26 Shkurt, 2015

10321738_796635373722320_2189403859401910533_oNga Prof. Dr. Elvira Glaser

Martin Camaj e publikoi romanin Rrathë në vitin 1978 si botim të vetin. Ai punoi rreth pesëmbëdhjetë vjet me këtë tekst, që e konsideronte si veprën e tij kryesore e ku do të përcillte në mënyrë letrare djalërinë e përjetuar në Shqipëri, si edhe ngjarjet revolucionare dhe ndryshimet shoqërore në kohën e komunizmit. Ky roman paraqet veprën e parë të madhe në prozën e Martin Camajt, i cili atëbotë ishte bërë i njohur si lirik. Edhe pse më vonë u botuan prej tij vepra të tjera në prozë, romani Rrathë është vepra e tij më e vëllimshme në këtë zhanër letrar. Vëmendje të veçantë ai i ka kushtuar këtu sidomos organizimit gjuhësor, duke pasur si qëllim të vet që me këtë roman të tregojë potencialin e shqipes si gjuhë letrare moderne. Këtu bënin pjesë, sipas tij, krahas shfrytëzimit në mënyrë kreative të mundësive të fjalëformimit në gjuhën shqipe, edhe pasurimi i saj me material gjuhësor dialektor, përkatësisht duke marrë parasysh përdorimin e fjalëve dhe të stilit të autorëve të mëhershëm, kryesisht të atyre gegë. M. Camaj dëshironte që me gjuhën e tij të ofronte një zgjidhje alternative ndaj gjuhës letrare të njësuar, të cilën e përjetonte si një korse të ngurtë, edhe pse në ortografi dhe gramatikë ai u rrek t’i afrohej disi gjuhës së shkruar zyrtare.

Romani ngërthen tri pjesë, në nëntitujt e të cilave rimerret vetë titulli i romanit Rrathë: Rrathë uji, Rrathë zjarri, Rrathë gjaku. Tri pjesët ndërlidhen me njëra-tjetrën nëpërmjet disa figurave kryesore: Baci, i ashtuquajturi Folkloristi dhe sidomos Agoni, i ashtuquajturi Novelisti. Personazhet e romanit përmenden përgjithësisht si me emrat përkatës ashtu edhe me emërtimet tipike të funksionit që kryejnë. Romanit i paraprin një listë me personazhet kryesore bashkë me emërtimet përkatëse, sikurse ndodh rëndom në një pjesë teatrale. Rrezja e veprimit të romanit rrok Bardhin, Përgjegjësin, kryetarin e Partisë, bie mbi Shkrimtarin punëtor, Markocin dhe predikues Drénashin, Fetarin, duke përfshirë edhe Cubin, Ilegalin e Zogën, Virgjnen, të cilët mishërojnë mënyra moderne dhe tradicionale të jetesës.

Në pjesën e parë të romanit lexuesi njihet hollësisht me dy personazhet kryesore, Agonin dhe Bacin, si edhe me disa personazhe të tjera, të cilat, një ditë vjeshte, për një arsye a një tjetër, gjenden të gjithë së bashku në të njëjtin qytet. Në mënyrë të gërshetuar përshkruhen këtu pamje të ndryshme të jetës në një vend malor nën pushtetin partiak që quhet Dheu i Arbnit. Emri Dheu i Arbnit përbën një aludim historizues ndaj Shqipërisë. Agoni, si pjesëtar i një brezi të ri, është agronom me profesion, por ushtron ndërkohë punën e gazetarit dhe të shkrimtarit. Ai dërgohet nga Partia në fshatin Ripë e Mesme për të raportuar mbi mbërritjen e traktorëve të rinj, si dhe për të marrë informacione mbi një kundërshtar të sistemit të shfaqur gjoja rishtas në male, e që e thërrasin me emrin Ilegali. Ripa e Mesme së bashku me Ripën e Poshtme dhe Ripën e Epër përbëjnë gjithë zonën, në të cilën zhvillohen ngjarjet e romanit. Në përshkrimet e shtegtimeve të shumta që të çojnë gjithnjë në male, përftohet si në paletën e ngjarjeve të ndodhura pamja e një krahine malore të egër, në përditshmërinë e ashpër të së cilës pleksen ëndrrat me fantazitë.

