Shkrim: Blerje me një klik

Shkrim: Blerje me një klik

3 73

Nga Elona Bedalli

Blerjet online (foto ilustruese)Në Shqipëri, tregtia elektronike është në fazat e para të zhvillimit të saj. Numri i operatorëve që ofrojnë këto shërbime është ende i reduktuar. Formalizimi i ulët në pagesat me kartë dhe kostot relativisht të larta të transaksioneve në raport me vlerat e vogla të përfituara nga shitjet, janë disa nga problemet.

Shqiptarët nuk bëjnë më “shopping” online vetëm në faqet e huaja. Numri i bizneseve shqiptare që ka nisur të ofrojnë produkte dhe shërbime në mënyrë elektronike është në rritje. Një pjesë e tyre kanë rreth katër vjet që operojnë në treg. Në Shqipëri është e vështirë të ofrosh statistika për numrin e portaleve që operojnë në tregtinë elektronike, pasi ligji nuk njeh detyrimin e pajisjes me licencë të veçantë, por vetëm regjistrimin në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.

Në janar të vitit 2012, INSTAT pritet t’i çojë Kuvendit planin e ri katërvjeçar për mbledhjen e statistikave, pjesë e së cilës do të jenë edhe të dhënat për shoqërinë e informacionit.

Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Informacionit dhe Teknologjisë, vetëm pas përfundimit të kësaj analize do të mund të jepet një panoramë e qartë në lidhje me shërbimet elektronike. Në botë rreth 70% e popullsisë në moshë të rritur përdor shërbimet e tregtisë elektronike (një shifër që vlen si për SHBA-të ashtu edhe për Europën).

Legjislacioni, kërkon përmirësime

Një nga kushtet bazë për të operuar në tregtinë elektronike është zbatimi i kornizës ligjore, e cila shërben për të rritur garancinë e ofrimit të këtyre shërbimeve, por edhe për të mbrojtur të drejtat e konsumatorëve. Sikundër shprehen edhe operatorët që ofrojnë shërbime të tregtisë online, shqiptarët janë një popull që heqin dorë disi me vështirësi nga format klasike të të bërit pazar. Shumë pak e dinë se në Shqipëri vitet e fundit është hartuar baza ligjore që rregullon marrëdhëniet e tregtisë elektronike. Për herë të parë tregtia elektronike do të përfshihej si term në ligjin “Për mbrojtjen e konsumatorëve” të miratuar në vitin 2003. Në kreun e katërt dhe më saktësisht në nenet 39-43 përcaktoheshin mënyrat se realizoheshin kontratat elektronike dhe rastet kur ajo nuk zbatohej. Por, kjo bazë ligjore nuk ishte e mjaftueshme për të rregulluar një marrëdhënie të re tregtie që mungonte deri në atë kohë në Shqipëri. Më pas në vitin 2009 u miratua ligji “Për tregtinë elektronike” që kishte si qëllim vendosjen e rregullave për kryerjen e veprimeve tregtare, në rrugë elektronike.

Së shpejti pritet që këtij ligji t’i bëhen disa amendime. Sipas burimeve zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Shërbimit të Informacionit, ndryshimet janë kërkuar nga Bashkimi Europian, në mënyrë që ligji të jetë i harmonizuar me direktivat e këtij institucioni. Një nga pikat që pritet të rregullohet është ajo që ka të bëjë me komunikimet tregtare elektronike të pakërkuara. Me fjalë të thjeshta, të gjithëve na ka ndodhur që në email-in personal apo në celular të na vijnë mesazhe promocionale, të cilat nuk i kemi kërkuar, por që na kanë mbërritur. Në ligj do të shtohet detyrimi për krijimin e një regjistri të dhënash dhe e drejta për të mos marrë këto lloj informacionesh, pra për t’i kundërshtuar ato. Kjo sipas ekspertëve të AKSH-së do ta bëjë konsumatorin të tregohet më i kujdesshëm, teksa harton një kontratë blerjeje apo në rast se kërkon të marrë një shërbim në internet. Një tjetër amendim që pritet t’i bëhet ligjit ka të bëjë me një nga nenet, e përkatësisht me nenin 21 të ligjit “Për tregtinë elektronike”, ku do t’i shtohet si detyrim institucioneve të ndryshme që kanë të bëjnë me konsumatorët (si në rastin e AKEP-it), për të vendosur në faqet e tyre linke ku do t’i jepen informacione të ndryshme, të nevojshme konsumatorëve, paqartësi apo pyetje e përgjigje për tregtinë online. Pra, këtyre autoriteteve do t’i lindë detyrimi për të shtuar pikat e kontaktit me konsumatorët.

