nga Admin

1 Korrik, 2014

Portreti i Belinit”/ Libri që shoqëron detektivin Jashim në udhëtimin e tij për të zbuluar misteret e Venecias së shekullit XIX, është biografia e famshme e shkrimtarit të madh francez Aleksandër Dyma, kushtuar Ali Pashë Tepelenës… Pse një nga figurat më interesante të letërsisë franceze u josh nga pashai shqiptar, dhe pse kjo biografi qarkullonte si libri i salloneve të larta në Europën e fillimshekullitXIX 

[callout]“Atij i dukej vetja zot i universit, e adhuronte veten, dhe bëri gjithçka për veten e tij. Ai kishte të ngjizur në gjak çdo pasion njerëzor dhe ia kushtoi jetën përmbushjes së kënaqësive. Kjo shpjegon temperamentin e Aliut; veprimet e tij qenë rrjedhoja natyrale të karakterit të tij – në varësi të rrethanave. Të paktë janë atë njerëz që e kanë kuptuar veten aq thellë ose janë harmonizuar aq mirë me orbitën e ekzistencës së tyre. Dhe, ashtu si personaliteti i një individi bëhet edhe më i mahnitshëm duke marrë në konsideratë periudhën dhe vendin ku ai ka jetuar, edhe Ali Pasha bie në sy, në mos si një nga figurat më të shndritshme, me siguri si një nga figurat më të veçanta të historisë bashkëkohore”, shkruan Aleksandër Dyma[/callout]

Alda Bardhyli (Gazeta SHQIP)

Shqiptaret trima (3)“Jashimi po lexonte romanin më të fundit botuar në Paris, një rrëfim mbi jetën e Ali Pashait të Janinës, të cilin ia kishte huajtur Valideja, mikja e tij e vjetër dhe gjyshja e sulltanit të ri. Tema e kishte befasuar krejt. Jashimi zhbironte shpesh të dhëna nga jeta parisiene. E dinte se të lexoje librin mbi Ali Pashanë, ishte si të këqyrje mbi vrimën e një çelësi, por pa mundur të shikoje gjë, përveçse një syri që të shikonte nga ana tjetër…” Kështu shkruan shkrimtari anglez Jason Goodwin, në romanin më të ri, nxjerrë në treg nga shtëpia botuese “Saras”, “Portreti i Belinit”. Një triller historik, i cili të çon në dy kryeqendrat e shekullit XIX, siç ishin Venecia dhe Kostandinopoja. Goodwin di të nxjerrë nga arkivat e historisë jo vetëm ngjarje, por edhe personazhe të rëndësishme të kohës. E teksa na josh në botën ku ngërthen peizazhi piktoresk i Venecias, pallatet që lagen nga uji në dhomat e të cilave fshihen tablo arti, që sot janë jo vetëm krenaria e Venecias, por dhe e galerive dhe koleksionistëve të ndryshëm që i posedojnë si pjesë e historisë së artit, ky libër tregon edhe rolin që ka pasur një personazh i spikatur i historisë sonë, si Ali Pashë Tepelena, në historinë e atyre viteve. Është një libër, për të cilin është folur shpesh sa herë studiues të ndryshëm apo historianë kërkojnë të hulumtojnë në jetën e Pashait të Janinës. Një libër i shkruar nga shkrimtari i njohur francez, Aleksandër Dyma, i konsideruar si një nga biografitë më të mira kushtuar këtij personazhi kaq kontrovers shqiptar. Njohës i mirë i historisë osmane, Goodwin e ka ndeshur sa e sa herë emrin e Ali Pashës, teksa rrinte me orë të tëra në arkivat e Stambollit. DymaBiografia e Dymasë qarkullonte si libër në sallonet parisiene të kohës, por dhe në Stambollin që po hapej gjithnjë e më shumë nga lëvizjet e reja. Dyma kishte arritur të hynte brenda karakterit të këtij shqiptari të pazakontë, duke e bërë përshkrimin në këtë libër, akoma më frymëzues për njerëz të tjerë të letrave, të cilët më vonë do të ndaleshin në jetën e kësaj figure. Ndaj Goodwin e zgjodhi këtë libër biografik, si guidën më të mirë që personazhi