nga Admin

23 Shkurt, 2015

Letërsi – Muhamedi është në “ferr”, por gjithnjë e më shumë të dhëna sugjerojnë se poema ka burime arabe. 750 vjet nga lindja e Dante Aligierit, studime të reja kanë treguar një lidhje mes autorit dhe botës islamike; se ai nuk e ka fshehur asnjëherë admirimin për të, për t’u censuruar në përkthimin e pasazheve që bënin fjalë për Profetin 

Paolo Di Stefano*

Në përvjetorin e 750 të lindjes së Dantes, një numër i konsiderueshëm botimesh sjellin në skenë, në një fazë historike tragjikisht të ndjeshme ndaj këtyre çështjeve, diskutimin mbi marrëdhënien e Dantes me botën arabe. Ndërkohë, ripropozohet për diskutim klasiku autentik, bazuar në argumentin se: studimi i jezuitit spanjoll, Miguel Asín Palacios, “Eskatologjia islame në Komedinë Hyjnore” (në libraritë italiane nga shtëpia botuese ‘Luni’ me përkthyes Carlo Ossola), që u shfaq në vitin 1919, u bë shkas për ndezjen e polemikave mes dijetarëve danteskë italianë, të skandalizuar nga hipoteza e një ndikimi prej modeleve arabo-islamike mbi poemën e Dantes.

Më pas është zbuluar se në mesin e këtyre teksteve ka vepruar sigurisht i ashtuquajturi “Libri i Shkallës së Muhamedit”, i cili rrëfen udhëtimin e Profetit përgjatë natës dhe ngjitjen e tij në qiell: një vepër (ku origjinalja arabe e shekullit VIII ka humbur) që në Europë u përhap përmes dy versioneve, latinisht dhe frëngjisht.

Noteri toskan, Bonaventura da Signa, i cili u internua pas vitit 1260, ishte autori i përkthimit në versionin latinisht, i publikuar më 1949-n nga Enrico Cerulli dhe që u risoll vitin e kaluar nën kujdesin e vëmendshëm të Anna Longonit (Bur).

Maria Corti pati meritën për ta rimarrë çështjen në fjalë nga kontaktet me kulturën arabo-islamike dhe nga letërsia e krishterë në kohën e Mesjetës dhe po ashtu të thellohej më shumë te hipotezat e një raporti intertekstual mes librit dhe komedisë. Bëhej fjalë gjithashtu për të kuptuar se si Dante ishte në dijeni, duke pasur parasysh hipotezat e vazhdueshme, që i jepte vlerë kësisoj si parim bazë ndërmjetësimit të Brunetto Latini-t, mësuesit të Aligierit, që shkoi në mërgim në oborrin e Alfonsit të Urtë të Toledos; normalisht kjo gjë ishte më e përhapur nga sa mendohej.

Kohët e fundit, filologu Luciano Gargan e gjeti librin e përmendur në inventarin e një biblioteke të vogël të mbajtur nga një murg domenikan, Ugolino, ku këtij të fundit iu dhurua në vitin 1312 në konventën e San Domenico-s në Bolonjë. Gargan pretendon se Dante ka mundur t’i afrohet legjendës islamike gjatë qëndrimeve të tij në Bolonjë. Gjithë kësaj i bashkëngjitet tashmë një studim, i cili do të dalë në numrin e ardhshëm të “Fletore e filologjisë romantike”, drejtuar nga Andrea Fassò (maj-qershor 2015, botues Patron).

Bëhet fjalë për një literaturë të njëanshme të episodit të Muhamedit, sugjeruar nga filologu me origjinë egjiptiane, Mahmaoud Salem Elsheikh, student i Gianfranco Contini-t, redaktor i disa librave me origjinë italiane dhe deri në vitin 2007 përgjegjës i Departamentit Filologjik të Fjalorit Italian.

Saga i dedikon një pjesë të parë trajtimit të rezervuar në disa përkthime arabe, në vargjet “fyese” të Këngës XXVIII të Ferrit për profetin e Islamit dhe djalit të tij Ali: në këngë jepet një dhunë e rrallë verbale, të cilën dy themeluesit e Islamit, të përfunduar në rrethin e nëntë si nxitës të përçarjes, e që shfaqeshin me gjymtime dhe plagë të tmerrshme, e vuajnë si ndëshkim për ndarjet hakmarrëse për të cilat ata ishin përgjegjës.