Po çfarë garantohet nëpërmjet ligjit për tregtinë elektronike? Çdo person fizik ose juridik, i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit ka të drejtë të ofrojë shërbime nëpërmjet elektronikës, pa qenë e nevojshme për t’u pajisur paraprakisht me leje apo licencë. Por, për të bërë tregti nëpërmjet internetit, shoqëria është e detyruar t’i paraqesë autoritetit përkatës një sërë të dhënash. Ligji, përpos të drejtave, sanksionon edhe detyrime. Kështu nëse këto kompani nuk japin informacionin e kërkuar për të dhënat e tyre dhe për produktet që kërkojnë të tregtojnë, ato dënohem me gjobë deri në 200,000 lekë. Sipas ekspertëve, ligji është hartuar në përputhje me direktivat e BE-së, nga të cilat lindin edhe detyrimet e tjera ligjore si ai për “Për komunikimet elektronike”; “Për nënshkrimin elektronik”, “Për mbrojtjen e të dhënave elektronike” dhe legjislacioni për “Cyber” krimin. Sipas Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajonin e Ballkanit, normat e përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe të broadband-it janë krahasimisht më të ulëta se mesatarja e BE-së.

Në këtë kuadër, qeveria lançoi rreth tri vite më parë programin “Shqipëria dixhitale”, si pjesë e programit të saj për periudhën 2009-2013. Sipas qeverisë, programi nuk do të kishte në thelb vetëm përdorimin e kompjuterit, sistemeve bazë të të dhënave në internet dhe web-faqet, por edhe nxitjen për ofrimin e shërbimeve të reja, si pagesat përmes celularit të faturave të energjisë elektrike, ujit apo telefonit.

Shqiptarët, ende mosbesues

Në Shqipëri numërohen rreth 1.3 milionë përdorues të internetit (sipas statistikave të Internet Word Stats), që nënkupton se rreth 43.5% e popullsisë kanë akses në këtë shërbim. Një shifër që në krahasim me vitin 2009 rezulton me 50% rritje. Në rritje është edhe numri i operatorëve që bëjnë tregti elektronike. Statistikisht kjo ende nuk mund të provohet, por deri-diku pohohet nga vetë operatorët që janë në treg e që pohojnë se kërkesa për këto lloj shërbimesh është rritur e po kështu edhe oferta. Drejtoresha e “EasyPay” (që ofron mundësi blerjeje mobile dhe me internet për shërbime si ato të “Digitalb” apo PLUS), Linda Shomo, jep disa shifra për aktivitetin e kompanisë, duke konfirmuar se për periudhën gjashtëmujore qershor–nëntor shitjet online (me PayPal) u llogaritën në 150,000 euro, ndërsa me “EasyPay” në 80 milionë lekë. Kjo industri, që në botë qarkullon miliona e miliarda euro apo dollarë, në Shqipëri ka një sërë vështirësish.

“Pagesa në tregtinë elektronike është një nga vështirësitë kryesore, pastaj edhe ana ligjore nuk është e konturuar siç duhet. Mund të përmendin edhe pengesat që kanë të bëjnë me shpërndarjen. Kjo është edhe arsyeja se përse ne kemi hyrë në treg, të lehtësojmë këtë shërbim. Ndaj themi se interesi më i madh është për ato që shesin kryesisht mallra elektronikë, dixhitale dhe shërbime, si me biletat e udhëtimit, rezervimet.
Në rastin e problemeve me pagesat, kjo i dedikohet kryesisht sistemit bankar. Bankat kanë vështirësi në ofrimin e mbështetjes teknologjike për të mundësuar pagesat online (blerjet që realizohen me direct banking, kjo kërkon një interface të caktuar). Kjo përbën edhe vështirësinë tonë kryesore”, thotë znj. Shomo. Nga ana tjetër, ajo shton se konsumatori shqiptar është disi skeptik. “Ne jemi të interesuar të shtojmë portofolin e shërbimeve. Në komunikimet që kemi pasur me biznese ka raste kur ata komunikojnë mirë, por edhe kur ata tërhiqen, për shkak të vështirësive të pagesave. Deri-diku është edhe çështja e mungesës së informacionit. Është për t’u thyer mentaliteti ekzistues. Ne si popull nuk jemi shumë familjarë me pagesat elektronike”, thotë drejtoresha e “EasyPay”.

Shtepia e Librit - Blog (logo)Për drejtuesit e “Shtëpia e Librit”, një portal që mundëson blerjen online të librave shqiptarë dhe të huaj, të natyrave të ndryshme, Shqipëria nuk është shumë e formalizuar për pagesat me kartë/bankë dhe kostot e transaksioneve janë relativisht të larta në raport me vlerat e vogla të përfituara nga shitjet.

Me tej, mund të theksohet çështja e besimit. “Shumë njerëz kanë frikë të përdorin kartat online dhe jo të gjithë e dinë se shërbimet e pagesës të procesuara përmes sistemit ‘Paypal’ janë tërësisht të sigurta”, thotë Gjergj Erebara, një prej administratorëve të këtij portali.

