nga Admin

16 Shtator, 2014

Histori – Ese publike

PAX ALBANICA – Mbi myslimanizmin dhe besimet fetare në Shqipëri

BAJRAM PEÇI

Feja - Kisha dhe Xhamia ne Ferizaj - 17 dhjetor 2013-Driton Bublaku (4)-1398544307Publicisti i njohur, Mustafa Nano, përmes Shtëpisë Botuese “Saras”, vjen te lexuesi me të dytën vepër të llojit historik e me karakter studimor, që ndjek “Unë jam Gegë”. Autori, me “Pax Albanica”, i sjell lexonjësit një libër, që merr përsipër të japë ndihmesën e tij me esetë shpjeguese për besimet fetare në Shqipëri, posaçërisht atë mysliman. Mëton ta bëjë këtë duke përcjellë argumente të shoqëruara përmes një morie të domosdoshme referencash e studimesh, çka i jep që në krye përmbajtjes tipare tërheqëse dhe e drejton lexuesin në hapësirë të besueshme. Tema të dërgon natyrshëm te një varg qëndrimesh që lidhen me fenë, por më së shumti ngërthehen me dijet e qëndrimet sa mes të paanshmit aq dhe të anshmit. Që në krye vlen të thuhet se vepra përbën një punim me karakter studimor, në të cilën autori orvatet me skrupulozitet serioz të përshkruajë myslimanët në Shqipëri në gjashtë kapituj, prej ku marrin rrugë gjegje e qëndrime për kombin dhe fenë; për rrethanat e ndryshimit të fesë së të parëve; për shkujdesjen fetare të shqiptarëve; për marrëdhëniet me të krishterët; për elitën laike dhe perëndimore; tarikatin bektashi, etj. Të gjashtë kapitujt janë tërheqës, të kuptueshëm dhe të shoqëruar me shpjegime të thjeshta e bindëse. Vështrimi i M.Nanos mbi fetë, lexuesit shqiptar i vjen në kohë si një shtesë e mirëpritur dhe jam i sigurt se do i vlejë për ta renditur atë në ballinën e etazherit bibliotekar të emrave të shquar të fushës.

 

Vrojtim historik i autorit mbi lëvizjet fetare

kalores muslimanAskush deri më sot, pavarësisht dhjetëra studimeve e botimeve, nuk ka mundur të shpjegojë në mënyrë bindëse misterin e madh që mbulon shkakun se pse raca shqiptare, një nga popujt e parë me rrënjë të krishterë, u myslimanizua thellësisht, shkak që e nxit më së tepërmi autorin Nano në hulumtimin më tej të shkaqeve, që jo pak kanë munduar studiues të mëparshëm. Prej tyre kemi lexuar pikëpamjet studimore si: shndërrimi me forcë apo trysnia e lartë sociale mbi shqiptarët, si hakmarrje për rezistencën skënderbejane; përçarja e brendshme fetare apo urrejtja ndaj ortodoksisë greke; paganizmi apo karakteri dekadent i krishterimit; të qenët e shqiptarëve materialistë të mëdhenj apo natyra luftarake e liridashëse në konflikt me kufizimet e krishtera? Autori, një pjesë të hamendjeve të mësipërme dhe vellon e misterit që i mbulon, kërkon me ngulm t’i zbulojë e t’i dallojë në këndvështrimin e tij. Për këtë, si një polemist i mirënjohur mbi të vërtetën, veçon qartë atë çka duhet të mbetet e lirë te njeriu, çlirimin (të paktën) e ndërgjegjes!