Në pjesën e dytë të romanit fokusohen përjetimet dhe përshtypjet e Agonit që fillojnë me largimin e tij për në Ripën e Mesme dhe përfundojnë me mbërritjen e traktorëve aty disa ditë më vonë. Ndërkohë Agoni është ngjitur në Ripën e Epër, në kalanë e vjetër, Qytecën, ku do të zhvillohej një festë. Gjatë një shtegtimi të shkurtër në zonën përreth, ai vëzhgon një takim të Ilegalit me një grua të re. Agoni arrin të pengojë përpjekjen e Ilegalit për të përdhunuar Blegën, bareshën e re me emrin Sose. Sosen, vajzën e bukur të Rapsodit Shalagani, e mbajnë për të çmendur për shkak të mënyrës së saj të egër dhe jokonvencionale. Kur Agoni e sheh Sosen të zhveshur, duke bërë banjë pranë një pusi, në një natë me hënë të plotë, ai bie në dashuri marrëzisht pas saj. Kjo dashuri përcakton edhe veprimet e tij të ardhshme. Autori e përshkruan ndryshimin që pëson Agoni me këto fjalë: “Bukuria e zbulimit të Soses para tij e shlironte dalngadalë prej akullimit që shtang mend e zemër: shpengohej prej vorbullës së ujit rreth të cilës ishte sjellë me vjet”. Më pas Agoni nuk vret më mendjen për reportazhin e tij dhe heq dorë edhe nga takimi i planifikuar me Mësuesen, Zojën e “zgjuet”, së cilës me kohë kishte dashur t’i shfaqte dashurinë.

Pjesa e tretë e romanit fillon pasi kanë mbërritur traktorët. Agoni largohet nga redaksia dhe i duhet të presë për një emërim të ri si agronom. Në këtë kohë ai viziton faltoren e një sekti ilegal në Ripën e Poshtme. Por vallet rituale të përgjakshme i ndjellin neveri dhe e trondisin thellë në shpirt. Brenda tij shtohet gjithnjë e më tepër dëshira për të jetuar me bareshën Sose në “lugajën mbas malit”. Por kur ajo, edhe pas shëtitjesh të shumta së bashku në mal, nuk ka dëshirë të braktisë vendin e vet, ai e përdhunon. Një bari i ri, i cili e godet Agonin duke e lënë pa ndjenja, i ndalon atij qëndrimin e mëtejshëm në male. Agoni largohet për në Ripën e Mesme dhe bie në një letargji të thellë, meqë tashmë, sikurse edhe më parë, e kishte humbur sensin e kohës.

Pas një periudhe kohe të papërcaktuar atij i vjen një kërkesë për t’u paraqitur në redaksinë e tij të mëparshme. Drejtuesi i ri e qorton atë për shkak të tendencës armiqësore ndaj sistemit në dorëshkrimin e tij Shtëpia mbas malit, por që ndërkohë korr shumë sukses si pjesë teatrale në teatrin e kukullave. Para kthimit të tij në Ripë Agoni takon Sosen dhe djalin e saj, i cili ndoshta mund të jetë i tiji. Ky është regjisor i teatrit të kukullave. Prej të dyve Agoni mëson se paska jetuar rreth njëzet vjet në “jermin e vetmisë” në Ripën e Mesme. Romani përfundon me kthimin e Agonit në Ripën e Mesme. Tani tek ai është rizgjuar dëshira për të shkruar.

Krahas kësaj linje kryesore të veprimit, romani përmban edhe një numër linjash dhe personazhesh të dyta, të cilat paraqesin jetën e popullsisë fshatare në një periudhë të ndryshimeve të shpejta shoqërore dhe teknologjike. Vëmendje e veçantë i kushtohet për këtë qëllim përshkrimit të mënyrës së të menduarit, paraqitjes së përfytyrimeve dhe motiveve të personazheve. Madje për këtë arsye Rrathë mbahet edhe si romani i parë psikologjik shqiptar. Përpos kësaj, karakteristik është për këtë roman edhe elementi lirik-folkloristik, i cili gjen shprehje sidomos në përshkrimet e peizazhit, të dokeve dhe zakoneve, duke krijuar në këtë mënyrë një lidhje të harmonishme me veprat lirike të Martin Camajt.

