nga Admin

9 Shtator, 2014

Met Dervishi, autori i librit “Intertekstualja dhe disidentja te ‘Dimri i vetmisë së madhe’”, nga botimet “Saras”, flet për disidencën dhe mungesën e studimeve në letërsinë e Kadaresë

Met-DervishiMet Dervishi ishte student i Letërsisë në Universitetin e Tiranës, kur “Dimri i vetmisë së madhe” doli në treg. Ashtu siç kujton ai sot, zhurma për këtë libër do ta ndante shoqërinë në dy grupime, në liberalë dhe konservatorë. I sugjestionuar gjithnjë pas letërsisë së Kadaresë, ky libër do të mbetej gjatë tek ai si një pikë ku një ditë do të kthehej, si për të kuptuar zhurmën që gumëzhinte Tiranës së viteve ‘70. Sot, pedagog i Letërsisë, Dervishi sjell për herë të parë një studim të plotë mbi një vepër.

Së fundi, ju keni botuar punimin tuaj “Intertekstualja dhe disidentja te ‘Dimri i vetmisë së madhe’” … Pse Kadare, dhe pse pikërisht “Dimri…”?

Në një farë mënyre, me këtë punim, unë po i kthej Kadaresë borxhin që i kanë atij studimet shqiptare. Në tri momente, për mua thelbësore. I pari ka të bëjë me ndikimin e tij në formimin tim, si dhe në formimin e krejt brezit tim. Kadareja, me poezinë dhe prozën e tij, na orientoi ne drejt “liberales”, antikomunistes e europianes. Te vepra e Kadaresë ka një konstante që është identiteti europian i shqiptarëve. Atëherë sa mit, po aq dhe realitet, natyrisht një realitet i fshehur nën koracën e diktaturës. Së dyti, me punimin tim unë mëtoj t’i kem dhënë një përgjigje shkencore paradoksit të receptimit të Kadaresë pas viteve ’90. Ne të gjithë, kush më shumë e kush më pak, gjatë këtyre njëzet e ca vjetëve, herë pas here jemi gjendur përballë fushatave anti-Kadare. Ato vijnë vazhdimisht, ngrenë mjaft pluhur dhe, siç kuptohet, lënë dhe mjaft pluhur në opinionin tonë publik, po dhe atë shkencor. Brenda këtij paradoksi është dhe një tjetër, shqiptar më shumë, po dhe ballkanik. Nëse kemi një shkrimtar, të cilit i pranohet disidenca në Perëndim dhe jo vetëm, po kudo ku është botuar vepra e tij (atje s’merret kush me jetën, po me veprën e një shkrimtari), jemi ne vetë ose një pjesë e jona që u kthehet biografive, raporteve politike, nxirosjes e baltosjes, çka tregon se diktatura ende fle në vetëdijen tonë kolektive. Së treti, unë gjithnjë kam besuar e besoj që, vepra e Kadaresë është një sfinks, studimi i mekanizmave stilistike të së cilës është një gur prove për shkencën shqiptare, për europianizimin e saj. Kadareja është një laborator krijues, unik në shekullin e 20 dhe atë të 21. Ne duhet ta studiojmë këtë laborator, jo thjesht për t’ua dhënë brezave, siç thuhet rëndom (dhe kjo është një stilemë politike komuniste që ende mbijeton), por për të krijuar kushtet që të kemi një letërsi konkurruese botërore, të kemi të tjerë Kadare të universit shqiptar. Pra, përveç se të krenohemi, ne duhet ta studiojmë, duhet të depërtojmë në të fshehtat e këtij laboratori. Përpos të tjerash, në këtë mënyrë shkenca shqiptare, konkretisht kritika e tekstit, ngrihet në nivelin e veprës së Kadaresë. Në këtë kuptim unë mëtoj t’i kem dhënë Kadaresë, por dhe opinionit tonë shkencor e atij publik, një provë se dhe shkenca jonë mund t’i përgjigjet Kadaresë në nivelin e veprës së tij, pra në nivelin Perëndimor.

Po pse pikërisht jeni ndalur te “Dimri…”

Dimri është një nga kulmet e Kadaresë. Kjo, nga aspekti i kristalizimit të fenomenit Kadare si mjeshtër i madh i prozës moderne. Por, njëkohësisht, ky është dhe libri që, në pamje të parë, duket se “u jep dorë” opinioneve se Kadareja është shkrimtari që ka ngritur kultin e diktatorit, partisë, luftës së klasave etj. Dhe që tani, pra pas rënies së diktaturës, simulon disidentin … Kësisoj, duket sikur ka një këmbëngulje djallëzore që “Dimrin” letrar ta shndërrojnë në një dimër vetmie të autorit të vet pas rënies së diktaturës …

Ndërsa ju thoni të kundërtën në punimin tuaj …

Saktësisht të kundërtën. Madje simetrikisht të kundërtën … Në këtë rast, në këto fushata kundër tij, kemi dhe një pandershmëri tjetër intelektuale, po kemi dhe një paradoks tjetër …

Pse pandershmëri intelektuale?