Sipas tij, probleme shkaktohen edhe nga vonesat në dërgimin e pakove nga shërbimet postare, kthimet apo humbjet e tyre, që zënë një pjesë të konsiderueshme të kostove.

“Albania Corner” është një tjetër portal që ofron online mundësinë për të bërë blerje të natyrave të ndryshme, si dhurata, muzikë, sende që i përkasin kulturës dhe traditës shqiptare etj. Elvis Cenka, drejtuesi i këtij portali, thotë se ky shërbim është risi për Shqipërinë, por edhe një sfidë e madhe. Numri i operatorëve në Shqipëri është i lidhur ngushtë me kulturën e blerjeve online, për ta parë rrjetin si një mjet utilitar dhe jo thjesht si një rrjet social.

“Mendoj se ka njohuri shumë të pakta në lidhje me blerjet online. Në Shqipëri ende shumica e blerjeve kryen me para në dorë (cash) dhe përdorimi i kartave të kreditit, me të cilët është e lidhur ngushtë blerja online, janë ende një mjet i përdorur pak dhe në shumë qytete shqiptare madje nuk ekzistojnë. Nuk ekziston një sistem adresash i mirorganizuar që lidhet me shërbimin postar që lë ende për të dëshiruar. Të gjitha këto janë hallka të zinxhirit, që duhet të garantohen për të kryer një shitje të suksesshme. Nga ana tjetër përdorimi i kartave të kreditit për ata që e kanë, vështirësohet për shkak të komisioneve të larta për çdo transaksion”, thotë administratori i “Albania Corner”.

E të gjitha këto arsye bëjnë që Shqipëria të mos jetë një treg i ndjeshëm në industrinë e blerjeve online, ndryshe nga sa ndodh në vendet e tjera të botës. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
71% e personave të rritur bëjnë blerje përmes internetit. Në këto shifra janë edhe vendet e Europës Perëndimore e disa vende aziatike. Për rajonin e Ballkanit, sigurisht që ky numër është shumë më i vogël, për të ardhur më pas te Shqipëria, që ka një vend të pandjeshëm.

Çfarë blejnë shqiptarët online

Në internet mund të blesh dhe të shesësh gjithçka. Ligji shqiptar përjashton nga kjo e drejtë kontratat që kanë të bëjnë me pasuritë e paluajtshme, letrat me vlerë dhe disa aspekte të tjera. Tendencat e para të tregtisë elektronike kanë të bëjnë me ato që njihen si shërbime për njoftime apo rekrutime punësimi. Më pas u kalua dhe në produkte apo shërbime të tjera. Së shpejti, “Neptun”, një nga kompanitë më të mëdha të shitjes së pajisjeve elektroshtëpiake në Shqipëri, do të ofrojë për shqiptarët mundësinë e blerjes së tyre edhe online.
Për Linda Shomon, drejtuese e kompanisë “EasyPay”, interesi më i madh për shërbimet e tregtisë online lidhet më shumë me bizneset që shesin mallra dixhitale, sepse në këtë mënyrë është më e lehtë të hiqen edhe pengesat e tjera.

Një risi për tregun shqiptar është edhe hapja e portalit “123”, që është i ngjashëm me “Grupon”-in në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e që ka shënuar sukses më vete. Drejtori ekzekutiv i “123”, Laidi Ferruni, thotë se “123” lidh partnerët me biznese të ndryshme nga i gjithë vendi për t’i ofruar konsumatorëve eksperienca të veçanta me çmime me të vërtetë konkurruese.

Këto janë eksperienca që përfshijnë oferta restorantesh, baresh, hotelesh, shërbime të bukurisë, si Spa, bileta kinemaje, udhëtime dhe shumë të tjera.

Te “Albania Corner”, konsumatorët mund të gjejnë dhurata dhe suvenire nga Shqipëria, koleksione monedhash, kartëmonedhash, libra të periudhave të ndryshme, si dhe shërbime, si dërgimi i luleve dhe dhuratave të personalizuara.

Më e specializuar në blerjen e librave online është “Shtëpia e Librit” një portal që nuk ofron vetëm shitjen e tyre, por edhe prezantime dhe njohje më të thellë për librat e dëshiruar e që mund edhe të sugjerohen nga stafi i specializuar.