Kështu, Muhamedi gjendej me mjekër të hequr, ndërsa Aliu me fytyrë të shpërfytyruar nga mjekra deri te balli. Duke mos toleruar një ofendim të tillë, përkthyesit arabë, të dehur nga hipotezat e ndikimeve të kulturës së tyre në poemën danteske, kanë hequr pjesë nga vepra e Dantes në lidhje me këtë gjë. Ndërkohë, në vitin 1930, Taha Fawzi publikon në Kajro një profil biografik të Dantes, me “një analizë të matur dhe të saktë të veprave të vogla dhe një përmbledhje pozitive të tri pjesëve”.

Njëkohësisht, nga 1930-a deri më 1933-n, i takoi libanezit Abbud Abu Rasid, i konvertuar në italian, t’u jepte gazetave një version në prozë, nga ku ishin hequr emrat e Muhamedit dhe të Aliut: “një përkthim i bërë thuajse i palexueshëm nga shumë komente të mbivendosura dhe të ndërlikuara”. Më radikale është ndërhyrja e një jordanezi kristian, Amin Abu Sha’ar, që në përkthimin e tij në prozën e Ferrit, e dalë në Jerusalem më 1938-n, e bazuar në versionin anglez të Henry Francis Cary, vendos të kapërcejë jo vetëm Këngën XXVIII, por edhe të XXIX e të XXX.

Egjiptianit Hassan Uthman iu deshën dyzet vite punë për ta çuar deri në fund një përkthim të “vlefshëm”, i cili u shfaq nga viti 1955 deri më ’69-n, i bazuar tek origjinali dhe i shoqëruar nga një koment i gjerë didaktik.

Por Uthman preu vargjet 22-64, për shkak se ishin “të papërshtatshme për përkthim” dhe ishin “fryt” i një “gabimi madhor”, prej ndikimit që “kishte në atë kohë opinioni i përbashkët për Profetin e madh”.

Tentativës për ta bërë “Komedinë” në vargje, nuk ia doli dot as irakiani Kazim Jihad, i cili në vitin 2002, me kontributin e UNESCO-s, ofroi sipas Elsheikh, “një përkthim absolutisht të pakuptueshëm”: emrat e Muhamedit dhe të Aliut u zëvendësuan nga shpjegime e paranteza në kllapa.

Ky ishte vendimi që mori edhe siriani Hanna Abbud në përkthimin e tij në të njëjtin vit, duke u përpjekur që të “kamuflonte identitetin e personazheve deri sa e bëri të pakuptueshëm ritmin dantesk”. Prej imazheve të Muhamedit të përhapur në mesjetën e krishterë, Elsheikh u fokusua në paraqitjet fyese.

Fillohet nga rëniet e provokuara prej shfaqjes së engjëllit Gabriel, të cilat interpretohen si strategji për të fshehur epilepsinë, dhe vazhdon me rrëfimet që i donin monarkët karrieristë, të cilët mezi po prisnin të bëheshin patriarkë të Jerusalemit (kështu e sheh Ildeberto di Lavardin, kryepeshkopi i Tours, në fillim të shekullit XII) ose pseudoprofetë në krye të hajdutëve (sipas një legjende të trashëguar edhe nga Jacopo da Varazze në fund të shekullit XIII).

Të tjerë (Ricoldo da Montecroce, i vdekur më 1320-n) e përshkruajnë si djall ziliqar për fitoret e të tjerëve.

Kishte edhe një lloj rryme që e imagjinonte si kardinal roman, madje edhe nga familja Colonna: kështu thuhej në referencat toskane të “Tresor” të Brunetto Latini-t. Në të dytën në veçanti, ajo e vitit 1310, ai që me emrin Pelagio donte të emërohej papë, por që nuk ia arriti dot, pasi nuk gjeti dakordësi nga shumica e kardinalëve. Dhe kështu bëhet Malchonmetto (ose Muhamed, i nënkuptuar me domethënien, i lig, sipas etimologjisë popullore), duke u endur i përhumbur e duke predikuar.