“Dimri i vetmisë së madhe” është pritur me ulërima komuniste kur është botuar. Kundër tij është orkestruar një fushatë tipike staliniste që ka zgjatur me muaj të tërë … madje është pritur dhe arrestimi i autorit … Dhe për këtë duket sikur heshtet, shkenca shqiptare pas ‘90 hesht, jo vetëm ajo letrare, jo vetëm katedrat etj., etj. Dhe jo vetëm letërsia që duhet ta studiojë atë fushatë, por dhe sociologjia jonë, shkencat e komunikimit, politologjia, semiotika e tekstit, kulturologët etj. Ajo fushatë është dëshmia më autentike e disidencës shqiptare, e cila është e dokumentuar … Për këtë dokumentim duhet falënderuar prof. Shaban Sinani (Dosja Kadare).

Ju folët për arrestim?

Unë kam qenë student kur është botuar ky libër. Atëherë jo vetëm te ne, studentët, po krejt vendi u përfshi në diskutimet për këtë libër. Dhe, siç ndodh zakonisht në kësi rastesh, njerëzit u ndanë në pro dhe kundër. Natyrisht që ky debat, duke qenë student, ka ndikuar thellë në formimin tim, por dhe të brezit tim. Atëherë kishte një moment liberalizimi në shoqërinë shqiptare. Debati për këtë vepër, por dhe për Festivalin e 11 të Muzikës etj., e ndau shoqërinë e asaj kohe në dy grupime, në liberalë e konservatorë dhe, në këtë rast, Kadareja shihej prej nesh, studentëve, por jo vetëm, si lider i liberalizimit, nënkupto europianizmit. Kurse dënimi i librit nga sistemi ka qenë një mesazh kërcënimi për krejt fluksin liberal të shoqërisë shqiptare nën diktaturë.

Pastaj pati një periudhë heshtjeje për librin?

Në atë kohë ka pasur njerëz që e kërkonin hapur arrestimin e Kadaresë. Kjo nuk ndodhi, dhe pas tre vjetësh, kinse i ripunuar, libri doli me një titull tjetër, “Dimri i madh”. Në pamje të parë duket sikur autori është pajtuar me vërejtjet në ribotimin e tij, por në të vërtetë kemi thjesht një trukim të librit të parë. Kushdo mund të bindet për këtë gjë me një krahasim të thjeshtë të të dy teksteve. Po t’i krahasosh sot, e kupton sakaq guximin që ka pasur Kadareja në atë kohë për të mos reflektuar me kinse ripunimin e tij, vërejtjet e partisë dhe të “popullit”. Duket si kryeneçe, po kështu ka ndodhur dhe, përveç të tjerash, edhe kjo ka të bëjë me Gjirokastrën, me sokakun e të marrëve, por ka të bëjë dhe me stofin e një shkrimtari të madh që nuk bën kompromise me politikën për artin e vet.

Po pse mendoni ju, partia e asaj kohe “bëri sikur nuk kuptoi”?

Kjo duhet studiuar, duhen studiuar rrethanat e asaj kohe, izolimi apo vetizolimi i udhëheqjes komuniste. Por dhe në pranimin e tekstit të ri, pra të “Dimrit të madh”, diktatura është treguar finoke. Ajo e përvetësoi tekstin sipas mënyrës së saj, e përdori për qëllimet e saja propagandistike, për të ngritur kultin e partisë, udhëheqësit etj., etj. Pra, propaganda e shndërroi “Dimrin” në një pllakat komunist, por, duke lëpirë në të njëjtën kohë dhe jargët e kritikës që i kishte bërë atij, shkrimtarit, fushatën kundër tij, izolimin trevjeçar etj. Këtu kemi sërish një paradoks tjetër …

Sërish paradoks?…  

Shkenca ndërton dhe destrukton paradokse… apo jo?… Në këtë rast paradoksi qëndron në faktin që antenat antiKadare përcjellin jo tekstin vetë, jo fushatën kundër tij, po mënyrën se si u soll me të propaganda komuniste për qëllimet e saj politike. Në rastin më të mirë kjo është pandershmëri intelektuale, kur është fjala për intelektualë. Sa për opinionin publik, ka njerëz që s’e kanë lexuar asnjëherë “Dimrin”, po mbajnë mend vetëm atë çka u është thënë për të nga “partia” në tekstet e shkollës së mesme  Ata që e kanë mbaruar të mesmen para ’90-s). Kjo shpjegon dhe vrullin e tyre antiKadare nëpër rrjete sociale, sa herë bie fjala për të… Po në fakt, ata e kanë me propagandën komuniste, të cilën paradoksalisht, e identifikojnë me Kadarenë, që në këtë rast ka qenë viktimë e saj… Kuptohet që Kadare në atë kohë ishte i pafuqishëm, madje krejt i pafuqishëm, për të ngritur zërin kundër keqpërdorimit të librit të tij… Po këtu kemi dhe një gjë tjetër, që ka të bëjë me revolucionon kulturor kinez… Pra, me një deformim të shoqërisë shqiptare në raportet e saj me intelektualin, shkrimtarin…

