nga Admin

11 Prill, 2013

Fatos Kongoli

NGA: FATMIRA NIKOLLI

Fatos KongoliËshtë një tregim tragjikisht i bukur. Një autor me vlerë për t’u lexuar e për ta dëgjuar”.

Kështu shkruan Ricardo Martínez në një shkrim të fillimprillit në revistën spanjolle “Revista de Letras” për romanin e sapobotuar në Madrid, “I humburi”, të Fatos Kongolit. Ai e nis artikullin e tij kritik me fjalët: “Duke filluar që nga fakti që ky tekst i mrekullueshëm ka shumë tragjedi në kuptimin grek të fjalës, libri përcjell një të keqe që të përndjek. Njeriu, sa i takon dobësisë që ka përballë asaj fuqie (atëkohë shteti totalitar), i ndodh që si lexues të ndjejë bezdi ta lërë librin nga dora, dhe pse e ka të vështirë të vazhdojë të mësojë historinë që është thënë në të”.

Mijëra shqiptarë që ikin nga vendi në marsin e vitit 1991. Një arratisje, sa nga rreziku i persekutimit policor, aq edhe nga një regjim totalitar që po shembet duke lënë pas gjurmë të thella. Shenjat e sundimit të dhunës, janë të gjalla në çdo qoshe, duke ndjellë, sa frikë nga e kaluara, gjithaq edhe një lumturi boshe e të paqartë për të ardhmen. Ky është sfondi i romanit “I humburi” të Fatos Kongolit, përkthyer e botuar në Spanjë këto ditë. Në qendër të tij është Thesar Lumi, banor në një nga qytezat pranë kryeqytetit. Vendos të shkojë me anije nga Durrësi drejt Italisë, veçse në çastin e fundit ndërron mendje dhe zbret. “I humburi”, është i pari në ciklin e romanëve të shkruar prej Kongolit në fillimvitet ’90, e një ndër ata libra që do të shënonin një sukses të jashtëzakonshëm brenda dhe jashtë vendit.

Kritika
Kritiku e vlerëson autorin shqiptar kur thotë se: “Libri nxjerr në pah edhe një herë (sidomos në këtë rast) mundësinë e jetës që është në gjendje të na prezantojë Fatos Kongoli me një realizëm të tillë bindës, edhe pse bëhet fjalë për copëza imagjinate”. “Ndoshta, – sugjeron ai, – sepse në to është gjithmonë një rrymë e fshehur dhimbjeje: sidomos një burrë apo një grua humbëse… Dikujt i dalin atributet, duke e ditur se sa josh dhimbja në një roman”. Por revista e letërsisë vlerëson edhe faktin që në të njëjtën kohë, autori jep edhe dhuratën e shëlbimit. Duke e njohur vlerën e dinjitetit njerëzor, shkrimtari e bën atë shumë qartë.

“Besoj, si lexues, se sekreti ka të bëjë me faktin që romani i referohet njeriut dhe fuqisë së madhe të gruas, edhe pse janë qenie që ndihen bosh për shkak të regjimit socio-politik që është vendosur. Lexuesi i vëmendshëm vëren se autori e përdor realizmin humbës, si një ankesë kundër doktrinës, sepse, thellë, ai tregon se qëllimi është të shpërfaqet kontrasti midis së mirës dhe së keqes, për të reflektuar se e keqja mbaron e më tej triumfon e mira”, – shkruan Ricardo Martínez në “Revista de Letras”. Kritiku vlerëson shumë një pasazh: atë ku protagonisti (një farë Thesar Lumi) ka mundësinë që të përdorë thikën për të vrarë armikun e tij, por ndërsa e mendon këtë, kupton që kështu “do të ishte tamam sikur t’i jepte fund edhe jetës së vet, sepse edhe ai vetë do të vritej më pas”.

Revista spanjolle shënon se kështu humbësi në fund do të jetë shtypës. Krenaria dhe vullneti, ndjenja e fortë e një koncepti shumë ose pak të qartë të lirisë, do të vijnë me vlerën që meritojnë: ai që ka duruar poshtërimin e fuqishëm, ai që i ka rezistuar vetmisë së ashpër do të fitojë…

“Shihet qartë prania e vazhdueshme e seksit dhe alkoolit, që janë si një mënyrë për t’iu kundërvënë një jete të hidhur. E po ashtu, si për çudi nuk mungon as ironia e as buzëqeshja (nëse ende keni humor, jeni ende mirë)”, -shkruan media spanjolle, duke shtuar se “kështu, lexuesi vjen në përfundimin se ky autor, fatkeqësia e të cilit është siç ka thënë ai, se ka lindur në një vend me regjim totalitar (vendlindja e tij është Shqipëria), merr më në fund një dhuratë: idenë e drejtësisë dhe shpresën”. Protagonisti, një ditë, ndërsa gjendet në bordin e anijes që do ta çojë larg nga shtypja, larg nga vendi i tij, nga padrejtësitë dhe dhuna që gjeneron fuqi të lirë irracionale në mjedisin e vet, vendos të zbarkojë në momentin e fundit. (“Bëre mirë që nuk ike, që nuk u largove. Bëre mirë… mirë”, i thotë e ëma, që nuk është e vetëdijshme se cilat kanë qenë vuajtjet e tij).

“E pra, në fund, Xhoda, i ‘çmenduri’ që ka mëshirë, nuk sulmon. Dhe kështu, përfaqësimi i së keqes hipotetike do të shfaqet përsëri duke lëvizur në drejtim të daljes së varrezave. Dhe ai mendon apo dëshiron të mendojë: ‘Unë nuk mund të them nëse ishin lot ata që binin nga sytë tuaj apo pika vese’.

Të ikim? Nga se duhet të ikim? Çdo gjë duket se na sugjeron se për të ecur para na duhet të ndërtojmë mbi të shkuarën një jetë dinjitoze. Dhe kjo i jep lexuesit një avantazh të rrallë, të bukur dhe të saktë: vlerësimin e vetes, të lirisë dhe të së ardhmes”, përfundon shkrimi i Ricardo Martínez në “Revista de Letras”.

Autori
I pyetur nga “GSH” kur libri u botua në Madrid, se pse shoqëria e lexuesi spanjoll kanë interes për letërsinë tonë, Kongoli, pasi ngurroi, qe shprehur se “Spanja ka interes për letërsinë shqipe, ashtu si edhe për letërsinë e vendeve të tjera të Europës Lindore. Në përgjithësi, Perëndimit i intereson letërsia që u shkrua përkarshi tij”. Sipas tij, parë në këtë prizëm, vendet e Evropës Perëndimore kanë interes për letërsinë e vendeve të vogla, e sidomos letërsinë e rajonit tonë. Shkrimtari, i pyetur nëse interesi në këtë rast është vetëm për letërsinë e Lindjes, apo është në fakt për veprën e dalë prej penës së tij, tregohet tejet modest. Një nga cilësitë e Kongolit njeri e shkrimtar, është padyshim modestia. Mbase pikërisht për këtë, lexuesi e publiku, e do edhe më shumë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>