kryesor i “Portreti i Belinit”, Jashimi, mund të kishte në udhëtimin e tij drejt gjetjes së një pikture të Mehmet Pushtuesit që fshihej në Venecia. “Atij i dukej vetja zot i universit, e adhuronte veten dhe bëri gjithçka për veten e tij. Ai kishte të ngjizur në gjak çdo pasion njerëzor dhe ia kushtoi jetën përmbushjes së kënaqësive. Kjo shpjegon temperamentin e Aliut; veprimet e tij qenë rrjedhoja natyrale të karakterit të tij – në varësi të rrethanave. Të paktë janë atë njerëz që e kanë kuptuar veten aq thellë ose janë harmonizuar aq mirë me orbitën e ekzistencës së tyre. Dhe, ashtu si personaliteti i një individi bëhet edhe më i mahnitshëm duke marrë në konsideratë periudhën dhe vendin ku ai ka jetuar, edhe Ali Pasha bie në sy, në mos si një nga figurat më të shndritshme, me siguri si një nga figurat më të veçanta të historisë bashkëkohore”, shkruan Aleksandër Dyma, për Ali Pashën. Fillimi i shekullit XIX ishte një periudhë plot aventura të guximshme dhe peripeci të çuditshme. Ndërkohë që Europa Perëndimore vuajti dhe luftoi kundër një nëntogeri, i cili u vetëshpall perandor, emëroi mbretër sipas dëshirave të tij dhe shkatërroi mbretëri, pjesa lindore antike e kontinentit, ashtu si mumia që ruan vetëm pamjen e parë jetësore, po shkërmoqej gradualisht duke u copëzuar nga aventurierë e kokëkrisur që përlesheshin mbi rrënojat e mbetura. Shqiptaret trima (2)Përveç disa revoltave që u shoqëruan me luftëra të shkurtra dhe ndryshime të papërfillshme në administratë, si rebelimi i Xhezar Pashës që refuzoi të paguante haraçin ndaj Portës së Lartë, për shkak se e mendonte veten të pathyeshëm, si dhe Pasevend-Oglu Pashës që mori në kontroll Vidinin dhe e konsideronte veten mbrojtës të jeniçerëve, pasi iu kundërvu institucionit të milicisë së rregullt, të dekretuar nga Sulltan Selimi në Stamboll, u zhvilluan një sërë kryengritjesh kundër Kushtetutës së Perandorisë Otomane; për shembull: Karaxhorxhe udhëhoqi rebelimin kundër otomanëve dhe krijoi shtetin e parë serb; Muhamed Aliu e shndërroi pashallëkun e Egjiptit në mbretëri; dhe, së fundmi, Ali Tepelena, Pashai i Janinës, qëndresa e gjatë e të cilit i parapriu ringjalljes së Greqisë. Aleksandër Dyma thotë se dëshira e Aliut nuk llogaritet fare në këtë lëvizje të rëndësishme, pasi ai e parashikoi atë, por nuk u përpoq kurrë të jepte ndihmesën e vet, dhe ishte i pafuqishëm për ta ndaluar. “Ai nuk ishte nga ai soj njerëzish që vënë jetën e tyre në shërbim të çfarëdolloj kauze; qëllimi i tij i vetëm ishte të fitonte sa më shumë pushtet”, thotë Dyma. Teksa përshkruan atmosferën e Perandorisë Otomane në shekullin XVIII, ai ndalet te Shqipëria, për të vijuar më pas në jetën e pashait që vinte prej këtij vendi. “Shqipëria ishte një ndër krahinat tepër të vështira për t’u administruar. Banorët e saj ishin të varfër dhe trima. Për shkak të natyrës malore, disa zona të vendit ishin të paarritshme nga pushtuesi. Kështu, pashallarët hasnin vështirësi në mbledhjen e haraçit, sepse njerëzit e mbronin me gjak bukën e tyre. Muhamedanë apo kristianë, para së gjithash shqiptarët ishin luftëtarë. Pasardhës, ca nga skifët e pamposhtur, të tjerët nga maqedonasit e lashtë, jo më padronë të botës, të kryqëzuar me aventurierë normanë të ardhur në lindje pas kryqëzatave, ata besonin se në venat e tyre rridhte gjak luftëtari dhe lufta ishte element i jetës së tyre. Herë pas here kishte konflikte