nga Admin

7 Shkurt, 2012

Charles Dickens - Perkujtohet 200 vjetori ne te gjithe boten (foto)

Charles Dickens - Perkujtohet 200 vjetori ne te gjithe boten (foto)

Data 7 shkurt 2012 shënoi 200 vjetorin e lindjes së shkrimtarit dhe novelistit të famshëm britanik Charles Dickens. Anglia por edhe shumë vende të tjera nëpër botë e festuan këtë ditë me aktivitete të ndryshme ku përfshiheshin lexime nga veprat e tij, festime me tematikë nga librat e tij, emisione të veçanta radiofonike dhe televizive si dhe debate e komente nga studiues dhe admirues së veprës së këtij autori që nuk njeh moshë dhe as kohë edhe pas 200 vjetësh.

Në një emision të gjatë në radion botërore BBC, studiues dhe admiratorë të të gjitha moshave diskutuan dhe kujtuan me plot pasion personazhet dhe librat e ndryshëm të Dickens me të cilin ishin njohur që në fëmijëri.

Ndërkohë, në Amerikë biblioteka e Filadelfias ka planifikuar me këtë rast festime që do të vazhdojnë për të gjithë vitin. Biblioteka Free Library ka një nga koleksionet më të mëdha në botë të Dickens-it, përfshirë manuskriptet e tij, një tavolinë të studios së tij dhe një korb të balsamosur. Korbi Grip, ka qenë një nga personazhet e Dickensit dhe u bë burim frymëzimi për poezinë e famshme “Korbi”, të poetit Edgar Allan Poe.

Shqipëria është bërë gjithashtu pjesë e një maratone që po zhvillohet në rreth 50 vende të botës për të përkujtuar 200-vjetorin e lindjes.

British Council, po promovon, me anë të një fushate botërore me aktivitete në film, teatër dhe konferenca, shkrimtarin që ende sot frymëzon njerëz në të gjithë botën, ndërkohë që Shqipëria do ta kujtojë Dickends në film dhe letërsi.

Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, do të shfaqë deri në datën 10 shkurt, disa nga arritjet më të mëdha të kinemasë britanike të bazuar në veprat e Dickens.

Vepra e tij nuk është ende plotësisht e përkthyer në shqip, por veprat e tij kryesore janë sakaq të disponueshme për lexuesin shqipfolës. Ndër përkthimet më cilësore mbeten ato të përkthyera nga Vedat Kokona.

Charles Dickens ka lindur në 7 shkurt të vitit 1812 dhe u nda nga jeta në 9 qershor 1870. Ai është një ndër nga shkrimtarët më të famshëm britanik që historitë e tij janë ekranizuar në të gjitha zhanret e dramës, muzikës. Në mënyrë të pakrahasueshme ai është një ndër novelistët që ka influencuar në shoqëritë në mbarë botën.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>