Një faqe tjetër është edhe “dhurata.com”, ku mund të gjenden një sërë mundësish

“EasyPay”, një risi për tregun

Për herë të parë në tregun shqiptar, “EasyPay” prezanton një metodë të re për kryerjen e pagesave, e cila kryhet nëpërmjet celularit. Ofron shërbime si: abonime “Digitalb” me sms, online, rimbushje për llogari të PLUS, pagesa faturash dhe transferta kredish nga një celular në tjetrin. Drejtoresha Linda Shomo, thotë se “EasyPay” është si një mikro “PayPal”, pra çdo klient ka llogarinë e tij në “EasyPay” me të cilën mund të bëjë pagesa nëse llogaria ka fonde. Fondet në llogari mund të shtohen duke derdhur cash në sportelet e bankave me cilat punon “EasyPay” ose trasnferta nga llogaria bankare. Ndërkohë “EasyPay” është një platformë që bën të mundur dhe pagesat me celularë direkt nga llogaria bankare e klientit nëse bankat bëjnë të mundur këtë lloj integrimi. Për momentin ky shërbim akoma nuk ofrohet nga bankat, pasi kërkohen investime teknologjike shtesë në këtë fushë. Kërkesa në treg për këto shërbime ekziston, ndaj personalisht mendoj qe është koha që bankat t’i japin prioritet këtyre investimeve. “EasyPay” ofron dy lloj shërbimesh, pagesa me “EasyPay” në lekë si dhe së fundmi ka bërë të mundur shitjen e produkteve “Digitalb” me anë të “PayPal”. “Kemi 150 agjentë në të gjithë Shqipërinë. ‘EasyPay’ ka ofruar për herë të parë shërbimin ‘top up’ për ‘Digitalb’-in (mbushje elektronike e abonimit direkt në smartkarte). Ne jemi të parët që e ofrojmë këtë shërbim”, thotë znj. Shomo.

Sipas saj, shërbimi “EasyPay” ofron një sërë avantazhesh në fushën e produkteve që ofron. “Ky shërbim eliminon kartat fizike dhe kjo nënkupton edhe shmangien e një sërë kostove të ndryshme, si ato të prodhimit të kartave e të shpërndarjes së tyre. Teknologjia që ne po përdorim na ndihmon të penetrojmë në këtë lloj tregu. Ne i ofrojmë blerësit mundësi për ta marrë shërbimin në rrugë të shpejtë elektronike”, thotë drejtoresha e “EasyPay”.

Nga pikëpamja financiare, avantazhi përkthehet edhe në reduktimin e qarkullimit të parasë cash, pasi në këtë mënyrë paraja hyn në kanalet bankare.

Risi tjetër në fushën e pagesave online për Shqipërinë është lançimi në muajin qershor nga “PayPal” të mundësisë së nisjes dhe të marrjes së parave. “Më përpara për shqiptarët ekzistonte vetëm mundësia e dërgimit të parave që do të thoshte se, nëse një shqiptar kishte një llogari në ‘PayPal’, ai kishte mundësi vetëm të blinte në internet, tani ekziston mundësia dhe të shesë.

Duke qenë se jemi distributorë të kompanisë ‘Digitalb’, bëmë të mundur që t’u ofronim edhe shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit shitje të abonimeve ‘Digitalb’ online. Kështu lançuam të parin dyqan online shqiptar me anë të të cilit shesim të gjitha abonimet e kompanisë ‘Digitalb’. Ky shërbim po bëhet tërheqës pasi shumica e shqiptarëve që jetojnë jashtë kanë llogari në PayPal”, thotë” znj. Shomo.

Aktualisht shitjet me “EasyPay” në lekë frekuentohen nga shqiptarët brenda vendit, ndërsa ato me “PayPal” frekuentohen nga shqiptarët jashtë. Për sa i përket shërbimeve që ofrojmë për kompaninë celularë PLUS, ai është i ngjashëm me shërbimin “top up” (por jo i mirëfilltë) pra bën rimbushje automatike me prerje të paracaktuara.

“Ne kemi pikat tona të shitjes dhe kjo është një mënyrë për të promovuar shërbimin, por përdorim edhe forma të tjera reklamuese, si mediat, ku mbështetjen kryesore na e ka dhënë partneri ynë ‘Digitalb’”, thotë znj. Shomo.

“Kurba e shërbimit është në rritje. Ne e kemi filluar shërbimin në shtator të vitit 2010 dhe në fund të 2010-s kishim vetëm 30 pika, ndërsa tani rrjeti ynë përbëhet nga 150 pika shitjeje. Ne realizojmë afërsisht 400-500 veprime në ditë. Dhjetori dhe gushti janë muajt që shënojnë edhe nivelin më të lartë të blerjeve, për shkak të ardhjes së emigrantëve”.

Si mund të nxitet ky shërbim? Bankat dhe operatorët celularë konsiderohen partnerët tanë kryesorë që do mund të lehtësonin këto lloj pagesash dhe ta bënin atë popullore.

