nga Admin

15 Nëntor, 2013

Jean-Yves Guérin, një nga njohësit më të mirë të letërsisë së nobelistit francez Albert Kamy, flet për jetën dhe filozofinë e tij 

Albert Kamy ishte revolucionar, por jo pesimist. Jean-Yves Guérin, një nga njohësit më të mirë të letërsisë franceze dhe asaj të Kamy, ndodhej dje në Tiranë për të marrë pjesë në konferencën kushtuar 100-vjetorit të lindjes së nobelistit francez, që u zhvillua në ditën e dytë të Panairit të 16 të Librit. “Në fund të jetës, Kamy u bë pjesë e të majtëve, pasi pas luftës, më 1956-n socialistët nuk ishin socialistë. Ai luftoi konservatizmin për një të majtë sociale dhe ideale. Ai ishte gati për të qenë revolucionar, por jo pesimist për të ardhmen, ndaj foli për reformat sociale. I revoltuar nga sistemi i drejtësisë dhe nga regjimi, ai theksonte në shkrimet e tij se: Njeriu i revoltuar është një njeri që di të thotë JO. Ai i thoshte jo shtypjes. Ndaj dhe ‘murtaja’ u bë një vepër antifashiste. Alegoria e kësaj vepre është polisemiste, dhe ka shërbyer edhe për protesta në ditët e sotme, si pranvera arabe. Mendimi i Kamysë apo revolta e tij është kudo. Ai kundërshtoi kapitalizmin, por në të njëjtën kohë edhe stalinizmin. Pra ai nuk kundërshtoi kurrë vetveten, ndaj dhe mbetet shkrimtar i politikës”, tha Guérin. Profesori i letërsisë franceze në Universitetin e Sorbonës, e analizoi portretin e Kamysë në një këndvështrim të ri, atë të shkrimtarit të politikës. Sipas tij, një pjesë e rëndësishme e veprës së shkrimtarit algjerian, si “I huaji”, “Rënia” “Miti i Sizifit”, lidhen ngushtësisht me disa nga betejat e tij kundër totalitarizmit. Sipas tij, Kamy mbeti një qytetar dhe një gazetar i revoltuar. “Meqenëse veprat e Kamysë janë të njohura në shqip, në referatin tim jam mbështetur në disa shkrime mbi autorin, të cilat nuk janë përkthyer ende në gjuhën tuaj. Kamy nuk e konsideronte veten si intelektual, aq më tepër si ideolog, por si vëzhgues, gazetar e historian dhe qytetar i revoltuar. Atij nuk i pëlqente qëndrimi i mjeshtrit. Në disa ese të tij, Kamy theksoi se nuk i njeh ideologjitë. Iu kundërvu stalinizmit dhe të gjitha ideologjive totalitariste, duke pasur parasysh pragmatizmin. Për këtë arsye veprat e tij, shumë herë u cilësuan si vepra të dështuara. Por Kamy këmbënguli dhe tha se bota e kishte gabim. Shkrimet e tij u bënë referencë për demokratët. Idetë demokratike u mbështetën edhe nga mendimtarët francezë. Publiku e priti shumë mirë, ndërsa Sorbona e injoroi shkrimtarin, ndërsa më pas do ta quante ‘miku më i madh i francezëve’”, u shpreh Guerin . Konferenca me temë “Kamy, përçuesi i ideve demokratike”, u organizua nga Ambasada Franceze. Të pranishëm në aktivitet ishin edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ambasadorja e Francës në Tiranë, Christine Monro, drejtori i Institutit të Albanologjisë, Ardian Marashi, profesori i filozofisë në Universitetin e Tiranës, Gjergj Sinani, si dhe kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri. Në stendën e ambasadës franceze u çel edhe një ekspozitë, e cila ofron informacione pa fund mbi jetën dhe veprën e shkrimtarit. Ekspozita “Albert Kamy, 1913-2013”, është ndërtuar në mënyrë të tillë që të tërheqë rreth vetes sa më shumë vizitorë e në veçanti brezin e ri, i cili është edhe përdoruesi i teknologjive më të fundit në fushën e komunikimit. Nëpërmjet shkarkimit të aplikacionit “Albert Kamy”, në tabletat apo smartphonët personalë, zbulohet një botë e tërë, fotografi, tekste, materiale zanore etj.

 

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>