Çfarë keni parasysh me këtë?…

Shoqëria shqiptare e pas vitit ‘90 ka pranuar që të udhëhiqet në tranzicionin e saj me liderë politikë që vinin nga kuzhina komuniste. P.sh. Sali Berishën, ish-sekretar partie, mjek i udhëheqjes etj., Fatos Nanon, ish-punonjës i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste… As njëri as tjetri prej tyre nuk kishte pasur problem me diktaturën, madje ishin njerëz të saj. E megjithatë, shoqëria i respektoi për konvertimin që bënë, u shkoi mbrapa, i duartrokiti, madje dhe iu servilos. Ndërsa me Kadarenë që kishte rekorde problematike me diktaturën, një pjesë e kësaj shoqërie dhe sot e kësaj dite hidhet përpjetë dhe e ngre zërin në qiell kundër tij… Pse këto dy standarde? Sepse Kadare është intelektual, shkrimtar, ai s’ka seli partie me vete, s’ka megafonë politikë, s’ka votues. Kadare ka vetëm lexues. Kundër tij mund të thuash ç’të duash, askush s’të kërkon psenë e psetë, madje dhe mund të duartrokitesh. Dhe kjo vjen sepse edhe te ne ka pasur një revolucion kinez që e zhburrëroi intelektualin, shkrimtarin… e çonte atë në punë prodhuese, e fshatarizonte, e kërcënonte me bukën e gojës…

Po kemi kult të diktatorit, të partisë te “Dimri…”? Pastaj, dhe… disidencë… sikur nuk shkon…

S’do mend që nuk shkon. Po, ndërkaq më lejoni të bëj një parantezë. Opinionet për Kadarenë shkojnë nga ekstremi në ekstrem, pra nga disidenti në shkrimtar komunist… Edhe në Shqipëri… Pranohet që tek ai ka dritëhije, pranohet që ka vepra të tij disidente ( Pallati i ëndrrave, Piramida etj.) Kurse për “Dimrin…” ka një opinion që ia var si gur në qafë, duket sikur i thonë “hë, këtu të kemi kapur, s’ke ku luan!” Por, opinionet duhen shndërruar në argumente shkencore… përndryshe janë vetëm opinione që ngrenë stuhi pluhuri… Dhe, kur ka stuhi të tilla pluhuri, askush nuk sheh asgjë. Këto stuhi, që janë bërë ciklike këto vite, duket sikur kanë një qëllim: të provojnë që shqiptarët s’kanë pasur aftësi për të prodhuar disidencë.

Dhe është vërtet kështu?…

Në punimin tim e keni një përgjigje për këtë. Por kjo përgjigje vjen në përfundim të një analize shkencore.

Ç’rrugë keni ndjekur?…

Duke studiuar laboratorin krijues të Kadaresë te “Dimri…” Kritika jonë, si dhe ajo e huaj, kanë vënë re me kohë fuqinë sugjestionuese të prozës së Kadaresë, sidomos surealen tek ajo. Unë fillimisht kam parë receptimin e “Dimrit” në kohën e botimit, kur u pajtua me kodin, dhe sot. Në kapitullin e dytë, kam parë skemën e tij krijuese në aplikim të teorisë së M. Bachtin për tekstin monologjik dhe dialogjik. Në kapitullin e tretë kam ndjekur ideologjemat e “Dimrit” përkundrejt klisheve politike të kohës së botimit, kurse në kapitullin e katërt kam shqyrtuar raportet ndërmjet hipo e hipertekstit, në aplikim të teorisë së Gerard Genette.

Në përfundim?…

Më del që Kadare është unik në dialogjizmin e tij/ polifoniken. Së pari, sepse në dallim nga Dostojevskij apo Joece, te proza e Kadaresë nuk ka “autor ideolog”. Te proza e Kadaresë horizonti i autorit del në përgënjeshtrim të vetvetes, dhe këtë e kam vërtetuar në tekst. Duhet kuptuar këtu që teoria e sotme e tekstit te dispozitivi stilistik sheh një vizion të botës, dhe vizioni polifonik/ dialogjik nuk është e nuk ka se si të jetë marksist, sepse estetika marksiste ishte ndërgjegje normative. Kurse polifonikja është pluraliste, personazhet në prozën polifonike janë njerëz -ide( Bachtin) dhe kanë sovranitet të plotë në raportet me horizontin e autorit.