Libri online, shqiptarët jashtë, blerësit më të mirë

Për administratorët e “Shtëpia e Librit”, blerësit më të mirë rezultojnë shqiptarët që jetojnë në vendet e zhvilluara, si SHBA-të, Kanadaja, Gjermania etj. Në ato vende ku emigrantët kanë më pak mundësi financiare, edhe shitjet janë më të pakta, si në rastin e Greqisë. “Natyrisht që si për çdo treg, edhe për rastin e librave, shqiptarët janë të varfër dhe çmimet e librave janë relativisht të larta për buxhetet e familjeve. Ne vlerësojmë se shqiptarët jashtë vendit janë lexues më të mirë”, thotë Gjergj Erebara, një prej administratorëve të këtij portali. Për librin, ai thotë se si meshkujt ashtu edhe femrat janë blerës potencialë. Mosha mesatare e blerësve është 30-40 vjeç. “Në shitjet brenda vendit, numri i shqiptarëve që disponojnë karta me akses në internet është shumë i vogël. Shumica e kartave bankare të shpërndara nuk lejojnë përdorimin e tyre në internet. Gjithsesi ka pasur shitje përmes pagesave e-banking apo transfertave bankare brenda vendit.

Në lidhje me krizën, mund të themi se shitjet e librit ndjekin ciklin e shitjeve me pakicë në ekonomi, të cilat kanë rënë në 6-mujorin e parë. Por, ne jemi biznes i ri dhe nuk jemi në gjendje të bëjmë krahasime afatgjata. Ne vlerësojmë se shqiptarët pranojnë të paguajnë për libra të mirë, por shumë shpesh zhgënjehen nga libra jocilësorë, shtypshkrime me defekte, përkthime të këqija apo autorë të reklamuar më shumë nga ata që e meritojnë”, thotë z. Erebara.

Procesi i filtrimit të librave që publikohen para se lexuesi ta lexojë e të zhgënjehet është një problem më vete, sipas tij. Është më tej problemi i librave që botohen me donacione, (ne vlerësojmë se një pjesë e konsiderueshme e librave në qarkullim kanë përfituar donacione nga organizata të ndryshme), gjë që e heq kontaktin mes lexuesit dhe botuesit, si dhe zvenit dëshirën e botuesit për të kryer një punë cilësore, një përkthim të mirë apo një botim të vlefshëm. Shtypja e librave me donacione shpesh ul çmimin e librit, gjë që krijon njëfarë konkurrence të pandershme me librat cilësorë, që në shumicën e rasteve nuk përfitojnë donacione.

“123”, si “Groupon” në Amerikë

Çdo ditë ju mund të njiheni me oferta që prezantohen me ulje çmimesh. Mund të jetë një udhëtim, një qëndrim disaditor në një hotel apo shërbime bukurie. Bëhet fjalë për portalin “123”, një sipërmarrje që nisi si ide rreth një vit më parë. Drejtori ekzekutiv i këtij portali Laidi Ferruni, thotë se ideja e “123” është një koncept i thjeshtë, por i veçantë dhe i gjerë në influencë. “E ndërtuar thjesht dhe në një formë atraktive, ‘123’ është një guidë që të merr për krahu dhe të fton të zbulosh qytetin tënd, por jo vetëm. Është njëkohësisht një ndihmës që të lejon gjithashtu të provosh përvoja të reja, pa u ndjerë në faj se po harxhon shumë. ‘123’ mbi të gjitha, negocion me bizneset në qytetin tuaj (vendin tuaj), në mënyrë që të përfitoni çmimin më të ulët të mundshëm për shërbimet më të mira të mundshme”, thotë z. Ferruni. Ai thotë se ideja për të krijuar një portal që është i ngjashëm me “Groupon” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisi nga motivimi për t’i ofruar publikut shqiptar një përvojë (ose më saktë një seri eksperiencash të reja), për të provuar një stil jete të re, për ta lëvizur nga monotonia e rutinave të krijuara në mënyrë të pavetëdijshme apo për të treguar se Shqipëria nuk është e shëmtuar dhe monotone.

“Nënkupton më shumë eksperienca sociale, më shumë miq të rinj. Nga ana tjetër më shumë mënyra për të shijuar jetën tuaj, për të ndezur një pasion të vjetër apo për të krijuar një perceptim të ri. ‘123’ u krijua duke u bazuar në infrastrukturën e modeluar nga gjigantët amerikanë, kombinuar me fizionominë e tregut dhe tipologjinë e konsumatorit shqiptar. I përshtatur për Shqipërinë, 123 vjen në treg me ambicien për të ndihmuar konsumatorët dhe bizneset të gjejnë njëri-tjetrin në mënyrën më të shëndetshme të mundshme”, thotë drejtori ekzekutiv i këtij portali. Për të përfituar nga shërbimet e “123” është i nevojshëm regjistrimi. Ofertat mbërrijnë çdo ditë me e-mail.