Vjershëtori anonim vazhdon të tregojë më pas se Muhamedi sulmohet nga një kope derrash dhe kafshohet nga një dosë, gjë e cila i shkakton mosfunksionimin e trurit, pra vdekjen: ndoshta për këtë gjë, myslimanët nuk e konsumojnë mishin e derrit. Gojëdhënat perëndimore, të kristalizuara në shkrime, kanë për qëllim të tregojnë se Muhamedi ishte “një kristian ose një magjistar mashtrues, i mësuar nga një kristian (me ndihmën e ndonjë hebreu) dhe se Islami është degëzim heretik i Krishterimit”.

Pra Dante nuk bën gjë tjetër veçse qëndron brenda legjendës së epokës së tij. Kënga XXVIII, sipas Elsheikh, është strukturuar mbi një “ngarkim fonetik akustik të segmentuar, që nënvizon agresivitetin brutal të imazheve”, në kërkim të shprehjeve komiko-realiste, “në limitet e vulgaritetit” qëllimisht të orientuara për të pikturuar personazhet me ngjyra groteske dhe madje qesharake që nuk kanë pothuajse asnjë ngjashmëri në të gjithë “Komedinë”.

Por ka edhe më. Studiuesi sinjalizon njëanshmëri rrënjësore mes poemës danteske dhe “Librit të Shkallës”, pra të versionit më antik (mi’raj), i atribuuar Anas ibn Malik-it, dishepullit të Profetit, i vdekur më 712: një tekst i përçuar për një kohë të gjatë gojarisht deri sa arriti, i përpunuar me variacione në vepra latine antimyslimane të përhapura në Europë.

Është një tregim i ashpër i udhëtimit të Muhamedit, por i zbukuruar me elemente që nuk do të merren nga tekstet latine dhe që do të mbeten unikë. Mes tyre është imazhi i Gabrielit, që përpara ngjitjes për në qiell, hap barkun dhe gjoksin e Profetit, e boshatis dhe e pastron, duke e rimbushur më pas me besim dhe urtësi.

Prerja nga “zgavra e gojës deri në fund të ijëve” është ekuivalente thuajse e fjalëpërfjalshme me përshkrimin e Dantes. Kësaj i shtohet edhe hapi që ka të bëjë me Aliun, “si i shpërfytyruar që nga fytyra deri në ballë”, prerja e të cilit ndjek idealisht atë të Profetit (i prerë nga fyti e poshtë), për të shënjuar ndarjen e mëtejshme të Islamit në sunitë dhe shiitë.

Pra, këtë mësim të bazuar në fakte, Dante mund ta ketë ditur vetëm përmes kronikës arabe të historianit al-Athir ose nga ndonjë derivat i panjohur i saj. Nga i përvetësoi Aligieri imazhet e ibn Malik dhe të ibn al-Athir? Nuk e dimë, pse sipas Elsheikh, “mozaiku që përbën njohuritë arabo-islamike të Dantes”, vazhdon akoma të rindërtohet.

Dhe ja ku arritëm në atë që vetë Elsheikh e përcakton si një “hipotezë vërtetë provokative”. Bëhet fjalë për një hamendësim psikologjik, “sindromën e boxhliut”.

Dante hakërrehet me ashpërsi të theksuar kundër modeleve të saj kulturore antike të mëpastajme: ndër to, edhe ndaj perversit Brunetto me ngarkesën e tij të fajeve panarabe (shkrime të gdhendura në gjuhën arabe); por edhe poeti provincial Bertan De Born, i shënjuar te “De vulgari eloquentia” si poeti më i madh i armëve, që shfaqet në të njëjtën Këngë XXVIII me darabuk në duar (vegël muzikore në trajtën e një qypi me fund të hapur e me grykë të gjerë, mbuluar me një lëkurë të tendosur, së cilës i bien me pëllëmbë), duke e sjellë strukturën e këngës në simetri, në pjesën e “borxhlinjve fajtorë”.

Si u ngrit Muhamedi dhe kultura e tij? “Shpagimi” mizor (fjalë e përmendur këtu për të vetmen herë në të gjithë poemën), do të ishte kështu, i gjithi i nënvizuar dhe për paradoks, një rinjohje për të cilën vëllezërit Elsheikh duhet të ndiheshin krenarë. Përtej censurës …

N.A.

*Marrë nga “Corriere della Sera”. Titulli në origjinal: “Komedia Myslimane”

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>