefishin e çmimit. Aty për aty ai ia kthen librin Danielit që t’ia dorëzojë me një kushtim turbullues Ferminit.

Hapen kështu dyert e së shkuarës dhe fantazma të vjetra vijnë për të trazuar të tashmen përmes kujtimeve të Ferminit. Për të mësuar një të vërtetë të dhimbshme, që i ështe mbajtur e fshehur deri më tani, Danielit i duhet të hyjë në një epokë të mallkuar, në rropullitë e burgjeve të Montjuicit, dhe të zbulojë se cila ujdi djallëzore mbante lidhur David Martinin, tregimtarin te “Loja e engjëllit”, me gardianin e tij, Mauricio Valls, një njeri i pabesë që mëshiron çka pasur më të mbrapshtë regjimi i Frankos…

Carlos Ruiz Zafón kthehet në gjininë që u bë i famshëm në të gjithë botën dhe në sagën aq fortë të dashur për lexuesit e tij, me një ndodhi emocionuese që është pjesë e universit letrar të Varrezës së Librave të Harruar. “I burgosuri i Qiellit” lidh sërish dramat e “Hijes së erës” dhe “Lojës së Engjëllit” dhe hedh dritë mbi misteret që kishin mbetur të pazgjidhura, vetëm për të hapur pyetje të tjera shqetësuese. Dhe mbi të gjitha, na tërheq në vorbullën e një tregimi të plot me tension dhe të papritura, duke na joshur me hijeshinë delikate të një Barcelone në dritëhije, që nuk resht së magjepsuri.

Mbi autorin

Carlos Ruiz Zafon, autor me talent absolut dhe sukses botëror, e filloi karrierën e tij më 1993 me një seri librash për fëmijë. Më 2001 botoi romanin e tij të parë për të rritur “Hija e erës”, që u bë menjëherë një rast letrar ndërkombëtar, me dhjetëra miliona kopje të shitura në dhjetëra gjuhë.

Me romanin e tij “Loja e engjëllit”, ai kthehet në universin e Varrezës së Librave të Harruar, që të gjithë lexuesit e kujtojnë me pasion të madh. Veprat e tij janë përkthyer në më shumë se dyzet gjuhë dhe kanë fituar shumë çmime dhe miliona lexues në të pesë kontinentet.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>