Për të blerë një ofertë mjafton një klikim dhe më pas duhet të kryhet pagesa. Kodi i ofertës merret në profilin e krijuar. Ofertat janë të vlefshme për një periudhë të caktuar kohe.

Një “kënd” për shqiptarët

“AlbanianCorner.com” ka nisur shërbimin e tij gati tre vite më parë. Elvis Cenka, administratori i këtij portali, thotë se qëllimi kryesor për të cilin e krijoi ishte mbulimi i nevojave të shqiptarëve jashtë atdheut, si dhe të huajve të cilët janë të interesuar për Shqipërinë apo produkte shqiptare. Ai thotë se vendosi të ndërtojë një portal shqiptar, duke qenë se vetë është një përdorues i gjerë i blerjeve online.

Sipas tij, në Shqipëri ende nuk mund të flasim për ndonjë konkurrencë reale dhe kjo ka anët pozitive dhe negative.

Nga njëra anë, mungesa e konkurrencës mund të japë një shtytje fillestare, nga ana tjetër është negative pasi konkurrenca do të sillte një marketing më të madh dhe shtimin të numrit të shitjeve. ”Në dyqanin tonë virtual dominojnë blerësit shqiptarë jashtë vendit, kjo edhe për natyrën e produkteve dhe shërbimeve që ofrojmë. Nuk janë të paktë edhe blerësit që janë brenda vendit. Blerësit e huaj gjithashtu nuk mungojnë dhe më së shumti lidhen me koleksionet dhe objektet që kanë të bëjnë me historinë e Shqipërisë”, thotë z. Cenka.
Më shumë blejnë femrat. Kjo reflekton edhe atë që ndodh me sjelljen e konsumatorit në shitjet jo online. Mosha që frekuenton më shumë blerjet online është intervali 32-45 vjeç.

Kategoria që ka më shumë shitje janë dhuratat dhe suveniret, por edhe CD-të, DVD-të me filma dhe muzikë shqiptare.

Ky shërbim realizohet përmes zgjedhjes së produktit në dyqanin virtual, përmes kërkimit apo shfletimit të kategorive. Pasi zgjidhet produkti shtohet në shportë. Pasi është përfunduar me zgjedhjen e produkteve procedojmë me pagesën. Nuk aplikohet pagesë e veçantë për produktet apo shërbimet. Koha e postimit është dy ditë. Të gjitha blerjet shoqërohen me një numër regjistrimi të pakos, e cila mund të kontrollohet online mbi statusin e porosisë së blerësit deri në momentin e mbërritjes në destinacion. Të gjitha transaksionet janë të garantuara përmes sistemit të pagesës “PayPal”. Pra garancia për blerjet është e plotë.

Rrjetet sociale, agjentët “low cost” të marketingut

Shpirti i biznesit është reklama dhe për këto portale kjo është një element i rëndësishëm. Si pjesë e botës virtuale, ata zgjedhin si formën më të përshtatshme për të shkuar te konsumatori reklamimin elektronik. Për këtë qëllim përdoret “optimizmi për motorët e kërkimit” (SEO), pra faqja dhe produktet përshtaten që të jenë atraktive për motorët e kërkimit ‘Google’, ‘Yahoo’, ‘Bing’, ‘Yandex’ etj. Kjo është një nga mënyrat kryesore të marketingut. Administratori i “Albania Corner”, thotë se aplikon edhe reklamimin me pagesë në “Google Adwords” dhe “Facebook”, duke mundësuar rankimin në faqen e parë të këtyre motorëve. Por, të përdorshme për promovim janë edhe shkrimet në blogje dhe rrjete sociale, në mënyrë që shërbimi dhe produktet të bëhen të njohura. Për drejtoreshën e “EasyPay” në parketimin e shërbimeve që ofrohen nga kjo kompani kanë luajtur edhe partnerët, si “Digitalb” dhe PLUS, që kanë promovuar shërbimin e blerjeve elektronike. Mediat, sipas saj gjithashtu kanë luajtur rol. Për drejtorin ekzekutiv të “123”, Laidi Ferruni, portali përdor fuqinë e blerjeve kolektive, duke gjeneruar qindra e mijëra blerës në pak ditë. Rrjetet sociale janë një “armë” e fuqishme në këtë beteje për të thithur sa më shumë klientë.

Por, natyrisht që nuk është vetëm kjo formë marketingu.

Këto portale shërbejnë edhe si mënyrë reklamimi për biznesin që shtet në vetvete. Oferta ka mundësi të lexohet nga rreth 90% e personave, që marrin mesazhin promocional. Në vendet e tjera email-marketingu ka dhënë prova të suksesshme, për ata të cilët e kanë përdorur në mënyrën e duhur.

