nga Admin

21 Shkurt, 2014

Laure Cambau/ Historia e dashurisë me Jean Mascolo, djalin e Marguerite Duras. Kujtimet e tre viteve pranë një prej femrave më interesante të letërsisë botërore

ALDA BARDHYLI – Gazeta SHQIP

Ishin librat dhe perdet e mëndafshta të kapura anash dritares, nga ku përtej xhamave dukeshin pemët që ngriheshin të qeta në kopsht, ajo çfarë e bëri Laure të ndiente se kishte hyrë në një apartament jo të zakonshëm në Parisin e gati 20 viteve më parë. Ishte vetëm 18 vjeç. Në ditarin që mbante gjithnjë me vete në çantën e vogël, kishte nisur të shkruante poezitë e para. Vargje që ia kishte treguar veç Jean Mascolos, djaloshit që i kishte rrëmbyer zemrën. Në fakt, këto vargje i kishin afruar më shumë me njëri-tjetrin. Ai mund t’i lexonte me orë të tëra poezi të zgjedhura jo vetëm nga letërsia franceze dhe ajo dëgjonte me ëndje. Kishte diçka jo të zakontë në mënyrën sesi Jean e donte atë. Diçka që dukej sikur vinte nga librat e kësaj shtëpie ku ai e kishte ftuar të pinin çaj. Kishin pak kohë që dilnin bashkë, por mjaftueshëm për të kuptuar se e donin njëri-tjetrin. Dhe teksa e ulur në një nga kolltukët e stilit barok, ajo vështronte autorët e pafund në muret e kësaj shtëpie, dëgjon zërin e një gruaje e cila i thotë se çfarë dëshiron të pijë. Kishte veshur një triko të gjerë dhe flokët e shkurtër i ngjasonin si dielli, teksa u afrua pranë për ta përshëndetur. Vetëm syzet me xhama të trasha dhe trupi i vogël do ta bënte Laure, t’i besonte shtangies së saj. Po, gruaja që po vinte drejt saj ishte Marguerite Duras, shkrimtarja që ajo e kishte lexuar me endje gjatë adoleshencës, dhe që do kishte dashur ta shihte qoftë një moment në rrugët e Parisit. “Jean më kishte folur për nënën e tij, por nuk më kishte thënë se ajo ishte Margaurite Duras. Ai donte të jetonte përtej famës të së ëmës”, tregon Laure, gati 20 vjet më pas, e ulur në një nga kafenetë e Tiranës. “Jean ishte dashuria ime e parë, ndërsa Margaurite ishte një monument për mua, por jeta pranë saj nuk ishte e lehtë”, kujton Cambau. Të shtunat ajo i kalonte në apartamentin që Duras ndante me të birin, Jean Mascolo, i cili erdhi në jetë nga lidhja e saj me shkrimtarin dhe aktivistin e njohur francez Dionys Mascolo. “Marrëdhënia me të nuk ishte e lehtë. Shpesh ishte shumë e dashur me mua, herë të tjera ndryshonte tërësisht. Ajo ishte një legjendë e mbetet e tillë jo vetëm për lexuesin francez, por në jetën e saj të përditshme ishte tepër e thjeshtë. Nuk ishte snobe, por mbeti një bohemë e përjetshme, një bohemë gjithë sharm. Ajo bëhej joshëse teksa mund të shpjegonte sesi mund të gatuhet një supë me patate”, kujton Cambau. Por të shtunat nuk ishin ditë që Duras mund t’i kalonte e vetme. “Në apartamentin e saj nuk pushonin vizitat. Duras ishte një grua e cila vazhdonte të kishte influencë në artin francez të kohës, një grua e cila vizitohej nga burrat më të rëndësishëm të kohës”, tregon Cambau. Kur presidenti Miterran u takua për herë të parë me të, e dinte se nuk do të ishte bukuria ajo çfarë do ta bënte ta kërkonte sërish këtë grua, por mendja e saj. “Por në atë kohë ajo ishte e trishtuar”, thotë Cambau, teksa nis të tregojë se është pikërisht kjo periudhë kur ajo i dorëzohet dashurisë me studentin e filozofisë Yann Andrea. “Ai i shkruante letra. Kishte lexuar librat e saj dhe kishte rënë në dashuri me të. Një ditë ajo e fton në shtëpinë e saj në plazh. Një shtëpi të cilën e kishte arreduar sipas stilit të Prustit. Ai hyri aty dhe nuk doli më prej andej”, tregon Laure. Yann erdhi pikërisht në kohën e duhur në jetën e Duras, në një kohë kur ajo vuante nga varësia prej alkoolit. Ai ishte 40 vjet më i vogël se ajo, por kjo nuk e pengoi marrëdhënien e tyre, e cila dukej se ishte më e thellë se një bashkim trupash. Ai u zhvendos shumë shpejt për të jetuar me të, dhe e bëri këtë deri në fund të jetës së saj, duke u kujdesur si një fëmijë gjatë ditëve të vështira të sëmundjes. “Tek libri ‘Sëmundja e vdekjes’ ajo përshkruan periudhën e fundit të jetës së saj, duke shpjeguar të gjitha arsyet që e çuan në krahët e Yann”, thotë Laure. Por si e kujton ajo atë? “Ai ishte një djalosh që i pëlqente të fliste. E shihte me adhurim çdo lëvizje të Duras. Në sytë e tij ajo nuk ishte më shumë se 30 vjeçe…”, kujton Laure. Ato vite në familjen Duras do të ndryshonin gjithë rrjedhën e jetës së vajzës së re franceze që kishte studiuar piano që në fëmijëri. “Unë nuk guxova asnjëherë t’i tregoja asaj një poezi timen. Më trembte qëndrimi por edhe mendimi i saj. Por ia tregova disa poezi të miat ish-burrit të saj, Dionys Mascolo, i cili punonte për ‘Gallimard’ (Një prej shtëpive botuese më të njohura franceze). Ai më inkurajoi të vazhdoja të shkruaja, dhe më ndihmoi të botoja në ‘Gallimard’”, thotë Laure. Marrëdhënia e saj me Jean Mascolo, ashtu si gjithë dashuritë e para zgjati vetëm tre vjet. Vite që sot, Laure i kujton si vitet e arta që e çuan më shumë drejt një bote nga e cila nuk do të mund të ndahej asnjëherë më, letërsisë. Sot Jean punon si fotograf në Paris, dhe kujdeset për veprat e lënë pas nga e ëma. Takohen shumë rrallë si miq, megjithëse ai shpesh ka kërkuar të rikthehen si dikur. Kjo histori erdhi padashur në bisedën me Laure, teksa po flisnim mbi letërsinë franceze, autorë si Simon De Bovuar, apo Marguerite Duras…dhe ajo ndau me ne disa detaje nga takimet me këtë grua jo të zakontë të letërsisë botërore. Ajo luan në piano një muzikë që shoqëron një DVD me jetën e Duras. Sot Laure Cambau ndan jetën mes poezisë dhe pianos. Është poezia ajo që e solli në Tiranë, ku bashkë me Edmond Tupen sollën një mbrëmje poetike në Black Box. Bektashizmi dhe poetët bektashinj shqiptarë e kanë tërhequr që në kontaktin e parë që ka pasur me ta. Kjo e ka bërë të bëjë udhëtime të gjata në Shqipëri, për të njohur më mirë këtë kulturë. “Ata pinë verë, bëjnë poezi dhe interpretojnë muzikë. Këto janë format mbi të cilat e shtrijnë lutjen e tyre”, thotë Laure. Omer Kaleshi është një tjetër mik shqiptar të cilën poetja e viziton shpesh në Paris. Bisedat dhe pikturat e tij kanë ndikuar që ajo të shkruajë poezi mbi kokat (simbol i pikturave të Kaleshit). Ismail Kadare dhe Ylljet Aliçkaj janë dy autorë që ajo i ka lexuar nga letërsia shqipe dhe e kanë bërë të njohë më mirë këtë vend. Laure ka botuar mbi katër libra me poezi dhe në shqip ajo është përkthyer nga Alket Çani dhe Luan Rama.