Një gjë është e vërtetë (ose ka qenë bindje) në brezin tim të njësimit arsimor: të qenët në shumicë myslimanë, na la të vetmuar, pa miq, na la në mëshirën e fqinjëve. Kjo, nëse është e vërtetë, e shoqëron ende Shqipërinë në rrugën e saj dhe zgjon (për mendimin tim) ëndrrën për të thirrur kohërat e otomanëve të rinj. Plot intelektualë kureshtarë e të pasionuar pas punëve e të shkuarës së Shqipërisë, shqiptarë e të huaj, janë thelluar vazhdimisht në këtë çështje dhe gjasat janë që të mos ketë gjëra të rëndësishme që t’u jenë përvjedhur vëmendjes së tyre. Është arsyeja që prej kohësh secili syresh nuk bën gjë tjetër, përpos ndonjë saktësim, ndonjë nënvizim e ndonjë shpjegim, që në panoramën e përgjithshme shtojnë pak. Në “Pax Albanica” gjërat qëndrojnë paksa më ndryshe. Për të njohur të vërtetën mbi fenë myslimane të këtij populli të lashtë, Mustafa Nano e gjen me vend t’i studiojë etapat e shndërrimet me vëmendje, me të njëjtën thirrje interesi sikur të jetë nisma fillestare e shpjegimit dhe me një mendje po aq të çlirët sa mendja me të cilën fshin krejt ndjenjat e natyrshme që jo rrallë preken nga “patriotizmi”. Në vepër bie në sy që në krye se autori, me dëshirën e madhe për dije, ka shfrytëzuar biblioteka dhe ka gjurmuar në shërbim të përmbajtjes emra e vepra të autorëve të spikatur në fushë të çështjes. Shihet qartazi se është dhënë me pasion pas argumentit të shoqëruar me referencë nga studimet, përmes të cilave është pasuruar dhe është pajisur me njohuri nga dhjetëra e dhjetëra autorë (Kam veçuar mes tyre më të rëndësishmit: mbi 25 autorë shqiptarë dhe më se 50 të huaj).

Fillimisht, Nano i jep një përgjigje të drejtë pyetjes që ai bën, se “Në Shqipëri nuk ka pasur ngulime turke”. Nga të ardhur në Azinë e Vogël, turqit, me përkatësi të racës mongole e tartare, si kërkues kullotash për dhentë e fiseve selxhuke ata e shndërruan veten në trashëgimtarë të Perandorisë Bizantine dhe udhëheqës shpirtërorë të besimit islam, besim fetar i marrë nga arabët. Ajo që vlen të nënvizohet këtu është se raca e tyre mongolo-tartare dallon qartazi nga ajo shqiptare, gjë që përpos vrojtimit historik të lëvizjeve i jep argument autorit të pozicionohet në mënyrë të prerë. Autori vë në dukje se ka pasur tek-tuk fanatizëm më të spikatur, si në Shkodër, për shembull, por jo ngulime turke! Më tej, autori mbërrin te një përfundim tejet ngacmues, se “…shqiptarët asnjëherë s’e kanë vënë ujin në zjarr për fetë”. Këtij përfundimi i kushton një kapitull të tërë, përmes të cilit shpjegon shkujdesjen fetare, që e përcakton si tipike të shqiptarëve.

 

Myslimanë, por të rrethuar nga liria

Gjatë faljes së namazit (1)Fitorja e krishterimit shënon te parakombi ynë fundin e shoqërisë antike. Jetoi me këtë besim, të paktën një mijë vjet. Së bashku me vendosjen e besimit të ri pesëqindvjeçar mysliman, përfundon edhe ai shndërrim shoqëror që kemi si strukturë sot. Historia e shqiptarëve përbën një dëshmi dhe një shembull rreth lidhjes së ngushtë që ekziston gjithnjë mes ideve e besimeve fetare, inteligjencës njerëzore dhe gjendjes shoqërore të një populli, histori të cilën autori e sjell si bindje se, “Kombi i pari, feja e dyta”, e cila ilustrohet me plot argumente mbi përdorimin mysliman të alkoolit, faltoret e përbashkëta, zbulesa e grave dhe martesat e përziera. Kjo lloj lirie që na ka rrethuar, është folur pa reshtur nga vendas e të huaj.