Sipas ekspertëve email-marketingu ka shanse të krijojë më tepër shikueshmëri për produktet apo edhe shërbimet e një kompanie, pasi mesazhet elektronike nuk shkojnë në formën “spam”, por drejtpërdrejt në kuti, (inbox). Kjo formë publicitare shërben për të përthithur indirekt më tepër vizitorë për llogari të faqes së internetit të kompanisë. Këta vizitorë në një përqindje të caktuar mund të konvertohen edhe në blerës potencialë. Format e marketingut online janë sot aq të sofistikuara saqë profesionistët janë në gjendje që, pa bërë në fakt asnjë shkelje etike,- të mësojnë edhe orientimin në treg të vizitorëve të rastësishëm të tyre apo atyre klientëve të piketuar, të cilëve u dërgohet një e-mail i thjeshtë. Shfrytëzimi i kësaj mundësie, po shfaqet tepër joshës për tregun shqiptar. Në këtë mënyrë drejtuesit e kompanisë do të nisin të kuptojnë se reklamimin online mund të ndikojnë në shitjet, duke zënë një peshë të konsiderueshme mbi shitjet totale. Në këtë strategji mund të ndikohet me një buxhet modest.

E ardhmja, optimiste

Drejtoresha e “EasyPay”, thotë se ka një qëllim të mirëpërcaktuar të bëhen udhëheqës në pagesat online dhe ato mobile. “Në kuadër të shitjeve online, synojmë të ofrojmë për publikun shqiptar të gjitha mënyrat e pagesave. Shpresojmë që shumë shpejt të përfshijmë edhe pagesën me kartë. Në planet tona është edhe ofrimi online i biletave të kinemasë”, thotë znj. Shomo. Sipas saj në Shqipëri kultura e blerjes online po ndryshon për mirë. “Nuk duhet të harrojmë dhe faktin se tregtia elektronike ka rreziqet e veta. Bankat i druhen rreziqeve”, thotë ajo.

Ndërsa drejtuesi i portalit “Albania Corner”, thotë se deri në vitin 2015 pritet që shitjet me pakicë online në botë të kapin një vlerë prej 250 miliardë dollarësh në vit. “Është e qartë se trendi është në rritje dhe se sot më shumë se kurrë njerëzit po përfitojnë përmes komoditetit që të ofron interneti për të kryer blerjet e tyre”, thotë ai. Për drejtuesit e portaleve online Shqipëria shumë shpejt, në pak vite do të mund të kapë trendin e vendeve të tjera. Ajo që sipas tyre është e domosdoshme ka të bëjë me përmirësimin e shërbimeve dhe zgjerimin e numrit të zgjedhjeve dhe produkteve për klientët. Ata thonë se është koha që bankat ta promovojnë këtë shërbim.

Ballkani, ende në shifra modeste

Vendet e rajonit të Ballkanit radhiten në mesin e vendeve europiane me gatishmërinë më të ulët të të bërit tregti elektronike, kjo për shkak të infrastrukturës së dobët të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK).

Instrumentet elektronike të pagesave janë: çeqet elektronike, kartat kreditore elektronike, kartat për blerje, cash-i elektronik, kartat me vlerë të ruajtur, pagesat person-person, transferim elektronik i fondeve, pagesat (wireless), pagesat nëpërmjet kompjuterit personal, etj.

Ndër kartat ndërkombëtare më të përdorshme janë: VISA, “MasterCard”, “American Express”, NPK, “Diners” etj. Një mënyrë tjetër e pagesave elektronike është edhe e-banking ose PC-banking.

Në Maqedoni përdorimi i instrumenteve elektronike për pagesa shënon trend pozitiv edhe pse jo në nivelet që parashikoheshin.

Në vitin 2010 numri i transaksioneve u rrit me 3.4%, ndërsa vlera e paguar nëpërmjet kompjuterëve personalë të lidhur në rrjet u llogarit në 12.5%. Edhe në Maqedoni numri i operatorëve që ofrojnë shërbime online është i ulët. Disa nga bizneset online janë: “flowershop.com.mk” ku shiten dhurata dhe lule, “amc.com.mk” ofron pajisje kompjuterike dhe konfiguracione të ndryshme, “gomacedonia.org” është një portal që ofron rezervime për udhëtime dhe ture turistike. Numri i përgjithshëm i bizneseve që shesin produkte dhe shërbime online llogaritet në 100. Po cilat janë disa nga arsyet që i mbajnë ende larg njerëzit nga eksplorimi i eksperiencave të tilla? Sipas ekspertëve, në bazë të studimeve të kryera njerëzit, nuk frikësohen nga blerja online e produkteve, por thjesht ata nuk janë ende të përgatitur të pranojnë këtë trend të ri. Kjo vjen si pasojë edhe e mungesës së informacioneve mbi konceptet e tregtisë elektronike. Sipas ekspertëve aktiviteti i tregtisë elektronike është në krizë dhe mbetet prapa në krahasim me vendet e tjera.