Gjuha e romanit dallohet për krahasime dhe frazeologji të shumta popullore, si dhe për leksikun e pasur, që mbështetet në variantin gjuhësor gegë. Madje autori nuk ngurron të pasurojë sipas rastit fjalorin e tij letrar edhe me njësi leksikore prej dialekteve arbëreshe të Italisë. E kjo ka të bëjë me bindjen e tij – të cilën e theksonte vazhdimisht në biseda e ligjërata të ndryshme – se gjuha shqipe do të arrinte të zhvillohej si një gjuhë letrare e gjithmbarshme vetëm në rast se në fushën e leksikut do të shfrytëzoheshin të gjitha burimet e saj të mundshme. Në këtë kuadër, Martin Camaj i referohej gjithmonë si shembull rastit të gjuhës gjermane, e cila ka ngadhënjyer tashmë pasurinë e saj leksikore dhe stilistike falë një procesi përpunimi gjuhësor që zgjati për shekuj të tërë. Sipas tij, për gjuhën e re të shkruar shqipe, e cila duhet të zhvillohej me ritme të përshpejtuara, ishte thelbësor eksperimentimi letrar.

Mënyra autoriale, kryesisht tregimtare e romanit, sendërtohet në monologët e brendshëm të shumtë, si dhe në ligjërimin e gjallë. Tendenca kryesore, e cila gjen shprehje edhe në titull, është të tregojë se si njerëzit janë ngërthyer në rrathë të ndryshëm politiko-shoqërorë dhe metafizikë, të cilët jepen me anë të simboleve gjithmonë në rritje: të ujit, zjarrit dhe gjakut. Simboli i rrathëve rimerret në mënyra të ndryshme. Ngjarjet politiko-shoqërore konkretizohen shkarazi në roman dhe mbeten më fort në një kornizë të jashtme edhe pse përgjithësisht përjetohet një bashkëlidhje më se e qartë me marrëdhëniet në periudhën komuniste të pasluftës.

Temat e mirëfillta të romanit janë të natyrës së përgjithshme: vetmia, humbja e traditës, kërkimi i lumturisë, i suksesit dhe i identitetit vetjak, lidhja me rrënjët e origjinës. Temat zhvillohen në bazë të marrëdhënieve, që mundësojnë lehtësisht identifikimin me botën e malësisë së veriut shqiptar. Lidhja e ngushtë me Shqipërinë dhe gjuhën shqipe në variantet e saj dialektore bëhet më se e qartë edhe në përshkrimin e përsëritur të konfiguracionit gjeografik, si për shembull, qafat, rrjedhat e lumenjve, shpatet, kullotat, pjesët shkëmbore etj., të cilat shënohen në çdo rast me emërtimet përkatëse, të tilla si “qafë”, “grykë”, “luginë”, “lug”, “curr”, “rranzë”, “thikë”, “brijë”, “shpat”, “gurrë” etj. Probleme me karakter të përgjithshëm njerëzor lidhen gjithherë me karakteristikat kulturore që janë tipike për hapësirën tradicionale të veriut shqiptar, si për shembull, jeta malësore në vërri e bjeshkë, vaji për të vdekurit, gjakmarrja dhe kënga epike. Mbizotërimi i karaktereve poetike-letrare dhe komentarët e shumtë lidhur me probleme të gjuhës dhe letërsisë, si edhe të artit e kulturës në përgjithësi bëjnë që të dalin mirë në pah e të tematizohen çështje të ekzistencës artistike. Romani nuk rrudhet assesi në aspektin autobiografik, edhe pse përmban elemente të asaj natyre. Figura kryesore, Agoni, me problemet që e ndjekin në kërkim të identitetit, pasi është çliruar prej ngurosjes së njëzet vjetëve të shkuar kumton në fund: “Na të dështuemit përfaqësojmë një epokë të tanë”.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>