20 Janar, 2015

Nga J. M. G. Le Clézio – Nobel në letërsi, 2008

Le-Clezio-kopertina-Shkretetira-dhe-Refreni-i-uriseTi vendose të marrësh pjesë në manifestimin e madh kundër atentateve terroriste. Jam i lumtur për ty që munde të ishe e pranishme mes rreshtave të gjithë atyre që marshonin kundër krimit dhe dhunës së verbër të fanatikëve. Do të kisha dashur të isha me ty, por isha larg, dhe për të të thënë të gjithë të vërtetën, ndihem pak i moshuar për të marrë pjesë në një lëvizje ku ka aq shumë njerëz. Ti u ktheve e entuziazmuar nga sinqeriteti dhe nga vendosmëria e manifestuesve, e shumë të rinjve dhe më pak të rinjve, disa familjarë me Charlie Hebdo, disa që e njihnin vetëm me të dëgjuar, të gjithë të indinjuar nga burracakëria e atentateve. Ti u preke nga prania aq dinjitoze në krye të kortezhit të familjeve të viktimave.

Prindërit e tu dridheshin për ty, por ishe ti ajo që kishe të drejtë duke sfiduar rrezikun.

E mallëngjyer teksa po shihje një fëmijë të vogël me origjinë afrikane që shihte nga një ballkon, parmaku i të cilit ishte më i madh se ai. Unë besoj se ky ishte një moment i fortë në historinë e popullit francez, që disa intelektualë e kujtonin të trembur dhe pesimist, të dënuar me nënshtrim dhe apati. Unë mendoj se ajo ditë zmbrapsi spektrin e mosmarrëveshjes që kërcënon shoqërinë tonë plurale.

Duhej guxim për të ecur e paarmatosur në rrugët e Parisit, sepse, sado i përsosur të ishte organizimi i forcave të policisë, rreziku për atentat ishte real. Prindërit e tu po dridheshin për ty, por ishe ti që pate të drejtë duke sfiduar rrezikun. Dhe për më tepër, ka gjithmonë diçka magjike në një moment të tillë, që bashkon kaq njerëz të ndryshëm, të ardhur nga të gjitha anët e botë, ndoshta në vështrimin e atij fëmije që ti pe në një ballkon, jo më i madh se parmaku i tij, dhe që do ta mbajë mend gjithë jetën këtë.

Kjo ndodhi, ti ishe atje.

Ata nuk janë barbarë.

Tani është e rëndësishme të mos harrojmë. Është e rëndësishme – kjo për brezin tënd, sepse brezi im nuk diti, ose nuk mundi të pengonte krimet raciste dhe rrëshqitjet sektare – të veprohet në mënyrë të tillë që bota në të cilën ti do të vazhdosh të jetosh, të jetë më e mirë se e jona. Është një punë shumë e vështirë, pothuaj e papërballueshme. Është një punë që bëhet duke ndarë dhe duke shkëmbyer.

Po dëgjoj të thonë se bëhet fjalë për një luftë. Sigurisht, shpirti i të keqes është i pranishëm kudo, dhe mjafton vetëm pak erë që të përhapet dhe të shkatërrojë gjithçka rreth tij. Por kur bëhet fjalë për një luftë tjetër, ti e kupton: një luftë kundër padrejtësisë, kundër braktisjes së të rinjve, kundër harresës taktike ku mbahet një pjesë e popullsisë (në Francë, por edhe në botë), duke mos ndarë me të të mirat e kulturës dhe shanset për të ecur para.

Tre vrasës të lindur dhe rritur në Francë tmerruan gjithë botën me barbarinë e krimit të tyre. Por nuk janë vetëm barbarë. Si ata mund të ndeshim çdo ditë, në çdo moment, në lice, në metro, në jetën e përditshme. Në një pikë të caktuar, jeta e tyre anoi nga kriminaliteti, sepse frekuentuan njerëzit e gabuar, sepse dështuan në shkollë, sepse jeta rreth tyre u ofronte vetëm një botë të mbyllur ku ata nuk kishin vend, kështu mendonin. Në një moment të caktuar, nuk ishin më zot të fatit të tyre. Era e parë e hakmarrjes që fryu, i përndezi, dhe morën për fé atë që ishte gjë tjetër, vetëm huajtësim.

Duhet gjetur kurim për mjerimin e shpirtrave.

Pikërisht kjo zbritje në ferr duhet ndaluar, për ndryshe ky marshim kolektiv do të jetë thjesht një moment, nuk do të ndryshojë asgjë. Asgjë nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen e të gjithëve. Duhen prishur getot, duhen hapur dyert, t’i jepet shansi çdo banori të këtij vendi, të dëgjohet zëri i tij, të mësohet nga ai po aq sa mëson ai nga të tjerët. Duhet ndalur ndërtimi i një gjëje të çuditshme brenda kombit. Duhet gjetur kurim për mjerimin e shpirtrave për të shëruar sëmundjen që po gërryen bazat e shoqërisë sonë demokratike.

Mendoj se kjo ndjesi të bëri përshtypje teksa marshoje mes turmës së madhe. Gjatë atij çasti magjik, barrierat e klasave dhe të origjinave, besimet e ndryshme, muret që ndanin qeniet, nuk ekzistonin më. Franca kishte vetëm një popull, të shumëllojshëm dhe unik, të ndryshëm dhe me një rrahje zemre. Shpresoj që, nga kjo ditë, të gjithë ata, të gjithë ato që ishin me ty, të vazhdojnë të ecin në kokën e tyre, në shpirtrat e tyre, dhe që pastaj këtë marshim ta vazhdojnë fëmijët dhe nipërit e tyre.

 

Marrë nga gazeta franceze “Le Monde”

Përktheu: Blerta Hyska

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>