burri me burrin, familja me familjen, fisi me fisin, fshati me fshatin, krahina me krahinën; herë të tjera viheshin në luftë kundër qeverisë – sanxhaqeve të tyre; nganjëherë të gjithë rreshtoheshin kundër sulltanit; rrallëherë nuk luftonin – përveçse kur vendosej ndonjë armëpushim. Çdo fis ishte i organizuar ushtarakisht; çdo familje kishte bastionin e saj të fortifikuar; çdo burrë mbante pushkë në krah. Kur nuk luftonin, ata punonin në ara, kositnin barin, mblidhnin të korrat, kullosnin kopetë – në përpjekje për të kaluar kufijtë e kullotave të tyre. Kjo ishte jeta e zakonshme e popullsisë së Epirit, Thesprotisë, Thesalisë dhe Shqipërisë së Epërme. Banorët e Shqipërisë së Poshtme, më pak të ashpër, më pak aktivë, më pak të guximshëm; atje, si në shumë pjesë të tjera të Perandorisë, banori i luginës ishte shpesh pre e malësorit. Në zonat malore ruheshin kujtimet e Skënderbeut, mbizotëronin zakonet e Spartës antike, këndoheshin me lirë trimëritë e ushtarit, dhe hajduti i zot merrej si shembull nga fëmijët mes tregimeve të babait. Në fshatra organizoheshin festa sa herë plaçkiteshin të huajt; dhe ushqimi i preferuar ishte gjithnjë një dele e vjedhur. Çdo burrë vlerësohej në varësi të zhdërvjelltësisë dhe guximit të tij; çdo burri i rritej reputacioni sa herë që tregohej një malësor i shkathët dhe një bandit i zoti”, përshkruan Duma në librin e tij. Sipas tij, këtë anarki shqiptarët e quanin krenarisht liri dhe e ruanin me devotshmëri këtë gjendje kaotike të trashëguar nga të parët e tyre, ku gjithnjë vendin e parë e zinte më trimi. Pikërisht mes këtyre burrave dhe këtyre zakoneve, sipas tij, u lind Ali Tepelena. “Ai mburrej se e kishte origjinën nga një familje e vjetër pushtuese nga Anadolli, e cila kishte ardhur në tokën shqiptare me trupat e Sulltan Bajazitit I. Por, pas hulumtimeve të Pukvilit (Pouqueville), rezulton se ai ka prejardhje shqiptare, dhe jo aziatike, siç pretendonte. Të parët e tij qenë shqiptarë të krishterë, të cilët u myslimanizuan pas pushtimit otoman; prejardhja e tij mund të gjurmohet deri në fund të shekullit XVI. Gjyshi i tij, Myftar Tepelena, u zhduk gjatë një mësymjeje osmane kundër Korfuzit, në vitin 1716. Marshalli Shullemburg (Schullemburg), që mbronte ishullin, pasi kishte sprapsur armikun, burgosi Myftarin në malin San Salvador dhe në mënyrë barbare e vari pa gjyq. Kujtimi i kësaj vrasjeje duhet të ketë pasur ndikim në urrejtjen e Aliut ndaj të krishterëve. Myftari la pas tre djem, dy prej të cilëve, Saliu dhe Muhameti, patën të njëjtën nënë, bashkëshorten e tij të ligjshme, ndërsa e ëma e më të voglit, Veliut, qe skllave. Origjina e Veliut nuk përbënte ndonjë pengesë ligjore për të pasur sukses në jetë, ashtu si edhe vëllezërit e tij. Familja e tyre ishte një ndër më të pasurat e qytetit të Tepelenës, emrin e të cilin mbante; në atë kohë, ajo posedonte të ardhura në shumën prej gjashtë mijë piastrash, e barabartë me njëzet mijë franga. Kjo vlerësohej një shumë e madhe në një vend të varfër, ku të gjitha mallrat qenë shumë të lira. Por familja Tepelena, në rang bejlerësh, që të ruante privilegjet, duhet të garantonte një situatë të favorshme financiare, ashtu si edhe familjet e tjera feudale të Europës. Kishin një stallë të madhe kuajsh, një eskortë shërbëtorësh dhe një grup luftëtarësh; e gjitha kjo shoqërohej me një faturë të lartë financiare; në këto rrethana, familja e