nga Admin

16 Tetor, 2012

Adoleshenti, Fjodor Mihajllovic Dostojevski

Adoleshenti, Fjodor Mihajllovic DostojevskiUnë mendoj kështu: kur qesh një njeri, nuk shihet dot me sy! Se të qeshurit ia bën më të theksuar vulgaritetin njeriut, i theksohet diçka poshtëruese, ndonëse vetë personi as që dyshon ndonjëherë për këtë. Se as këtë s’e dimë: çfarë shpreh fytyra jonë kur flemë?

Dikujt i shpreh mençuri, një tjetri i shpreh banalitet, deri idiotësi, një i tretë kur fle, duket qesharak. Nuk di nga se vjen; ajo që desha të them është se si në rastin e parë, ashtu edhe në të dytin personi nuk di asgjë. Ka shumë që nuk dinë të qeshin, ndonëse këtu dija s’para hyn në punë; të qeshurit është dhunti, s’ke si e rregullon. Diçka edhe e arrin, duke i mposhtur brenda vetes instinktet e këqija, por fare pak.

Shumëkush e tregon veten si në pëllëmbë të dorës kur qesh. Kurse mua deri edhe e qeshura e mençur më është e pështirë. Them se kërkesa e parë për të qenë e qeshura ashtu si duhet, është të qenit i sinqertë. Po ku e gjen atë te njerëzit? Të qeshurit e sinqertë parashikon mposhtjen e ligësisë, po pse e lehtë është kjo? Ndaj dhe jo rrallë njerëzit qeshin me ligësi.

Kur shoqërohet nga sinqeriteti dhe privohet nga ligësia, të qeshurit del i gëzueshëm, i ëmbël, por ku e gjen gëzimin dhe ëmbëlsinë ndër njerëzit? Se të qenit i gëzuar është tipari më i shquar i njeriut! Por ndodh edhe kështu: orvatesh dhe jo pak të zbërthesh një karakter dhe s’ia arrin dot, mjafton që njeriu të qeshë, dhe karakteri i tij të hapet si në pëllëmbë të dorës. Kuptohet, kur të qeshurit është i sinqertë. Njeriu di të qeshë me zemërmirësi vetëm atëherë, kur ka zhvillim ngjarjesh lumturuese.

Nuk e kam fjalën për nivelin e zhvillimit mendor të njeriut, po flas për shpalosjen e karakterit të tij përmes të qeshurit, për tërësinë e vetive si njeri. As heshtja, as të qarët, as të folurit, as të emocionuarit nga veprimet fisnike të të tjerëve nuk arrijnë dot ta tregojnë njeriun aq sa e tregon të qeshurit. Qesh mirë, domethënë, është i mirë! Në iu rëntë në sy qoftë edhe një gram marrëzie në të qeshurit e tjetrit, dijeni, ky njeri s’e ka të theksuar dinjitetin vetjak.

Qoftë edhe kjo: dikush prej natyre është tejet i komunikueshëm, por ju duket disi banal e deri i lëshuar në sjelljen me njerëzit, dijeni se është natyrë vulgare; në rast se ju bie në sy në sjelljen e tij diçka fisnike, dijeni se o shtiret, o e ka të huazuar nga të tjerët. Ky njeri me kalimin e kohës ka për të ndryshuar për keq! Një i tillë mund të kapet pas “të dobishmes”, por ciniken do ta flakë pa pikën e keqardhjes, ashtu si këmbejnë njëra – tjetrën edhe shkulmet rinore, frelëshuara të të qeshurit të tij të ngazëllyer.

 

Mbi autorin

Fjodor DostojevskiFjodor Dostojevski ka lindur më 11 nëntor 1821, Moskë, Rusi. Jeta e autorit rus Fjodor Dostojevski, ndër figurat më të shquara të literaturës botërore, ishte dëshmi e kësaj lloj vuajtjeje. Në moshën 15 vjeçare nëna i vdes nga tuberkulozi; dy vjet më pas vdes gjithashtu edhe i ati, një alkoolist i dhunshëm, për të cilin besohet se u vra nga shërbëtorët e tij.

Në vitin 1849 Dostojevski dhe kolegët e tij në rrethin radikal politiko – letrar “Petrashevski”, arrestohen dhe burgosen. Më pas dënohen me vdekje më 16 nëntor 1849. I gjithë grupi u detyrua që të qëndronte në të ftohtin e acartë në pritje të skuadrës së pushkatimit. Në minutën e fundit vendimi u anulua. Cari Nikolaj, duke i konsideruar grupe të tilla si subversive dhe dëmtuese për pushtetin e tij, i vendoste të burgosurit përpara një ekzekutimi ritual simbolik, më pas e anullonte vendimin në momentin e fundit si shenjë e mëshirës së tij për të dënuarit.

Si rezultat, Dostojevski u burgos dhe u dënua me punë të rëndë për 4 vjet në një burg në Siberi dhe 4 vite të tjera me shërbim të detyruar në ushtrinë ruse. Vetëm pas 10 vjesh kthehet në Shën Peterburg.

Fjodor Dostojevski është autori rus i shekullit të 19-të që ka shkruar novelat klasike si: “Krim dhe Ndëshkim” (1866) dhe “Vëllezërit Karamazov” (1880). Dostojevski iu kthye jetes së shkrimtarit si profesion pas një karriere të shkurtër ushtarake, ku në vitin 1846 publikoi novelën e tij të parë “Njerëz të varfër”. Ai u bë i famshëm për krijimin e “heroit të rrugës”, një protagonist i mohuar nga shoqëria dhe në kërkim të shpengimit. Në novelat e tij ai eksploron temat e mëkatit, moralitetit dhe shpengimit të njeriut modern.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>