Si është e mundur që një besim fetar si myslimanizmi, që ishte aq larg nga gjithçka në rite, kulturë e sjellje prej kristianizmit, arritën të ngriheshin dhe të mbretëronin mbi pasionet e fanatizmin e krishterë? Cili mund të ishte ai parim i lartë, që u dha myslimanëve e të krishterëve shqiptarë autoritet mbi mendjen njerëzore, përpos kombit? Një arsyetim në mbështetje të pikëpamjes së tij, M.Nano e ndërmerr me guxim përsipër përmes pyetjes: a bëmë mirë e keq që lamë fenë e të parëve?, por, duke bërë shumë kujdes që të mjaftohet përpos se me qëndrimet e disa figurave të rëndësishme publike, si Konica, Kadare, etj., duke qenë vetë i bindur se shoqëria ndryshon fytyrë. I tillë ka qenë ligji i shoqërive; ndryshimi u është nënshtruar pëlqimeve të fitimtarit, gjë që më shumë se kudo duket në përshkrimet e udhëtimit të Evlija Çelebiut. Si kronist i sundimtarit, ai nuk ngurron që dhe emrat e lashtë të trojeve shqiptare t’i shpjegojë përmes turqishtes, arabishtes ose persishtes. Më tej, M. Nano do të hyjë në serinë e gjatë të argumenteve të përvojës dobiprurëse të shtetit laik shqiptar, shoqëruar këto me ilustrime historike tërheqëse të shekullit që lamë pas.

 

Hapësirat për polemikë janë të shumta

DervishëNë tërësinë e veprës ka plot vend për polemikë e debat. Madje, duket sikur një pjesë prej tyre janë lënë nga autori enkas në një mëdyshje polemizuese argumentesh. Por, mes të tjerash, nuk mund të mos ngacmoj një parantezë që autori fut e përdor në mesin e kapitullit të dytë, “Në Ballkan ka pasur veç një okupator: besëtytnitë!”. Pa këmbëngulur të shtjelloj nëse kjo përputhet me kohën e qëndrimet që kanë ndarë fqinjët tanë, sa i përket kombit shqiptar, vlen të ndalesh për një vështrim kritik:

Në të dy fetë e një kombi, mysliman e të krishterë, besimtarët u mësuan të ndanin, nën kryesimin e myslimanizmit, festat e lutjet. Pushtuesi ia nënshtroi ata epërsisë së saj fetare, duke i kthyer të mundurit pak nga pak në myslimanë. Pushtuesi dhe forca e tij fizike mendoj se ishte parësor në zgjedhjen e besimit dhe jo besëtytnitë! M. Nano, aty-këtu, i lëvdon veprimet e turqve si veprime të stërholluara të një politike të aftë, për faktin që ata nuk ia impononin perënditë e tyre popujve të mundur (!?). Një gjë e tillë, si tipar sundimi, i ruante mbrojtësit e saj e madje punonte për shtimin e numrit të tyre.

Ndryshimet e mëdha që shfaqen herë pas here në ndërtimin e besimeve fetare të shoqërive, nuk mund të jenë rrjedhojë, as e rastësisë dhe as vetëm e forcës. Shkaku që ka çuar në lindjen e tyre, beson autori, duhet të ketë qenë i fuqishëm dhe ky shkak duhet të qëndrojë në vetë njeriun. Ka arsye për t’u besuar se M. Nano, kur guxon ta prekë motivin “forcë” që çoi në shndërrimin masiv mysliman të shqiptarëve, (idem: “… Teza, sipas së cilës ky konvertim është bërë me dhunë, ka rënë prej kohësh”) nuk i jep aq peshë kronikave të kohës së pushtimit, mes të cilave do të veçoja ato të Tursun beut, ardhur para do kohe të shqipëruara nga Piro Misha. Ai e trajton këtë shpjegim si të rënë prej kohësh?! Shfaqja e këtij parimi nga autori mbetet e debatueshme, sepse orvatet të çlirojë individin shqiptar në përgjithësi nga një argument që ka sunduar nga gjysma e dytë e shekullit XIX si e familjarizuar, madje e shndërruar në doktrinë: konvertimi, rrjedhë logjike e ushtrimit të dhunës e të forcës nga pushtuesi!