 

Njëra kullon gjak tjetra jo

Kur kokat e lira takojnë në bulevard

kokat e prera

një kuvendim ndodh mes tyre

njëra kullon gjak

tjetra jo

nga atelieri tek podiumi i ngritur

nga kavaleti tek gijotina

nuk i ndan veçse një hap

dhe rojet e burgut

rojet që nuk ruajnë asgjë

vështrojnë gjetiu

në anën tjetër të ujit mbi kalldrëm

të ujit gri nga gjaku i vjetër i ndryshkur

rojet që nuk ruajnë më asgjë

shënojnë fjalët e kokave

një dialog i shfrenuar kokë më kokë

kokat e lira dhe të pastra

kokat shëtitëse

dervish e barinj

pikëtakojnë kokat e shkëputura

e të përgjakura të Avril dhe Lacenaire[1]

e lodhur koka e banditit të shkolluar

që vendoset mbi një trung të sëmurë

 

Omeri kalon

si një engjëll piktor

dhe me një të rënë spatule

na kthen kokat e trungjeve

na kthen trungjet e kokave

u kthen drejtësinë dervishëve dhe keqbërësve

rakia bie nga qielli dhe përzihet me absintin

një përzjerje lëngu ballkanik e parizian

rrjedh nga goja më gojë

nga gryka në trung mbi bulevard

njëra kullon gjak

tjetra jo


[1] Dy banditë francezë të ekzekutuar në gijotinë në vitin 1830.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>