Duken të gjitha si terma me të cilat nuk jemi mësuar?…

Kjo është gjuha e shkencës së sotme… Por për një gazetare, që duken si terma tjetërsoj, s’ka problem… Problemi është te katedrat, te rezistenca e institucioneve që kanë vulën dhe atributet shkencore…

Pse ka pasur rezistencë?

Natyrisht… Unë me tezën time kam aplikuar para dy vjetësh në QSA. Në tri fazat e selektimit, teza kaloi me sukses, por u ndal në seancën e katërt, në mënyrë misterioze, u bllokua dhe u refuzua… Kjo, natyrisht që ka të bëjë me Kadarenë, por dhe me mua, dhe me shkrimet e tjera që kam bërë për Kadarenë, në stuhitë ciklike që ngrihen kundër tij. Pastaj aplikova në një universitet tjetër, po dhe atje kishte problem me termat, me konceptet… Një lloj kalvari, një lloj haraçi që ende ia paguajmë shkollës socrealiste të kritikës… Dhe në një mjedis të tillë, te ne ka ndodhur që dhe tezat e doktoraturës janë shndërruar në treg, siç ka ndodhur me masterat, diplomat. Prandaj kam thënë në hyrje të punimit tim që ata që më kanë penguar më kanë bërë më këmbëngulës e kokëfortë…

Dhe të kthehemi te disidenca e “Dimrit”…

Momenti i parë, siç e thashë, ka të bëjë me skemën krijuese dialogjike/polifonike të Kadaresë. Por, kaq natyrisht, nuk mjafton. Ndërkaq, në kapitullin e ideologjemave të tekstit vërtetohet katërcipërisht disidenca, si disidencë politike tashmë e jo estetike. Kam dhe një nënkapitull “Enver Hoxha versus Enver Hoxhës” aty. Dhe del një tjetër Enver Hoxhë, një maskë e tij, siç e quan Kadareja vetë. Ndërsa në kapitullin e fundit kam vërtetuar që në hipotekst të “Dimrit…” kemi përbindëshin ( Qendra e tij, Moska, salla Gjeorgjevskiaja) dhe heroin shqiptar, delegacionin që e sfidon atë. Pra kemi një gjë krejt tjetër nga përfytyrimi enverist për luftën kundër revizionizmit modern etj., etj. Në të vërtetë, “Dimri”… i Kadaresë është një tekst i sfidimit të “përbindëshave gjeografikë”. Selia e komunizmit botëror te Kadare shndërrohet në skemën e tij krijuese në një qendër përbindëshash. Dhe kjo, natyrisht, që është disidencë politike. Por dhe një temë universale. Kjo shpjegon dhe faktin e përkthimit të tij dhe sot e kësaj dite nga vende të ndryshme, kjo shpjegon dhe çmimet që merr Kadare sa në një vend në tjetrin, madje kjo shpjegon dhe shpërthimet e herëpashershme në shtypin perëndimor që atij nuk po i jepet ende çmimi “Nobel”.

A.Bardhyli

  • Analize shkencore e studiuesit e pedagogut, Met Dervishi qe me mbush me shprese se ne Shqiperi ka studiues e vleresues te guximshem. Librin, “Dimri i Vetmise se Madhe” e kam lexuar brenda 24- oreve pa mbyllur sy kur isha mesues ne Kalimash te Kukesi, ne vitin 1973 e u çudita nga kritikat e qellimshme te disa kritikucve te kesaj vepre ne gazeten ” Drita”, e “Bashkimi”. Heshta se ashtu ishte koha dhe symbyllurazi u pajtova me kritikucat, por sa vinte e me shtohej ne shpirt realiteti qe pershkruente Kadare. Antisovjetizmi ishte nga udheheqja e atehershme vetem per kompromis me kinezet, sepse Hrushovi e B. Sovjetik e kishin kuptuar heret fallcitetin e socializmit ” nga fitorja ne fitore ” E. Hoxha kundershton ne Moske sovjetiket vetem se donte t’i zgjaste jeten pushtetit te vet autokratik qe t’ mos hapej drejte Perendimit ashtu si po bante Bashkimi Sovjetik. Kadare, per mua, asht disident me nje pjese te mire te veprave te Tij. Nga krijimet e tij kemi mesuar shume me teper se nga gjithe shkrimtaret e realizmit Socialiste te marre se bashku per domosdoshmerine e permbysjes se nje rregjimi gjakatar e mashtrues si e shohim te veprat e Kadarese, ” Nepunesi i Pallatit te endrrave”,poema “Pashallaret e Kuq”, etj.
    Duhet te krenohemi me Kadarene, Gjergj Kastriotin e nana Terezen.

  • {"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
    >