Një shembull tjetër është Bullgaria. Edhe pse renditet ndër pesë vendet e para me internetin më të mirë në botë, vetëm 10% e pagesave bëhen elektronikisht. Sipas statistikave zyrtare të BE-së 2-3% e bullgarëve bëjnë pazar online, ndërkohë që në vendet më të zhvilluara kjo shifër është mbi 60% e konsumatorëve. Sipas të dhënave zyrtare në Bullgari për vitin 2010, qarkullimi i përgjithshëm i tregtisë në internet është 50 milionë
euro. Kjo është një shifër e ulët duke pasur parasysh se për vitin 2010 në shkallë botërore shifra u llogarit në 8 trilionë dollarë. Pjesa dërmuese e marrëveshjeve ka të bëjë me ankandet online të llojit “e-Bay”, domethënë ai midis personave privatë. Më pak se gjysma e transaksioneve janë midis tregtarëve dhe klientëve. Kjo gjithashtu shpjegon faktin se përse shumë marrëveshje nuk regjistrohen në rrugë zyrtare.

Botë, blerjet e pushimeve rriten me 15%

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sezoni i pushimeve dimërore për blerjet online nisi me atë që njihet si e “Premtja e zezë”. Sipas statistikave të raportuara nga “comScore” vetëm për periudhën nëntor-dhjetor u shpenzuan online 30.9 miliardë dollarë ose rreth 15% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Edhe në Europë, tregtia elektronike ka njohur ritme rritjeje, duke sfiduar krizën. Sipas të dhënave të raportit të fundit për tregtinë elektronike, “Europe B2C E-Commerce 2011″ (që analizon të dhënat e vitit 2010), ku merren në analizë 35 shtete të ardhurat më të larta të tregtisë elektronike u raportuan në Britaninë e Madhe që ndiqet nga Gjermania, Franca, Spanja dhe Italia. Parashikimet janë që deri në vitin 2015 numri i njësive online të shitjeve të arrijë në 200 milionë. Kategoria më popullore në Europën Perëndimore për tregtinë online janë veshjet e modës dhe ato sportive e ndjekur nga kategoria libra, revista dhe materiale mësimore, e treta renditet kategoria filma dhe muzikë. Sipas këtyre të dhënave në Europën Perëndimore, gjysma e individëve të moshës 25-34- vjeçare bërë blerje online në kategorinë “veshje dhe aksesorë sportivë”. “eBay”, “Amazon”, “Cdiscount” dhe “PriceMinister” janë konkurrentët kryesorë në segmentin e tregtisë elektronike.
Në Europën Lindore një kategori që shënon rritje të blerjeve online janë edhe artikujt shtëpiakë. Problemet kryesore që hasen në këtë pjesë të Europës kanë të bëjnë kryesisht me penetrimin e ulët të internetit dhe mundësitë e kufizuara për pagesat online. Në Skandinavi kategoria më popullore është blerja e biletave të udhëtimit. Në Europë deri në fund të vitit 2011, parashikohet që tregtia elektronike të arrijë shifrën 323 miliardë euro në qarkullim.

Vështirësitë
Pagesa në tregtinë elektronike është një nga vështirësitë kryesore, pastaj edhe ana ligjore nuk është e konturuar siç duhet

Aksesi
Në shitjet brenda vendit, numri i shqiptarëve që disponojnë karta me akses në internet është shumë i vogël

Blerësit
Më shumë blejnë femrat. Kjo reflekton edhe atë që ndodh me sjelljen e konsumatorit në shitjet jo online.

Statistika deri në tremujorin e tretë të 2011-s
719,000 numri total i kartave
31,391    numri i kartave të kreditit
591,000    Karta Visa
93,332    Karta Master Card
17,334    Karta Maestro
4,640    Karta American Express
12,590     Karta lokale
Burimi: BSH

Burimi: Revista Monitor

  • http://blogu.programeshqip.org jshm

    Një artikull i tillë do të ishte shumë më i përdorshëm po të kishte lidhjet Internet për krejt organizmat dhe bizneset që përmend. Çudi se si nuk u ka shkuar në mendje përpara se ta botonin.

  • Neila

    Pershendetje , po kerkoja ne internet per tregtine elektronike pasi eshte tema e diplomes qe une kam zgjedhur dhe u ndesha ne shkrimin tuaj qe eshte mjaft interesant. Nese do kishit mundesi te me ndihmonit me ndonje artikull apo material persa i perket tregtise elektronike do ishte e vlefshme per mua. Faleminderit

    • http://www.shtepiaelibrit.com Elvisi – Admin

      Pershendetje Neila, ju faleminderit per interesimin por kam frike se ne kete rast do duhet te vazhdoni vete hulumtimin ne internet pasi ka me qindra shkrime qe mund t’ju ndihmojne per ate qe ju duhet.