kishte të vështirë të mbulonte shpenzimet. Mënyra më e thjeshtë për të rritur të ardhurat ishte ulja e numrit të pjesëtarëve të familjes; kështu, dy vëllezërit e mëdhenj, bijtë e gruas së ligjshme të Myftarit, iu vunë kundër Veliut, të birit të skllaves, dhe e përzunë nga shtëpia. Ky i fundit, i detyruar të largohej nga shtëpia, u përball me fatin si një trim i vërtetë. Vendosi ta nxirrte te të tjerët inatin ndaj vëllezërve. U bë bandit; me pushkë në krah dhe jatagan në brez, vriste, priste, sulmonte, zhvaste, plaçkiste këdo që i priste rrugën”, shkruan Dyma. Pas disa vitesh në “biznes” fitimprurës, ai u pasurua dhe u bë kapoja e një bande kaçakësh. Duke gjykuar se kishte ardhur momenti i hakmarrjes, ai mori udhën për në Tepelenë. Kaloi Vjosën dhe u fut rrugëve të qytetit pa hasur rezistencë derisa arriti përpara shtëpisë, ku vëllezërit e tij, të paralajmëruar për vizitën e vëllait, kishin mobilizuar trupat e tyre. “E rrethoi shtëpinë dhe shkallmoi portat. I përndoqi vëllezërit derisa i detyroi të futeshin në një tendë. Pasi u sigurua se ata gjendeshin brenda tendës, Veliu ia vuri zjarrin katër anëve të saj. – Shihni! – u thoshte ai njerëzve rreth tij. – Ata nuk mund të më akuzojnë për hakmarrje; vëllezërit e mi më dëbuan nga shtëpia, kurse unë po hakmerrem duke i mbyllur përjetë në këtë shtëpi. Pas vdekjes së vëllezërve, ai do të ishte trashëgimtari i vetëm i babait të tij dhe padroni i Tepelenës. Me përmbushjen e ambicies së tij, ai hoqi dorë nga plaçkitjet dhe u vendos në qytet, ku u bë i pari i të gjithë agallarëve. Në atë kohë, ai e kishte një djalë me një skllave. Me të njëjtën grua, ai u bë me një tjetër djalë dhe, më pas, me një vajzë. Kështu, nuk kishte pse të frikësohej se mos vdiste pa një trashëgimtar. Duke qenë aq i pasur sa mund të kishte edhe gra të tjera dhe të rriste edhe më shumë fëmijë, ai shfaqi dëshirën për të lartësuar prestigjin e tij duke lidhur krushqi me një nga familjet më fisnike të vendit. Ai kërkoi dorën e Hankos, të bijës së beut të Konicës. Me anë të kësaj martese, Veliu krijoi lidhje me familjet kryesore të krahinës, siç ishte ajo me Kurt Pashën e Beratit, i cili e kishte prejardhjen nga raca fisnike e Skënderbeut. Pas pak vitesh, Veliu dhe Hanko u bënë me djalë, Aliun, dhe një vajzë të quajtur Shanisha. Pavarësisht qëllimeve të tij për të ndryshuar për mirë, Veliu nuk mundi të hiqte dorë plotësisht nga veset e dikurshme. Edhe pse tanimë i kamur, ai vazhdonte të dëfrehej duke vjedhur herë pas herë dele, dhi apo çfarëdo gjëje tjetër; ndoshta e bënte thjesht për të përmbushur një dëshirë të brendshme. Këto mësymje acaruan bejlerët fqinj; e kështu rifilluan konflikte të panevojshme. Kur nuk di ta administrosh, pasuria të rrëshqet nga dora; malësori i dikurshëm po humbte në qytet plaçkën që e kishte fituar maleve. Acarimet e shpeshta i shkaktonin luhatje humori dhe i përkeqësuan gjendjen shëndetësore. Duke mos ua vënë veshin mësimeve të Profetit Muhamed, ai gjeti ngushëllim te vera. Vdiq në vitin 1754. Dyma e përshkruan Ali Pashën duke u nisur nga prejardhja e familjes, për të vijuar më pas me suksesin në Portën e Lartë e më tej. Kjo është historia frymëzuese që e bën detektivin osman Jashim, të vazhdojë të besojë se, pavarësisht sa e vështirë duket Venecia për të depërtuar, ai do të kthehej në Stamboll me pikturën e kërkuar…

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>