ballina Pax AlbanicaFatmirësisht, për njeriun, e kaluara nuk vdes kurrë plotësisht. Kështu ndodhi edhe me shqiptarët, të shndërruar, me hir apo pahir, nga të besimit të krishterë në mysliman. Është parë dhe provuar se, edhe pse njeriu mund ta harrojë, ai e ruan atë besim të së shkuarës gjithnjë brenda vetes, sepse, në formën që njeriu paraqitet në çdo epokë, ai nuk është veç produkt dhe përmbledhje e të gjitha epokave të mëparshme. Sido që të ishte, fshirja graduale e besimit të krishterë e kishte burimin në faktin se shoqëria në islamizëm qeverisej nga feja. Ajo ishte institucioni dhe shteti, asaj i detyrohej fakti që feja ishte forcë. Kish ardhur shkallë-shkallë ajo ditë, kur ndjenja fetare myslimane do të rimerrte jetë e fuqi, dhe ku besimi do të pushtonte perandorinë e shpirtit.

Edhe diçka tjetër! Krishterimi vazhdoi të praktikohej si besim tek afërsisht një e treta e kombit. Ekuilibrat e brishtë mes tyre, ndodhur jo rrallë në vorbulla luhatjesh, por të padëmtuara në caqe të frikshme, kanë qenë e mbeten ngrehina krenarie kombëtare, një shembull i harmonisë fetare, siç u shpreh Papa Françesku më 16 gusht 2014. Por, na mpreh vëmendjen Kadareja, mjafton radikalizimi i njërit prej besimeve, që ngrehina të shembet.

 

Autori si studiues dhe publicist letrar

Autori Mustafa NanoMe “Pax Albanica”, Mustafa Nano, deri më tash i njohur për pjesëmarrjen e tij të vrullshme e me ndikim në publicistikë, zhanër që mbetet lëvrimi i tij më specifik dhe më interesant, ndërthur në mjedis mes letërsisë dhe gazetarisë së mirëfilltë. Sa i përket ruajtjes së kufijve me letërsinë, nga njëra anë, dhe me llojet e tjera gazetareske, nga ana tjetër, “Pax Albanica” ka veçori. Letërsia, qoftë dhe ajo studimore, del nga korniza e komentit të lajmit korrent dhe hyn në një përdorim fjalësh dhe frazeologjish që nuk hasen shpesh ose nuk hasen fare në publicistikë. Nëse me gazetarinë autori ndikimin te lexuesi e ka pasur të drejtpërdrejtë, në llojin e publicistikës letrare, me të cilën i shfaqet lexuesit së fundi, ndikimin vërtet e ka më të tërthortë dhe vjen më gradualisht, por ai është i qëndrueshëm falë komunikimit të drejtpërdrejtë që ndërton si studiues e publicist letrar me lexuesin. Publicistit Mustafa Nano kurdoherë i ka pëlqyer të jetë sado pak si shkrimtari, ku jo rrallë shfaqet sqima e dijes në ndërtimin e një ligjërimi të ngjashëm me atë artistik. Kjo ka qenë dhe arsyeja, sipas meje, e ndërtimit të një lidhjeje të veçantë me efekt të epërm me lexuesin e tij, të cilën, përmes “Pax Albanica” do ta marrë me impulse edhe më të veçanta.

Sa sipër në këtë recensë, pikëpamjet vijnë e rreshtohen nga një mysliman prej emrit, me rrënjë e mbiemër të krishterë dhe me botëkuptim të çliruar nga dogmat, me rezistencë energjike e bindje që njerëzit e kulturuar të mos i nënshtrohen një botëkuptimi që u kufizon lirinë. Është më e pranueshme që njeriu të varet nga vetvetja e jo nga dogmat.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>