nga Admin

6 Janar, 2015

Ali Pasha, krime famëkeqe“, shkruar nga Aleksandër Duma, vazhdon të tërheqë vëmendjen e mediave ndërkombëtare

Ali pashe Tepelena portretGati dy shekuj nga koha kur Aleksandër Duma shkroi një nga novelat më të bukura historike, kushtuar një personazhi të vërtetë siç ishte pashai shqiptar, Ali Pashë Tepelena, libri me të njëjtin emër vijon të jetë ndër librat që i referohen shpesh jo vetëm historianët, por dhe media në botë. Libri ribotohet pothuajse çdo vit nga ente të njohura botuese, gjë që shihet nga ndryshimet që kanë pësuar kopertina e tij që nga botimi fillestar. I cilësuar si një zgjedhje e shkëlqyer për çdo lexues në çdo kohë, “Ali Pasha” i Aleksandër Duma vijon të bëjë xhiron nëpër libraritë botërore. Çdo ribotim i këtij libri ringjall kureshtjen dhe ngre pikëpyetje mbi atë çfarë mbart kjo figurë. Mediat franceze e lidhin romanin “Konti i Monte Kristos”, një nga romanet më të njohur të Duma pikërisht me Ali Pashën. Ishte ai që u bë një frymëzim i pafund për Dumanë. Historia e oficerit francez që tregohet në libër, lidhet me një histori reale frymëzuar nga e bija e Ali Pashës. Pas rënies së Republikës së Venedikut më 1797 Ali Pasha hodhi vështrimin nga Franca. Napolon Bonaparti mendohet ta ketë përdorur Ali Pashën si një gur shahu për të ngritur influencën e tij dhe në këtë pjesë të rajonit. Të njëjtën lojë shahu nisi ta luante dhe Aliu me Francën. Për të forcuar ambiciet e tij Ali Pasha i ofroi vajzën për grua oficerit francez në Korfuz, Nicolas Marie Roze. Fundi i hidhur i kësaj historie, shoqëruar me krimet e Aliut do të frymëzonin Dumanë t’i përdorte në romanet e tij. Përshkrimi që ai i bën Ali Pashës te libri me të njëjtin titull e kalon një përshkrim të zakonshëm. Ai bën një udhëtim në origjinën më të thellë të këtij shqiptari të rëndësishëm, të shekullit të 17-të për të depërtuar në arsyet që e çuan atë drejt mizorisë, dhe drejt një suksesi për kohën në zemër të perandorisë otomane. Ky libër i famshëm është prej më shumë se disa muajsh edhe në gjuhën shqipe, nën përkthimin e Blendi Lamit, nga shtëpia botuese “Saras”. Libri i cili lexohet lehtë për vetë stilin që Duma mbart, por dhe jetës së personazhit është një tablo e rëndësishme historike, me personazhe dhe rrëfime që kanë munguar në botimet sporadike që janë bërë përgjatë 50 viteve për Ali Pashë Tepelenën. Kjo figurë interesante e historisë vijon të mbetet e tillë dhe pas vdekjes. Me trupin e ndarë në dy hapësira siç është Stambolli dhe Janina, Ali Pasha ende nuk e ka një varr. Trupi i tij është varrosur në Janinë brenda kalasë, një vend i kthyer në pelegrinazh. Koka mendohet se është në Stamboll megjithëse shumë studiues preferojnë të mos japin kompetenca mbi këtë vendndodhje. Studiuesi Dorian Koçi ka një version tjetër për kokën e Pashait, sipas një raporti të atasheut të Ambasadës së Anglisë në Stamboll, Robert Walsh. “Një nga shokët e vjetër të Ali Pashës, i quajtur Dervish Sulejmani që i kishte shërbyer Ali Pashës si agjent besnik, pati një projekt më fisnik. Meqenëse ishte shfaqur mes tyre grindje mendimesh, Sulejmani ishte shtrënguar në teqe nga Ali Pasha dhe u bë dervish. Kur mori vesh vdekjen e mikut të tij të vjetër ndjeu hidhërim të madh dhe e bleu. Dha një çmim më të lartë nga ajo që ofronte tregtari. Më vonë Sulejmani mori kokat e tre bijve dhe nipit, të cilëve pas vdekjes së Ali Pashës, ua prenë kokat me pretekste të ndryshme, i vuri përballë portës së Siligrisë dhe u vuri nga një gur varri. Mbi gurët e varreve skaliti shënimet e mëposhtme: Këtu shtrihet koka e shumë të famshmit Ali Pashë Tepelena, qeveritar i Sanxhakut të Janinës, i cili gjatë 50 vjetëve u përpoq për independencën e Shqipërisë”, Sipas Koçit, po në atë vend, gjenden kokat e tre djemve të tij, Veliut, Myftarit, Saliut dhe nipit, Mehmet Pashës, i biri i Veliut. Të gjitha mbajnë datën shkurt 1822. Ka pasur deklarata nga qeveritë e mëparshme për kthimin e kokës së Aliut në atdhe, por që kanë mbetur vetëm deklarata. Duket se historia do vijojë të shkruajë të tjerë kapituj pas vdekjes për këtë shqiptar që Aleksandër Duma e përshkruan si tepër dinak, dhe që oborri i sulltanit e njihte si “Luani i Janinës”.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>